
Të nderuar besimtarë!
Një nga mirësitë që Allahu (xh. sh.) u ka dhuruar të gjithë njerëzve deri në ditën e Kijametit, dhe një nga manifestimet e dhembshurisë dhe mëshirës së Tij të pafundme, është Kurani Fisnik.
Kurani Fisnik është fjala hyjnore që ndan të vërtetën nga e kota. Ai kurrsesi nuk është një fjalë e zakonshme.[1] Kurani Famëlartë është fjala më e bukur dhe më e shenjtë. Ai është burim udhëzimi dhe burim shërimi. Kurani Fisnik është një përgëzim i Rrahmanit (i Mëshirshmi) që e udhëzon njerëzimin drejt të drejtës dhe të vërtetës, mirësisë dhe drejtësisë, qetësisë dhe dashurisë. Siç urdhërohet në ajetin fisnik: “Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh”.[2]
Besimtarë të dashur!
Kurani Fisnik është mrekullia më e madhe e Profetit të mëshirës, të Dërguarit të Allahut (s.a.s.). Atij nuk i ka ndryshuar as edhe një shkronjë e vetme dhe nuk do të mund t’i ndryshohet kurrë. Zoti ynë i Lartësuar e deklaron këtë të vërtetë duke urdhëruar: إِنَّا نَحۡنُ نَزَّلۡنَا ٱلذِّكۡرَ وَإِنَّا لَهُۥ لَحَٰفِظُونَ “Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë”.[3]
Kurani Fisnik nuk është produkt njerëzor; ai është fjala e Allahut të Lartësuar. Ai është një libër i lartë, saqë as që bëhet fjalë të sillet diçka e ngjashme me të, madje nuk mund të sillet asgjë e ngjashme as me një sure apo qoftë edhe me një ajet të vetëm të tij. Kurani është udhërrëfyes që forcon lidhjen tonë me Allahun (xh.sh.) dhe rregullon marrëdhëniet tona me shoqërinë që na rrethon.
Të dashur besimtarë!
Njerëzit që kapen pas udhëheqjes së Kuranit Fisnik nuk e humbin rrugën e tyre. Familjet që jetojnë sipas parimeve të tij gjejnë qetësi. Shoqëritë që pajisen me moralin e tij jetojnë në siguri. Kombet që përqafojnë drejtësinë e tij bëhen të fuqishme. Ndërsa ata që nuk i lënë vend Kuranit Fisnik në jetën e tyre, që nuk u binden urdhrave dhe ndalimeve të tij, dhe që i marrin me tallje ajetet e tij, vetëm se e ulin veten e tyre. Paralajmërimi i Zotit tonë të Lartësuar për këtë çështje është mjaft i qartë: ذَٰلِكَ هُدَى ٱللَّهِ يَهۡدِي بِهِۦ مَن يَشَآءُۚ وَمَن يُضۡلِلِ ٱللَّهُ فَمَا لَهُۥ مِنۡ هَادٍ “…Ky Libër është udhëzim i Allahut. Nëpërmjet tij Allahu udhëzon kë të dojë. Ndërsa atë që Allahu e shpie në humbje, s’mund ta udhëzojë kush”.[4]
Besimtarë të nderuar!
Ruajtja e vlerave shpirtërore e kombëtare, mbrojtja e atdheut dhe forcimi i harmonisë e vëllazërisë në shoqërinë tonë, kalon pikërisht përmes jetësimit të këtyre porosive të larta. Këto vlera, ku në krye qëndron Kurani Fisnik dhe Suneti i ndritur, janë ato që kanë formësuar ndër shekuj traditën tonë të pastër, besën, mikpritjen dhe dashurinë ndaj njëri-tjetrit. Prandaj, përpjekja për t’i mësuar këto vlera hyjnore dhe për t’i përcjellë ato te brezat e rinj, është rruga e vetme që garanton mirëqenien, paqen dhe lumturinë e familjeve dhe të mbarë vendit tonë.
Po e përmbyllim hutben tonë me këtë hadith të ndritur të Profetit tonë të dashur (s.a.s.): “Pa dyshim, ky Kuran është një dhuratë dhe nderim i Allahut për ju…”.[5]
[1] Tarik: 13-14.
[2] Isra: 9.
[3] Hixhr: 9.
[4] Zumer: 23.
[5] Darimi: Fadailu’l Kuran, 1.