
Të nderuar besimtarë!
Hallallet dhe haramet janë kriteret hyjnore që e çojnë robin drejt kënaqësisë së Allahut (xh.sh.). Ato janë udhërrëfyesit që i tregojnë njeriut të mirën dhe të keqen. Nga fjala e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.): “Hallalli është i qartë, edhe harami është i qartë…”,[1] ne e dimë mirë se hallallet dhe haramet janë krejtësisht të qarta.
Besimtarë të nderuar!
Çdo urdhër dhe ndalesë që na është bërë me dije përmes fesë sonë, përmban urtësi të mëdha: si mbrojtja e dinjitetit njerëzor, siguria e brezave dhe qetësia e shoqërisë. Për shembull, Zoti ynë i Lartësuar e ka bërë të lejuar martesën që siguron vazhdimësinë e brezave, ndërsa me ajetin fisnik: وَلَا تَقْرَبُوا الزِّنٰىٓ اِنَّهُ كَانَ فَاحِشَةًۜ وَسَٓاءَ سَب۪يلًا “Dhe mos iu afroni zinasë (marrëdhënieve jashtëmartesore), sepse ajo është një vepër e shëmtuar dhe rrugë e keqe…”,[2] e ka bërë haram zinanë, sepse ajo shkatërron shoqërinë. Po ashtu, Allahu i Lartësuar na e ka bërë hallall tregtinë, fitimin me djersën e ballit dhe mundin që sigurojnë rendin e drejtësinë në shoqëri, kurse ka bërë haram kamatën që shkatërron bereqetin, mashtrimin në peshë e masë, fshehjen e të metave të mallit dhe, me pak fjalë, mashtrimin e njerëzve.
Të dashur besimtarë!
Duhet të dimë gjithashtu se ndjeshmëria ndaj hallalleve dhe harameve nuk kufizohet vetëm me pastërtinë e kafshatës. Ajetet fisnike:
قُلْ لِلْمُؤْمِن۪ينَ يَغُضُّوا مِنْ اَبْصَارِهِمْ وَيَحْفَظُوا فُرُوجَهُمْۜ … وَقُلْ لِلْمُؤْمِنَاتِ يَغْضُضْنَ مِنْ اَبْصَارِهِنَّ وَيَحْفَظْنَ فُرُوجَهُنَّ “Thuaju besimtarëve të ulin vështrimet e tyre nga e ndaluara dhe të mbrojnë nderin e tyre… Thuaju edhe besimtareve të ulin vështrimet e tyre nga e ndaluara dhe të mbrojnë nderin e tyre…”, tregojnë për një çështje shumë të rëndësishme që lartëson dinjitetin e njeriut, siç është morali dhe turpi. Prandaj, çdo mysliman, burrë apo grua, duhet të mbrojë nderin e vet, të tregojë kujdes për veshmbathjen e tij dhe t’u qëndrojë larg sjelljeve që cënojnë respektin njerëzor. Ajo që i takon besimtarit është ta kuptojë se turpi, nderi dhe morali marrin kuptim vetëm kur bëhen bashkë. Të tregosh kujdes ndaj kufijve të privatësisë si në jetën shoqërore ashtu edhe në hapësirat digjitale, do të thotë ta ruash gjuhën nga gënjeshtra dhe syrin nga haramet.
Besimtarë të dashur!
E njëjta gjë vlen edhe për shpërdorimin (israfin), i cili zhduk ndjenjën e ndarjes së mirësive me të tjerët dhe bëhet pengesa më e madhe për shpërndarjen e drejtë të begative. Ndërsa në pjesë të ndryshme të botës miliona njerëz kanë nevojë për një kafshatë bukë e një pikë ujë, e ndërkohë që shpërdorimi na është ndaluar me ajetin: وَكُلُوا وَاشْرَبُوا وَلَا تُسْرِفُواۚ اِنَّهُ لَا يُحِبُّ الْمُسْرِف۪ينَ “…Hani e (pini), por mos e teproni (mos shpërdoroni), se Ai nuk i do ata që e teprojnë!”,[3] hedhja e një sasie të madhe buke në plehra dhe harxhimi i papërgjegjshëm i ujit është një shenjë se kufiri mes hallalleve dhe harameve po kalohet.
Vëllezër të nderuar!
Po jetojmë në një kohë për të cilën i Dërguari i Mëshirës (s.a.s.) na ka tërhequr vërejtjen me fjalët: “…Do të vijë një kohë kur njeriu nuk do të shikojë nëse pasurinë e ka fituar nga hallallet apo nga haramet!”.[4] Sot përballemi me sfidat e një kohe ku hallallet ndonjëherë nënçmohen, haramet nxiten dhe fjalët apo sjelljet e jashtëligjshme përpiqen të paraqiten si normale. Mirëpo, ruajtja e harmonisë, mbrojtja e pasurisë, e jetës, e nderit të njëri-tjetrit dhe e pasurisë publike; si dhe largimi nga veset e dëmshme si ryshfeti, kamata, vjedhja, alkooli e bixhozi, arrihet vetëm duke ecur në rrugën e drejtë që Zoti ynë i Lartësuar ka caktuar me kufijtë e hallalleve dhe harameve. Kjo ndjeshmëri është ajo që mbron familjet tona, ruan besën e vëllazërinë midis nesh dhe garanton paqen në shoqëri.
Po e përmbyllim hutben me këtë thirrje të Allahut të Lartësuar:
يَٓا اَيُّهَا النَّاسُ كُلُوا مِمَّا فِي الْاَرْضِ حَلَالًا طَيِّبًاۖ وَلَا تَتَّبِعُوا خُطُوَاتِ الشَّيْطَانِۜ اِنَّهُ لَكُمْ عَدُوٌّ مُب۪ينٌ “O ju njerëz! Hani nga ato që janë hallall e të pastra në tokë dhe mos ndiqni gjurmët e shejtanit, sepse ai është armik i hapët i juaji”.[5]
[1] Muslimi: Musakat, 107.
[2] Isra: 32.
[3] A’raf: 31.
[4] Buhariu: Buju’, 23.
[5] Bakara: 168.