Qendra MINBER

Një Ndjeshmëri Besimtari: Urdhërimi për mirë e ndalimi nga e keqja

Home » Një Ndjeshmëri Besimtari: Urdhërimi për mirë e ndalimi nga e keqja

Të nderuar besimtarë!

Si në krijimin e gjithësisë ashtu edhe në marrëdhëniet e kësaj bote, primare është mirësia. Qëllimi për të cilin është shpallur feja jonë, është mbizotërimi i mirësisë në tokë dhe zhdukja e së keqes.

Myslimani duhet të jetë njeri i mirë, rob i mirë dhe individ me virtyte. Në të njëjtën kohë, ai është përgjegjës që mirësinë që bart në vete t’a reflektojë në shoqëri, dhe, sakaq, të përpiqet për të luftuar të keqen. Emri i kësaj përgjegjësie në Kuranin Famëlartë është “emru bi’l-maruf nehj-i ani’l-munker”, domethënë urdhërimi për mirësi dhe ndalimi nga e keqja.

Allahu (xh.sh.) e përshkruan kështu ummetin islam, një ummet i përbërë nga individë me besim, ndërgjegje e ndjeshmëri:

كُنْتُمْ خَيْرَ اُمَّةٍ اُخْرِجَتْ لِلنَّاسِ تَأْمُرُونَ بِالْمَعْرُوفِ وَتَنْهَوْنَ عَنِ الْمُنْكَرِ وَتُؤْمِنُونَ بِاللّٰهِ

“Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun”.[1]

Besimtarë të dashur!

Besimi dhe mirësia janë dy gjëra të pandashme nga njëra-tjetra. Sipas shprehjes së Profetit (s.a.s.), “Mirësia është morali i lartë”.[2] Prandaj, gjithçka që lidhet me moralin e lartë në jetë; si drejtësia, mëshira, respekti, sinqeriteti, besnikëria dhe toleranca, secila është një mirësi më vete. Kurse besimtari është përfaqësuesi i mirësisë. Nga njëra anë e jetëson mirësinë me sjelljet e tij, ndërsa nga ana tjetër me një gjuhë plot urtësi, me këshillë të bukur e me dijen e saktë e fton rrethin e tij drejt mirësisë. Duke iu bindur këshillës së Profetit (s.a.s.), ai e lehtëson jetën e nuk e vështirëson atë; u jep përgëzime njerëzve e nuk i largon ata me urrejtje.[3]

Besimtari ushqen mendim të mirë; ai e di se të menduarit mirë dhe deklarimi i së mirës është kërkesë e besimit. Ai ushqen qëllime të mira ndaj njerëzve dhe sillet me dhembshuri. Në çdo fushë të jetës, ai qëndron në krah të pastërtisë, sinqeritetit e drejtësisë.

Besimtari bën çmos me të gjitha fuqitë e tij që t’u japë fund të këqijave. Ai nuk i mbyll sytë para së keqes, nuk e ndyn gjuhën me gënjeshtra e shpifje, as mendjen me dyshime të këqija. Ai nuk shkon pas fjalëve të pabazuara që i hedhin dru zjarrit të fitnes e thashethemeve. Sepse ai e di se nderi dhe dinjiteti i njerëzve janë amanet. Kurse tradhtia ndaj amanetit është një prej llojeve të së keqes.

Të nderuar besimtarë!

Profeti ynë i dashur (s.a.s.) në një hadith urdhëron kështu: “Kushdo prej jush që sheh një të keqe, le ta ndryshojë atë me dorën e tij. Nëse nuk ka fuqi ta bëjë këtë, le ta ndryshojë me gjuhën e tij. E nëse as për këtë nuk ka fuqi, atëherë le ta urrejë me zemrën e tij. E kjo është shkalla më e ulët e besimit”.[4]

Prandaj, sipas dijes, përvojës, fuqisë dhe mundësive tona, le të këshillojmë gjithmonë mirësinë e le t’u bëhemi pengesë të këqijave. Të mos harrojmë se kjo është një detyrë fetare dhe një obligim njerëzor për secilin prej nesh. Le të besojmë me zemër se çdo hap që hedhim për përhapjen e mirësisë dhe parandalimin e së keqes do të ketë shpërblimin e vet.

 

[1] Ali Imran: 110.

[2] Muslimi: Bir’r ue Sila, 14.

[3] Buhariu: Xhihad, 164.

[4] Muslimi: Iman, 168.