Qendra MINBER

Gruaja dhe Burri: Krijesa të nderuara dhe me dinjitet

Home » Gruaja dhe Burri: Krijesa të nderuara dhe me dinjitet

            Të nderuar besimtarë!

Në ajetin fisnik që lexova, Allahu (xh.sh) urdhëron kështu: يَٓا اَيُّهَا النَّاسُ اِنَّا خَلَقْنَاكُمْ مِنْ ذَكَرٍ وَاُنْثٰى “O ju njerëz! Vërtet, Ne ju krijuam nga një mashkull dhe një femër…”.[1]

Ndërsa në hadithin që përmenda, Profeti ynë i dashur (s.a.s.) urdhëron: “Më i miri prej jush është ai që sillet më së miri me familjen e tij…”.[2]

            Besimtarë të nderuar!

Familja është institucioni më i rëndësishëm që mbron nderin dhe dinjitetin e gruas e të burrit, si dhe siguron jetesën e tyre brenda kufijve të hallallit. Familja është një nga mirësitë më të mëdha që Zoti (xh.sh.) u ka dhuruar robërve të Tij, e cila i jep qetësi shpirtit dhe gëzim zemrës. Familja është një kështjellë e fortë dhe një strehë e sigurt që siguron vazhdimësinë dhe mbrojtjen e racës njerëzore.

Familja ngrihet përmes një akti të ligjshëm (nikahu) të realizuar mes gruas dhe burrit në prani të dëshmitarëve. Kur krijon vatrën familjare, gruaja bëhet nënë; e kur bëhet nënë, xheneti shtrohet nën këmbët e saj. Nëna është emri i mëshirës, dhembshurisë dhe sakrificës. Është burim i dashurisë dhe ngrohtësisë. Burri, kur ngre vatrën familjare, bëhet baba. Baba do të thotë drejtësi, qetësi dhe siguri. Ai është shtylla e familjes dhe mbështetja e saj e patundur. Nëna dhe babai janë shkaku i ekzistencës së njeriut.

 

            Të dashur besimtarë!

Sipas Islamit, bashkëjetesat pa kurorë (jashtëmartesore) janë zina. Zinaja është një nga gjynahet më të mëdha që feja islame e ka bërë haram. Mjerisht, sa e sa njerëz humbasin e dëmtohen për shkak të zinasë! Sa e sa vatra familjare shkatërrohen për shkak të saj! Sa e sa shpresa e ëndrra shuhen për shkak të zinasë! Siç urdhëron Zoti ynë i Lartësuar në Kuranin Fisnik:

وَلَا تَقْرَبُوا الزِّنٰٓى اِنَّهُ كَانَ فَاحِشَةًۜ وَسَٓاءَ سَب۪يلاً

“Dhe mos iu afroni zinasë! Sepse ajo është një punë e shëmtuar dhe një rrugë shumë e keqe”.[3]

Sa e hidhur është që struktura e familjes, e cila përbën gurin e themelit të shoqërisë, çdo ditë e më shumë po i ekspozohet ndikimeve shkatërruese që bien ndesh me natyrën njerëzore (fitren). Bashkëjetesat pa kurorë po nxiten e po nxirren në pah. Përmbajtjet e papërshtatshme në rrjetet sociale, si dhe disa seriale e programe televizive, po kërcënojnë strukturën familjare. Në një kohë të tillë, ajo që na takon neve është të marrim më shumë përgjegjësi për të vendosur qetësinë dhe sigurinë brenda familjes.

            Të nderuar myslimanë!

Një nga qëllimet e dërgimit të fesë sonë të lartë, Islamit, është edhe ndërtimi i një strukture familjare të fortë, të mbështetur në dashuri, respekt, besnikëri dhe besim. Në këtë kuadër, Islami i ngarkon çdo anëtari të familjes përgjegjësi të veçanta.

Përgjegjësia e bashkëshortëve ndaj njëri-tjetrit është që të mos e shndërrojnë martesën në një garë ose rivalitet, por ta shohin njëri-tjetrin si amanet nga Allahu (xh.sh.). Është mbështetja e njëri-tjetrit, si në bollëk ashtu edhe në vështirësi, si në gëzim ashtu edhe në pikëllim. Përgjegjësia e prindërve është t’u mësojnë fëmijëve të tyre vlerat shpirtërore e kombëtare. Është t’u kushtojnë kohë, t’u shfaqin dashurinë, t’u ofrojnë një mjedis familjar të sigurt e të qetë dhe t’u përgatisin një të ardhme të mirë. Ndërsa, përgjegjësia e fëmijëve është respektimi i të drejtës së prindërve. Është t’u flasin atyre me fjalë të bukura e t’u sillen me mëshirë. Të mos u thonë atyre as “uf!”, si dhe të marrin lutjet e tyre të mira.

 

            Besimtarë të dashur!

Zoti ynë i Lartësuar e ka krijuar femrën si femër dhe mashkullin si mashkull. Gruaja si grua, dhe burri si burrë, janë qenie me dinjitet që meritojnë çdo lloj respekti. Të gjitha mendësitë e devijuara që synojnë të prishin natyrën e pastër të njeriut (fitren), ndërhyjnë në krijimin e njeriut duke e mohuar vullnetin hyjnor. Sjelljet që synojnë shkatërrimin e fitras, nuk mund të ligjërohen duke u fshehur pas diskurseve të lirisë. Perceptimet dhe zgjedhjet e gabuara që nuk përputhen me optikën e fesë sonë ndaj gruas dhe burrit, e dëmtojnë strukturën e familjes, e shkatërrojnë brezin njerëzor dhe e çojnë shoqërinë drejt katastrofës.

            Të nderuar besimtarë!

Kur struktura jonë familjare goditet, është e pamundur të vazhdojmë ekzistencën tonë si popull. Ashtu si dje, edhe sot, e vetmja strehë që do të na mbajë të fortë dhe do të na mbrojë nga çdo lloj rryme e dëmshme, është familja. Prandaj, le ta dimë vlerën e familjes sonë, e cila është xheneti ynë në këtë botë. Le të tregohemi të zgjuar e vigjilentë përballë çdo rryme të dëmshme që kërcënon familjen tonë. Ashtu si në çdo fushë, le t’u përmbahemi me sinqeritet parimeve që urdhëron Islami edhe në jetën familjare. Le të bëjmë më shumë përpjekje për të bërë mbizotëruese në familjen tonë mirësjelljen dhe elegancën, dhembshurinë dhe dashurinë, turpin dhe moralin.

Hutben po e përmbyll me këtë lutje që gjendet në Kuranin Fisnik:

رَبَّنَا هَبْ لَنَا مِنْ اَزْوَاجِنَا وَذُرِّيَّاتِنَا قُرَّةَ اَعْيُنٍ وَاجْعَلْنَا لِلْمُتَّق۪ينَ اِمَاماً “O Zoti ynë! Na dhuro nga bashkëshortët tanë dhe fëmijët tanë gëzim për sytë tanë dhe na bëj prijës për të devotshmit!”.[4]

 

[1] Huxhurat: 13.

[2] Tirmidhiu: Menakib, 63.

[3] Isra: 32.

[4] Furkan: 74.