Qendra MINBER

Kjo Jetë Është e Papërsëritshme

Home » Kjo Jetë Është e Papërsëritshme

        

 

            Të nderuar besimtarë!

Në ajetin fisnik që lexova, Allahu i Lartësuar urdhëron kështu: Njerëzve u është afruar koha e llogarisë së tyre, e ata të hutuar në pakujdesi, nuk përgatiten fare për të”.[1]

Ndërsa në hadithin që përmenda, Profeti ynë i dashur (s.a.s.) urdhëron: “Jeto në këtë botë si të ishe një i huaj apo një udhëtar!”.[2]

            Besimtarë të nderuar!

Jeta është si uji që rrjedh pa u ndalur. Jeta e njeriut, që nis me ezan e përfundon me salah, i ngjason gjethes që në fillim bleron e pastaj zverdhet e bie. Sa ç’është i vërtetë gëzimi i lindjes, po aq është edhe hidhërimi i vdekjes; për të gjitha krijesat është caktuar një afat. Çdo frymëmarrje e jona është një hap më pranë asaj dite të madhe. Ditët, muajt dhe vitet tona po lihen prapa një nga një. Me çdo fletë kalendari që bie, kapitali i jetës sonë po shkon hap pas hapi drejt fundit.

            Të dashur besimtarë!

Në Kuranin Fisnik urdhërohet kështu: ثُمَّ لَتُسْـَٔلُنَّ يَوْمَئِذٍ عَنِ النَّع۪يمِ Pastaj në atë ditë do të pyeteni për të mirat (e Dunjasë).[3]

Po! Jeta që na ka lënë emanet Zoti ynë ka një llogari. Frymëmarrjet tona të numëruara, shëndeti ynë dhe begatitë e kësaj bote do të kenë secila pyetjen e vet. Ka një libër të veprave që do të dokumentojë gjithçka që kemi bërë, një peshore të pakorruptueshme që do të ngrihet dhe dëshmitarë që do të dëshmojnë të vërtetën me saktësi të plotë. Pikërisht atë ditë, si e mira ashtu edhe e keqja, qoftë edhe sa pesha e një grimce, do të marrë shpërblimin apo ndëshkimin e vet. Askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi e secilit do t’i jepet plotësisht ajo që meriton.

            Vëllezër të dashur!

Vazhdimisht lëmë pas momente, minuta, orë e ditë nga jeta jonë. Prandaj është koha që ta thërrasim veten në llogari përpara se të thirremi në llogarinë e madhe; është koha t’i rishikojmë veprat tona përpara se ato të vendosen në peshore. Është koha t’i bindemi paralajmërimit të Zotit: يُنَبَّؤُا الْاِنْسَانُ يَوْمَئِذٍ بِمَا قَدَّمَ وَاَخَّرَۜ “Atë ditë njeriu do të njoftohet për atë që ka bërë, si dhe për atë që ka lënë pas dore”,[4] dhe të bëjmë llogarinë e asaj që kemi lënë pas nesh e asaj që do të bëjmë në të ardhmen. Është koha t’i shtypim frenat e dhënies pas dynjasë, shpërdorimit, egoizmit e dëshirës pa kufi për konsum. Është koha ta drejtojmë rrugën tonë e të gjejmë orientimin e duhur. Është koha të ngremë gjykatën e ndërgjegjes sonë e ta shohim veten në pasqyrën e të vërtetës. Është koha t’i shtojmë jetës sonë vepra të mira që do të na çojnë drejt shpëtimit të përhershëm. Me një fjalë, është koha ta rimendojmë jetën tonë sipas kritereve të Kuranit dhe Sunetit.

            Vëllezër të nderuar!

Kjo botë është një shtëpi sprove dhe jeta nuk përsëritet më. Allahu (xh.sh.) do të na kërkojë llogari për ato që kemi bërë, si dhe për ato që, edhe pse kishim mundësi ti kryenim, i neglizhuam e i braktisëm. Prandaj, pa kaluar koha e pa arritur shpirti në fyt, le të përballemi me veten tonë.

اَلْيَوْمَ نَخْتِمُ عَلٰىٓ اَفْوَاهِهِمْ وَتُكَلِّمُنَآ اَيْد۪يهِمْ وَتَشْهَدُ اَرْجُلُهُمْ بِمَا كَانُوا يَكْسِبُونَ Sot Ne ua mbyllim gojët atyre, Neve na flasin duart e tyre, kurse këmbët e tyre dëshmojnë për atë që punuan”.[5]

Le t’i vëmë veshin këtij paralajmërimi të Zotit e të përgatitemi për ahiretin. Me vetëdijen se Allahu na sheh në çdo moment dhe është me ne vazhdimisht, le të garojmë në mirësi e vepra të dobishme. Le t’i shmangemi çdo lloj harami, të keqeje e shkeljeje të së drejtës së tjetrit (hakut të robit). Le të pendohemi për gabimet e gjynahet tona e, përmes tevbes e kërkimit të faljes (istigfarit), le të strehohemi në mëshirën e gjerë të Rrahmanit. Kurani dhe Suneti, besimi dhe adhurimi, veprat e mira dhe morali i lartë le të jenë drejtuesit e jetës sonë.

Hutben po e përmbyll duke përcjellur kuptimin e këtij ajeti fisnik:

يَٓا اَيُّهَا الَّذ۪ينَ اٰمَنُوا اتَّقُوا اللّٰهَ وَلْتَنْظُرْ نَفْسٌ مَا قَدَّمَتْ لِغَدٍۚ وَاتَّقُوا اللّٰهَۜ اِنَّ اللّٰهَ خَب۪يرٌ بِمَا تَعْمَلُونَ

O ju që besuat, kini parasysh frikën ndaj All-llahut dhe le të shikojë njeriu se çka ka bërë për nesër, dhe kini frikë All-llahun, e s’ka dyshim se All-llahu është që e di në detaje atë që punoni!”.[6]

 

[1] Enbija: 1.

[2] Buhariu: Rikak, 3.

[3] Tekathur: 8.

[4] Kijamet: 13.

[5] Jasin: 65.

[6]