
Të nderuar besimtarë!
Profeti ynë i dashur (s.a.s.) kishte nënshkruar një marrëveshje paqeje me popullin e Bahreinit dhe kishte dërguar atje një delegat. Pas njëfarë kohe, ai u kthye në Medinë me një sasi të madhe pasurie. Ashabët e nderuar me kureshtje filluan të mblidheshin rreth delegatit dhe pasurisë që ai solli. Në atë moment, i Dërguari i Allahut (s.a.s.), pasi doli nga xhamia dhe e pa këtë gjendje, së pari buzëqeshi e pastaj bëri këtë paralajmërim: “Gëzohuni dhe prisni mirësitë që do t’ju gëzojnë! Për Allahun, unë nuk i frikësohem varfërisë për ju. Por frikësohem se mos mirësitë e kësaj bote do t’ju shtrohen përpara ashtu siç iu shtruan popujve para jush, e ju të josheni pas tyre siç u joshën ata, e kështu kjo t’ju shkatërrojë juve ashtu siç i shkatërroi ata!”.[1]
Besimtarë të nderuar!
Feja Islame, e përfshin tërë jetën tonë. Urdhrat dhe ndalesat e Zotit janë shkak që në këtë botë të ndjekim rrugën e drejtë (sirati mustakim), kurse në ahiret të fitojmë xhenetin. Megjithatë, ndonjëherë, ne zhytemi në punët e kësaj bote dhe i lëmë mënjanë parimet jetëdhënëse të islamit. Largohemi nga udhëheqja dhe shembulli i Profetit tonë, e kështu me kalimin e kohës e humbim ndikimin e Islamit që i jep kuptim jetës sonë. Anojmë nga ajo që është kalimtare, humbim baraspeshën mes kësaj bote dhe ahiretit, e kështu, joshemi pas kësaj bote.
Të dashur besimtarë!
Joshja ndaj botës do të thotë që njeriu ta harrojë Allahun dhe ahiretin, duke u kapur me lakmi të madhe pas kësaj bote. Do të thotë të neglizhojë përgjegjësitë ndaj Krijuesit të tij dhe të orientohet tërësisht kah kjo botë. Do të thotë të largojë nga jeta e vet besimin, vlerat dhe sjelljet fetare, e të jepet pas pasurisë së kësaj bote sikur nuk do të vdesë kurrë. Zoti ynë i Lartësuar, lidhur këtë qëndrim të gabuar të njeriut, urdhëron kështu: بَلْ تُؤْثِرُونَ الْحَيٰوةَ الدُّنْيَا۬ ۖ وَالْاٰخِرَةُ خَيْرٌ وَاَبْقٰىۜ “Por ju po e parapëlqeni jetën e kësaj bote, ndërkohë që Ahireti është më i mirë dhe i përhershëm”.[2]
Besimtarë të dashur!
Allahu (xh.sh.) na ka sjellë në këtë botë për të na sprovuar. Besimtari natyrisht që do të punojë për këtë botë, por pa e neglizhuar ahiretin. Edhe pse qëllimi kryesor është fitimi i botës tjetër, shfrytëzimi i mirësive të kësaj bote në mënyrë hallall, është parim themelor, me kushtin që besimtari të mos bëhet skllav i mundësive që ka arritur, por t’i përdorë ato në përputhje me kënaqësinë e Zotit. Siç urdhëron Allahu në Kuranin Fisnik:
وَابْتَغِ ف۪يمَٓا اٰتٰيكَ اللّٰهُ الدَّارَ الْاٰخِرَةَ وَلَا تَنْسَ نَص۪يبَكَ مِنَ الدُّنْيَا وَاَحْسِنْ كَمَٓا اَحْسَنَ اللّٰهُ اِلَيْكَ وَلَا تَبْغِ الْفَسَادَ فِي الْاَرْضِۜ اِنَّ اللّٰهَ لَا يُحِبُّ الْمُفْسِد۪ينَ
“Dhe përpiqu me sa të ka dhënë All-llahu të fitosh botën tjetër, por mos e harro as pjesën tënde (përgjegjësinë tënde) në këtë botë dhe bëj mirë, si të ka bërë ty mirë All-llahu, e mos bën çrregullime në Tokë, sepse All-llahu nuk i do ata që bëjnë çrregullime”.[3]
Vëllezër të nderuar!
Në krye të dëmeve që na sjell joshja pas dynjasë është konsumi i papërgjegjshëm. Ndërsa në një kënd të botës njerëzit kanë nevojë për një kafshatë bukë, në një kënd tjetër shpërdorimi dhe shkelja e kufijve janë në kulm. Fatkeqësisht, njeriu i sotëm kërkon lumturinë te konsumi. Përmes konsumit të tepërt e të shtrenjtë mendon se do të bëhet i lumtur. Mirëpo, konsumi i tepërt dhe i pabarabartë gërryen vlerat tona njerëzore e morale. Për shkak të konsumit të papërgjegjshëm, shumë njerëz po fundosen në pusin e borxheve dhe të kamatës. Në sa e sa familje përjetohet pasiguria dhe mezi po gjendet rrugëdalje. Ndërkaq, Profeti ynë i dashur (s.a.s.) nga largësia e shekujve e ka paralajmëruar njerëzimin kështu: “Biri i Ademit thotë: ‘Pasuria ime, pasuria ime!’ O biri i Ademit! A ke ti pasuri tjetër përveç asaj që e hëngre dhe e konsumove, asaj që e veshe dhe e vjetërove, dhe asaj që e dhe sadaka për të marrë shpërblimin në ahiret?!”.[4]
Të nderuar besimtarë!
Rruga për ta kthyer shpërdorimin në kursim, lakminë në prudencë, brengën në mbështetje tek Allahu (tevekkul) dhe begatinë në bereqet, është vendosja e ekuilibrit mes kësaj bote dhe ahiretit. Është investimi në të dyja botët në masën që meriton secila. Ndaj, të mos e harrojmë se jeta e kësaj bote kalon sa hap e mbyll sytë. Të përgatitemi për jetën e amshueshme. Në çdo punë e sjellje tonën të jemi larg dukjes dhe të jemi të thjeshtë e modestë.
Po e përmbyll hutben me këtë ajet fisnik të Zotit tonë të Lartësuar:
يَٓا اَيُّهَا النَّاسُ اِنَّ وَعْدَ اللّٰهِ حَقٌّ فَلَا تَغُرَّنَّكُمُ الْحَيٰوةُ الدُّنْيَا۬ وَلَا يَغُرَّنَّكُمْ بِاللّٰهِ الْغَرُورُ
“O ju njerëz! Pa dyshim, premtimi i Allahut është i vërtetë. Ndaj, të mos ju mashtrojë jeta e kësaj bote dhe të mos ju mashtrojë ndaj Allahut ai mashtrues (shejtani)!”.[5]
[1] Buhariu: Megazi, 12; Muslimi: Zuhd, 6.
[2] A’la:16-17.
[3] Kasas: 77.
[4] Muslimi: Zuhd, 3.
[5] Fatir: 5.