Qendra MINBER

Profeti (a. s.) dhe Morali i Mirë

Home » Profeti (a. s.) dhe Morali i Mirë

         

 

O Krenaria e Gjithësisë, Profeti ynë i nderuar!

Në këtë përvjetor të lindjes tënde fisnike, po përjetojmë qetësinë dhe lumturinë e të qenit nga ata që t’i i përgëzove me fjalët: “Lum ata që më besojnë pa më parë!”.[1] Falenderime dhe lavdërime të pakufishme i shprehim Zotit tonë të Lartësuar, që na nderoi duke na bërë pjesë të ummetit tënd. Salavatet, selamet, përshëndetjet dhe çdo lloj respekti qofshin mbi ty, mbi familjen tënde dhe mbi ashabët e tu!

Të nderuar besimtarë!

Profeti ynë i dashur (s.a.s.) është udhërrëfyesi që u bë model se si jetësohet mesazhi hyjnor, duke fituar lavdërimin e Allahut (xh.sh.): Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!”.[2] Morali i tij nuk përbëhet thjesht nga një shembull anakronik apo një model që pasohet nga larg. Në mesazhet e mëshirës së Tij ka urtësi për të gjithë njerëzimin. Sikurse ka urdhëruar vetë Profeti ynë (s.a.s.): Allahu nuk shikon në pamjet tuaja e as në pasuritë tuaja, por shikon në zemrat tuaja dhe në veprat tuaja”.[3] Gjithashtu ka urdhëruar: Mos u largoni nga e drejta! Sepse e drejta të çon drejt mirësisë, ndërsa mirësia të çon në xhenet… Ruajuni nga gënjeshtra! Sepse gënjeshtra të çon drejt ligësisë, ndërsa ligësia të çon në xhehenem…[4] Ndërsa në një hadith tjetër thotë: Çdo fe ka një moral; morali i vetë Islamit është turpi (turpi moral)”.[5]

Të dashur besimtarë!

I Dërguari i Allahut (s.a.s.) e ka treguar rrugën e lumturisë në të dyja botët me hadithin e tij të ndritur: Në Ditën e Gjykimit, në peshoren e besimtarit nuk do të ketë asgjë më të rëndë se morali i mir.[6] Ai ka theksuar se besimi dhe morali nuk mund të qëndrojnë ndarazi nga njëri-tjetri:Nuk do të hyni në xhenet pa besuar, e nuk keni besuar vërtet (në mënyrë të plotë) derisa të doni njëri-tjetrin!,[7] Ndërsa metodën për sigurimin e qetësisë dhe paqes shoqërore na e ka mësuar përmes paralajmërimit: Mos urreni njëri-tjetrin, mos i kini zili njëri-tjetrit, mos i ktheni shpinën njëri-tjetrit. O robërit e Allahut, bëhuni vëllezër!”.[8]

            Besimtarë të nderuar!

Në familje, në arsim, në punë e tregti, me një fjalë në çdo fushë të jetës, të gjitha virtytet që e çojnë njerëzimin drejt mirësisë na i ka mësuar i Dërguari Fisnik (s.a.s.). Ajeti Kuranor na e rikujton këtë të vërtetë: لَقَدْ كَانَ لَكُمْ ف۪ي رَسُولِ اللّٰهِ اُسْوَةٌ حَسَنَةٌ لِمَنْ كَانَ يَرْجُوا اللّٰهَ وَالْاٰخِرَ وَذَكَرَ اللّٰهَ كَث۪يراًۜ“ Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën jetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun.”.[9] Ai na urdhëron t’ia japim punëtorit hakun e tij pa iu tharë djersa,[10] si dhe na ndalon të flemë të ngopur kur fqinji ynë është i uritur.[11] Po ashtu, përmes pyetjeve të tilla si: “A ia ledhatove kokën ndonjë jetimi? A ushqyet ndonjë nevojtar? A vizituat ndonjë të sëmurë?”, ai na rikujton përgjegjësitë tona morale.

Besimtarë të dashur!

Sot, mendësia që i jep përparësi materiales duke lënë mënjanë shpirtëroren, që vendos si synim të vetëm dukjen, e që preferon të përkohshmen ndaj të përhershmes e gënjeshtrën ndaj të vërtetës, po na ndikon thellësisht të gjithëve. Në një mjedis të tillë, tashmë, duhet të përballemi me veten tonë. Duhet ta pasqyrojmë në jetën tonë moralin profetik që i Dërguari ynë (s.a.s.) e përfaqësoi me fytyrën e tij të qeshur, natyrën e tij të urtë dhe shpirtin e tij të imët e të ndjeshëm. Të mos harrojmë se rruga për të jetuar një jetë dinjitoze që i ka hije njeriut, kalon nga njohja e moralit universal të Profetit tonë të dashur (s.a.s.) dhe nga lidhja e fortë pas tij.

Lutja jonë drejtuar Zotit tonë të Lartësuar është kjo lutje e Profetit të Nderuar (s.a.s.): “O Allahu im! Më udhëzo drejt moralit të lartë, sepse askush përveç Teje nuk mund të udhëzojë drejt moralit më të mirë. Më largo nga morali i keq, sepse askush përveç Teje nuk mund ta largojë atë prej meje!”.[12]

[1] Ibn Hanbel: III, 155.

[2] Kalem: 4.

[3] Muslimi: 34.

[4] Muslimi: 105.

[5] Ibn Maxheh: Zuht, 17.

[6] Tirmidhiu: Birr, 62.

[7] Muslimi: Iman, 93.

[8] Buhariu: Edeb, 62.

[9] Ahzab: 21.

[10] Ibn Maxheh: Ruhun, 4.

[11] Ibn Ebi Shejbe: Musannef, Iman ve ru’ja, 6.

[12] Muslimi: Musafirin, 201.