Qendra MINBER

Esenca e Moralit Islam Është Turpi

Home » Esenca e Moralit Islam Është Turpi

 

 

            Të nderuar besimtarë!

Feja Islame ka për qëllim orientimin e ndjenjave që gjenden në natyrën e njeriut drejt së mirës, në përputhje me parimet e caktuara nga Allahu i Lartësuar. Ajo garanton parime universale, në mënyrë që njeriu t’u shmanget fjalëve dhe veprave të shëmtuara, t’i braktisë të këqijat e t’i përmbahet mirësisë. Në krye të këtyre parimeve, të cilat e drejtojnë njeriun drejt kënaqësisë së Krijuesit dhe rregullojnë marrëdhëniet e tij në jetën shoqërore, qëndron turpi, i cili mban brenda vetes ndërgjegjen, mëshirën dhe një ndjenjë mbrojtëse.

Turpi është një ndjenjë e natyrshme që i mundëson njeriut të njohë kufijtë e privatësisë e të nderit dhe e drejton atë drejt së mirës. Ky virtyt i lartë që Allahu e do, është stolia e besimit dhe një cilësi bazë e qenies nerëzore. Është mburoja më efikase që i mbron besimtarët nga gjynahet. Ndjenja e turpit i mbush zemrat e besimtarëve me dashuri, respekt e besim, si dhe parandalon teprimet dhe ndërton një shoqëri të paqtë. Profeti ynë i dashur (s.a.s.) në një hadith urdhëron kështu: “Nga fjalët e profetëve të mëparshëm që njerëzit kanë trashëguar brez pas brezi, është edhe kjo: ‘Nëse nuk ke turp, bëj çfarë të duash!”.[1]

            Besimtarë të nderuar!

Në Kuranin Fisnik, Zoti ynë i Lartësuar, duke urdhëruar: وَالَّذ۪ينَ هُمْ لِفُرُوجِهِمْ حَافِظُونَۙ Dhe ata të cilët e ruajnë nderin (moralin) e tyre”,[2] e konsideron jetën e moralshme e të ndershme ndër cilësitë më të çmuara që e çojnë njeriut drejt shpëtimit të përhershëm. Kësisoj, menjëherë pas urdhrit:

قُلْ لِلْمُؤْمِن۪ينَ يَغُضُّوا مِنْ اَبْصَارِهِمْ وَيَحْفَظُوا فُرُوجَهُمْۜ Thuaju besimtarëve të ulin vështrimet e tyre nga e ndaluara dhe të mbrojnë nderin e tyre…,[3] urdhëron: وَقُلْ لِلْمُؤْمِنَاتِ يَغْضُضْنَ مِنْ اَبْصَارِهِنَّ وَيَحْفَظْنَ فُرُوجَهُنَّ “Thuaju edhe besimtareve të ulin vështrimet e tyre nga e ndaluara dhe të mbrojnë nderin e tyre…[4] Të gjithë besimtarët, burra e gra, janë përgjegjës të qëndrojnë larg harameve dhe të jenë të moralshëm e të ndershëm.

Në një mjedis ku shoqëritë kishin humbur vlerat morale e shpirtërore në errësirën e injorancës, Profeti ynë i nxiti njerëzit me këmbëngulje drejt një jete të pastër e të ndershme. Edhe pas profetësisë, duke treguar lidhjen e pazgjidhshme mes besimit dhe turpit, ai tha: “Esenca e moralit islam është turpi”.[5] Siç shprehet i Dërguari i Allahut (s.a.s.): “Turpi sjell vetëm të mira”.[6]

            Të dashur besimtarë!

Feja jonë, nga njëra anë këshillon nderin e turpin, e nga ana tjetër e bën haram zinanë, e cila shkel këto virtyte. Sepse sipas Islamit, zinaja; që do të thotë marrëdhënie jashtëmartesore e pa nikah, është një vepër që feja e llogarit gjynah të madh, mendja e sheh të gabuar dhe morali e konsideron të shëmtuar. Kjo vepër është kundër natyrës njerëzore dhe cënim i dinjitetit e respektit të tij. Zinaja shkakton ndjenjën e zhvlerësimit dhe këput lidhjet e mëshirës e dashurisë. Ajo mbjell farat e mosbesimit, urrejtjes e smirës mes njerëzve, duke tronditur kështu rrënjët e vlerave shpirtërore e morale të shoqërisë.

            Vëllezër të nderuar!

Të gjitha urdhëresat dhe ndalesat e caktuara nga Allahu kanë urtësi të shumta. Urtësia më e rëndësishme e urdhrit për turp të moralshëm dhe e ndalimit të zinasë është mbrojtja e familjes. Sepse marrëdhëniet jashtëmartesore nga njëra anë bëhen shkak për shkatërrimin e institucionit të familjes, e nga ana tjetër kërcënojnë ekzistencën e brezave të pastër.

Të jesh i privuar nga turpi e nderi është një fatkeqësi për njeriun. Është një gjendje e hidhur që e largon personin nga kënaqësia e Zotit, e afron drejt dënimit dhe e çon në humbje të përhershme. Për këtë arsye, Islami nuk ka ndaluar vetëm zinanë, por edhe sjelljet që çojnë drejt saj. Për sa kohë që nuk shmangemi nga hapat kundër moralit, qofshin edhe të vegjël, është e mundur të rrëshqasim drejt haramit. Zoti ynë i Lartësuar na paralajmëron kështu: وَلَا تَقْرَبُوا الزِّنٰىٓ اِنَّهُ كَانَ فَاحِشَةًۜ وَسَٓاءَ سَب۪يلًا “Dhe mos iu afroni zinasë (marrëdhënieve jashtëmartesore), sepse ajo është një vepër e shëmtuar dhe rrugë e keqe….[7]

            Të nderuar besimtarë!

Le t’u përmbahemi me kujdes kufijve që ka vënë feja jonë dhe t’u shmangemi gjynaheve. Të mos i japim hapësirë as gabimit më të vogël që mund të bëhet shkak për shkatërrim morali. Le të vishemi me rrobën e devotshmërisë (takvasë) dhe të stolisemi me turp e nder. Të mos e harrojmë se kjo jetë, kjo pasuri dhe ky trup na janë dhënë si emanet dhe se për këto mirësi do të japim llogari. Të mos mashtrohemi nga ngjyrat mashtruese e epshet kalimtare të kësaj bote. Të mos harrojmë kurrë se besimtari që ndjek rrugën e shpalljes hyjnore dhe përmbush kërkesat e besimit, do të jetë me dinjitet e nder, kurse ata që ndjekin dëshirat e epshet e veta, do të bien në nënçmim.

 

[1] Buhariu: Edeb, 78.

[2] Muminun: 5.

[3] Nur: 30.

[4] Nur: 31.

[5] Ibn Maxheh: Zuht, 17.

[6] Buhariu: Edeb, 77.

[7] Isra: 32.