
Të nderuar besimtarë!
Allahu (xh.sh.) në Suren Hud urdhëron: وَاِلٰى ثَمُودَ اَخَاهُمْ صَالِحًۜا قَالَ يَا قَوْمِ اعْبُدُوا اللّٰهَ مَا لَكُمْ مِنْ
اِلٰهٍ غَيْرُهُۜ هُوَ اَنْشَاَكُمْ مِنَ الْاَرْضِ وَاسْتَعْمَرَكُمْ ف۪يهَا فَاسْتَغْفِرُوهُ ثُمَّ تُوبُٓوا اِلَيْهِۜ اِنَّ رَبّ۪ي قَر۪يبٌ مُج۪يبٌ
“Fisit Themud (Ne i dërguam) vëllanë e tij, Salihun. “O populli im”, – u tha ai – “adhuroni vetëm Allahun. Ju s’keni zot tjetër përveç Atij! Ai ju krijoi nga toka dhe ju vuri të jetoni në të; andaj, kërkoni falje nga Ai dhe kthehuni me pendim tek Ai! Pa dyshim, Zoti im është afër dhe u përgjigjet (lutjeve).”.[1]
Besimtarë të dashur!
Allahu i Lartësuar e ka krijuar njeriun si mëkëmbës në tokë, dhe e ka ngarkuar me përgjegjësinë për ta ndërtuar dhe zbukuruar jetën. Kjo përgjegjësi do të thotë se – paralelisht me ndërtimin e vendbanimeve – të konstituohet edhe një jetë ku mbrohen morali dhe virtyti. Emërtimi i kësaj gjendje është qytetërim, ai që mban gjallë vlerat shpirtërore së bashku me veprat materiale.
Të nderuar besimtarë!
Qytetërimi Islam, i ngritur mbi themelet e Kuranit Fisnik dhe Sunetit të ndritur, e i brumosur me një përvojë pesëmbëdhjetëshekullore, është lartësuar duke bashkuar dijen me adhurimin, punën me ndershmërinë, fuqinë me drejtësinë dhe pasurinë me bujarinë. Xhamitë, vakëfet dhe bibliotekat e ndërtuara përgjatë historisë kanë qenë simbole të këtij vizioni qytetërues që i ka shërbyer njeriut dhe e ka mbajtur shoqërinë në këmbë.
Besimtarë të nderuar!
Qëllimi kryesor i qytetërimit Islam është bashkimi i zemrave, mendjeve dhe shpirtrave në të njëjtin besim, ndjenjë dhe ideal. Kriteret hyjnore që gjenden në ajetin fisnik:
اِنَّ اللّٰهَ يَأْمُرُ بِالْعَدْلِ وَالْاِحْسَانِ وَا۪يْتَآئِ ذِي الْقُرْبٰى وَيَنْهٰى عَنِ الْفَحْشَآءِ وَالْمُنْكَرِ وَالْبَغْيِۚ يَعِظُكُمْ لَعَلَّكُمْ تَذَكَّرُونَ
“Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.”[2], janë bazamenti i këtij qytetërimi. Sepse një shoqëri ku harrohet e mira dhe neglizhohet morali, nuk mund të ndërtojë një të ardhme të qëndrueshme.
Vëllezër të nderuar!
Xhamitë duhet të jenë vende që forcojnë vëllazërinë tonë; shkollat vende që bashkë me dijen mësojnë edhe virtytin; ndërsa ambientet tona të punës vende ku mbahen gjallë ndershmëria, respekti për mundin dhe fitimi hallall. Nëse secili prej nesh mund të përfaqësojë të mirën aty ku ndodhet, edhe qytetërimi islam do të fuqiyohet. Detyra jonë është të ruajmë trashëgiminë që kemi marrë nga paraardhësit tanë, ta pasurojmë atë dhe t’ua përcjellim brezave të ardhshëm. Sipas urdhrit të Profetit (s.a.s.) – “Kudo që të jesh, ki frikë Allahun (bëhu i vetëdijshëm për përgjegjësinë ndaj Tij)! Pas një të keqeje bëj një të mirë që ta fshijë atë, dhe sillu me njerëzit me moral të mirë!” – [3] paralelisht me përmbushjen e detyrës së adhurimit të Zotit, dobinë ndaj njerëzimit duhet ta shndërrojmë në qëllim të jetës sonë. Po ashtu, duke u frymëzuar nga qytetërimi ynë, duhet ta ndërtojmë të ardhmen tonë me besim, dije, urtësi dhe moral të lartë.
Besimtarë të dashur!
Xhamitë janë kështjellat shpirtërore të besimit, ku ne si besimtarë ndërtojmë ura të forta me të kaluarën dhe brumosim të ardhmen e brezave tanë. Ezani i Muhamedit (s.a.s.) që jehon çdo ditë nga minaret e xhamive, është shpallja e paqes, drejtësisë dhe mëshirës hyjnore mbi shoqërinë tonë. Këto shtëpi të Allahut, që mbledhin çdo shtresë të popullit; të riun, të moshuarin dhe fëmijën, si të ishin një familje e vetme e me një zemër nën të njëjtën kupolë, janë vatrat që kanë ruajtur ndër shekuj besën, harmoninë dhe vëllazërinë tonë. Këtë frymë të madhe bashkuese, inshallah, do ta ruajmë e do ta trashëgojmë brez pas brezi deri në kiamet.
Me lutjen që ezanet që këndohen nga minaret e xhamive të jehojnë përgjithmonë në qiell, po e përmbyllim hutben me kuptimin e këtij ajeti fisnik nga sureja Teube:
اِنَّمَا يَعْمُرُ مَسَاجِدَ اللّٰهِ مَنْ اٰمَنَ بِاللّٰهِ وَالْيَوْمِ الْاٰخِرِ وَاَقَامَ الصَّلٰوةَ وَاٰتَى الزَّكٰوةَ وَلَمْ يَخْشَ اِلَّا اللّٰهَ فَعَسٰٓى اُو۬لٰٓئِكَ اَنْ يَكُونُوا مِنَ الْمُهْتَد۪ينَ
“E drejtë e përkujdesjes së xhamive të All-llahut është vetëm e atij që i ka besuar All-llahut dhe ditës së mbramë e që e falë namazin, jep zeqatin e nuk i frikësohet askujt pos All-llahut. Të tillët do të jenë të udhëzuarit (në rrugën e drejtë)”.[4]
[1] Hud: 61.
[2] Nahl: 90.
[3] Tirmidhiu: Birr, 55.
[4] Teube: 18.