Qendra MINBER

Prindërit: Çelësi i Xhenetit

Home » Prindërit: Çelësi i Xhenetit

            Të nderuar besimtarë!

Në Medine pati ardhur një djalosh. Së jashtmi, dukej se kishte bërë një rrugë të gjatë e të mundimshme. Sapo mbërriti, menjëherë u drejtua te i Dërguari i Allahut (xh.sh.) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, erdha tek ti duke i lënë prindërit e mi në lot!” Pasi dëgjoi këto fjalë, Pejgamberi ynë i dashur (s.a.s.) i tha: “Kthehu prapë te prindërit e tu dhe, ashtu siç i bëre të qajnë, bëji të gëzohen e të qeshin!”.[1]

            Të dashur besimtarë!

Prindërit janë njerëzit më meritorë për t’u bërë mirësi e bamirësi. Sepse ata janë shkaku i ardhjes sonë në këtë botë. Herë me lot e me lutje, e herë me dritën e syve e me djersën e ballit, ata na sollën deri në këtë ditë. Me përkujdesjen dhe mbështetjen e tyre u mbajtëm pas jetës. Dashurinë, dhembshurinë e mëshirën për herë të parë i përjetuam te ata. Kulmin e durimit dhe të sakrificës e mësuam prej tyre. Në çfarëdo moshe që të jemi, streha dhe mbështetja jonë më e madhe në udhëtimin e jetës, kanë qenë përherë prindërit tanë.

            Besimtarë të nderuar!

Të sjellurit me mirësi ndaj prindërve është urdhër i fesë sonë. Islami këshillon ruajtjen e të drejtave të prindërve dhe gëzimin e zemrave të tyre. Veçanërisht kur ata arrijnë pleqërinë, të jemi pranë tyre e t’u përgjigjemi nevojave të tyre, me dashuri e mëshirë, është një borxh mirënjohjeje e besnikërie. Ndërsa, lënia pas dore dhe lëndimi i tyre është i ndaluar. Në të vërtetë, në ajetin kuranor që lexova në fillim të hutbes, Zoti i Madhëruar thotë: “Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!”.[2]

            Të dashur besimtarë!

Fisniku i Krijesave, Pejgamberi (s.a.s.), thotë kështu: رِضَا الرَّبِّ فِى رِضَا الْوَالِدِ وَسَخَطُ الرَّبِّ فِى سَخَطِ الْوَالِدِ “Kënaqësia e Zotit është në kënaqësinë e prindit, dhe zemërimi i Zotit është në zemërimin e prindit”.[3]

Pra, le t’ia parashtrojmë vetes këto pyetje: A e shohim bamirësinë ndaj prindërve si një detyrim të adhurimit ndaj Zotit tonë? A përpiqemi të fitojmë pëlqimin e tyre dhe t’u sjellim buzëqeshje në fytyrë? A u hapim vend atyre në zemrat dhe në shtëpitë tona? A ua bëjmë të mundshme prindërve tanë të ndiejnë ngrohtësinë dhe qetësinë e të qenit familje? A tregojmë përkushtim për të qenë pranë tyre, e kur jemi larg, për t’i pyetur për shëndetin e për t’ua plotësuar nevojat? Apo fshihemi pas arsyetimeve të ndryshme duke i privuar ata nga vëmendja dhe dashuria jonë?

            Të nderuar besimtarë!

Le t’u përmbahemi me përpikmëri të drejtave të nënës e të babait. Le të përpiqemi me mish e me shpirt për t’u bërë qejfin e për të marrë lutjet e tyre të mira. Fitimin e kënaqësisë së prindërve, ta shohim si lumturinë më të madhe në këtë botë, dhe si rrethanë shpëtimi në ahiret. Të mos u kursejmë kurrë prindërve tanë mirësinë e bujarinë, fjalën e ëmbël e fytyrën e qeshur, respektin e mirëkuptimin. Prindërit tanë që kanë kaluar në jetën e amshuar të mos i lëmë pa lutje e pa Fatiha. Le të bëhemi prej atyre fëmijëve të devotshëm, të cilët nuk e lenë të mbyllet libri i veprave të mira të prindërve të tyre.

Hutben po e përfundoj me këtë hadith të Pejgamberit (s.a.s.): “Prindi është një nga dyert më të larta që shpie në xhenet. Përdorimi ose humbja e kësaj mundësie, pra, për të hyrë nga kjo derë, varet tërësisht nga ti!”.[4]

 

[1] Ebu Davudi: Xhihad, 31.

[2] Isra: 23-24.

[3] Tirmidhiu: Bir’r, 3.

[4] Tirmidhiu: Bir’r, 3.