
Të nderuar besimtarë!
Në ajetin që lexova, Allahu (xh. sh.) thotë: “Kush vjen me një (punë) të mirë, ai (në ditën e gjykimit) shpërblehet dhjetëfish, e kush vjen me (vepër) të keqe, ai ndëshkohet vetëm për të. Atyre nuk u bëhet e padrejtë”.[1]
Ndërsa në hadithin e përmendur, Pejgamberi (a.s.) thotë: “Mirësia është morali i lartë. Kurse e keqja është ajo që të vret në ndërgjegje e që nuk dëshiron të ta dinë njerëzit”.[2]
Besimtarë të dashur!
Jeta e kësaj bote është një udhëtim mirësie. Secili prej nesh – në këtë botë – po jep sprovën e mirësisë së vet dhe po kalon provimin e të qenit njeri. Besimi, kryerja e punëve të dobishme dhe përhapja e mirësisë është detyra jonë më e lartë. Shmangia nga punët e këqija, të shëmtuara e të dëmshme, si dhe pengimi i tyre, është obligimi ynë më bazik.
Mirësia është qëllimi kryesor i ekzistencës. Ajo është tërësia e vlerave që e bëjnë njeriun njeri. Është fruti më i ëmbël i një qëndrimi prej besimtari dhe i një jete myslimane. Mirësia është zbardhje fytyre, në atë ditë kur disa fytyra do të zbardhen e disa të tjera do të nxihen.
Besimtarë të nderuar!
Ekzistojnë rrugë të panumërta mirësie që do të na çojnë drejt qetësisë e lumturisë në të dyja botët dhe që do të na bëjnë të fitojmë kënaqësinë e Zotit tonë.
Mirësia është të besosh Allahun, Ditën e Gjykimit, engjëjt, librat dhe profetët. Është të shpenzosh nga pasuria e fituar për të afërmit, jetimët, të varfërit, udhëtarët e mbetur rrugëve dhe nevojtarët. Është të falësh namazin, të japësh zeqatin dhe t’i qëndrosh besnik fjalës së dhënë. Është të ndihmosh në vështirësi, sëmundje e kohë të vështira, si dhe të falënderosh duke ndarë me të tjerët në bollëk e shëndet.[3]
Mirësia është të bëhesh një rob i sinqertë, një fëmijë respektues, një prind i dhembshur e një bashkëshort besnik. Është të ndash gëzimet e hidhërimet e të afërmve dhe të fqinjëve. Mirësia është të prekësh zemrën e të shtypurit, të vetmuarit, të sëmurit dhe të moshuarit.
Të dashur besimtarë!
Mirësia është të jesh me fytyrë të qeshur e fjalë të ëmbël. Është të jesh falës, tolerant dhe i drejtë ndaj njerëzve. Është të vishesh me dhembshuri e mëshirë, me sinqeritet e përkushtim, me turp e moral, me durim e besnikëri; me një fjalë, me moralin më të mirë.
Prandaj, pa humbur kohë, t’i japim kuptim jetës sonë përmes mirësisë. Të mbledhim zemra të fituara me mirësi, dhe lutje të fituara me dashuri. Dora jonë le t’i zgjatet me dhembshuri çdo nevojtari. Zemra jonë le të prekë me dashuri zemrën e çdo të vetmuari. Sytë tanë le të takojnë me mëshirë sytë e cilitdo që i është zbehur shpresa. Të mos harrojmë se e keqja nuk pengohet duke u ankuar prej saj, por duke qëndruar me vendosmëri përballë saj dhe duke përhapur mirësinë. Sepse mirësia nuk është diçka që vetëm flitet, shkruhet apo lexohet; kryesorja është ta jetësosh dhe ta veprosh.
Në përfundim të kësaj hutbeje, po ndaj me ju ajetin fisnik ku Allahu i Lartmadhëruar urdhëron:
۞إِنَّ ٱللَّهَ يَأۡمُرُ بِٱلۡعَدۡلِ وَٱلۡإِحۡسَٰنِ وَإِيتَآيِٕ ذِي ٱلۡقُرۡبَىٰ وَيَنۡهَىٰ عَنِ ٱلۡفَحۡشَآءِ وَٱلۡمُنكَرِ وَٱلۡبَغۡيِۚ يَعِظُكُمۡ لَعَلَّكُمۡ تَذَكَّرُونَ
“Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim”.[4]
[1] En’am: 160.
[2] Muslimi: Bir’r, 15.
[3] Bakara: 177.
[4] Nahl: 60.