
Të nderuar besimtarë!
Në ajetin kuranor që lexova, Zoti ynë i Lartësuar thotë: “Ta dini se pasuria dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë dhe se vetëm tek Allahu është shpërblimi i madh”.[1]
Ndërsa në hadithin që lexova, Pejgamberi ynë (s.a.s.) thotë: “Fëmija yt ka të drejtë mbi ty”.[2]
Fëmijët tanë janë një amanet i çmuar që Allahu (xh.sh.) na ka falur. Ata janë gëzimi i jetës, begatia e vatrave, shpresa e familjes e garancia e së ardhmes sonë. Për këtë arsye, rritja e fëmijëve në një mjedis të shëndetshëm familjar, me dashuri e me moral të lartë, është detyra jonë parësore. Mbrojtja e tyre nga çdo lloj neglizhence dhe shfrytëzimi, është përgjegjësia jonë fetare, morale, ligjore e njerëzore.
Besimtarë të dashur!
Sot, për fat të keq, po jetojmë në një kohë ku përballemi me lajme që na trondisin thellësisht ndërgjegjen lidhur me fëmijët tanë. Sa e dhimbshme është që çmimin e degjenerimit, të humbjes së moralit e të ligjit, si dhe të pamëshirshmërisë, më së shumti e paguajnë fëmijët! Në njërën anë me luftërat e tragjeditë që përjetohen, me kampet e refugjatëve e me varfërinë, e në anën tjetër me lënien pas dore, shfrytëzimin e sjelljet jonjerëzore, viktimat më të mëdha po bëhen fëmijët.
Të nderuar besimtarë!
Shfrytëzimi i mundit, i trupit e i së ardhmes së fëmijëve është dëshmi e falimentimit të njerëzimit. Kudo, si, kurdo qoftë e nga kushdo që të bëhet, lënia pas dore dhe shfrytëzimi i fëmijëve është një veprim jonjerëzor që nuk përkon me arsyen, ndërgjegjen e moralin. Asnjë fjalë e asnjë sjellje që bën viktimë fëmijën e që i errëson të ardhmen atij, nuk mund të ketë arsyetim e as ligjshmëri. Të errësosh jetën e një fëmije është krimi më i madh që mund të bëhet kundër njerëzimit e ndërgjegjes. Është një faj i rëndë për të cilin nuk mund të jepet llogari as para Allahut (xh.sh.) e as para njerëzimit.
Të dashur besimtarë!
Sipas Islamit, femra dhe mashkulli nuk mund të martohen pa arritur pjekurinë emocionale, fizike, shpirtërore e mendore, si dhe pa arritur moshën e pjekurisë ligjore ku perceptohen kuptimi e përgjegjësia e krijimit të familjes. Sepse për martesë nuk mjafton vetëm të jesh në moshën e pubertetit. Puberteti është një proces biologjik, ndërsa martesa kërkon pjekurinë e plotë (moshën madhore). Ndaj edhe në vendin tonë kufiri minimal i moshës së martesës është caktuar me ligj në tetëmbëdhjetë vjeç. Respektimi i kufijve të moshës së martesës nga të gjithë, e në radhë të parë nga prindërit, është si një nevojë nga pikëpamja fetare, ashtu edhe kushti bazë për të siguruar qetësi e lumturi të qëndrueshme në familje.
Besimtarë të nderuar!
Fëmijët tanë, që janë amanet i Allahut (xh.sh.), janë peshorja më sensitive e njerëzores dhe e shoqërisë sa i përket ndërgjegjes e mëshirës. Për këtë arsye, le të bëhemi të vetëdijshëm për përgjegjësitë tona ndaj fëmijëve tanë që janë shpresa e së nesërmes. Le t’i kushtojmë kujdes arsimimit të tyre, zhvillimit psikologjik, shoqëror e kulturor, si dhe edukimit të tyre fetar e moral. Le të luftojmë të gjithë së bashku kundër çdo lloj lënie pas dore e shfrytëzimi ndaj fëmijëve. Le të tregohemi vigjilentë edhe ndaj atyre që përpiqen të lidhin një çështje kaq delikate si shfrytëzimi i fëmijëve me mesazhe të nënvetëdijshme me Islamin e me muslimanët. Të mos harrojmë se njerëzimi nuk do të arrijë kurrë te e mira e mirësia pa siguruar qetësinë e sigurinë e fëmijëve.
Hutben po e përfundoj me këtë lutje që na është mësuar në Kur’anin Famëlartë:
رَبَّـنَا هَبْ لَنَا مِنْ اَزْوَاجِنَا وَذُرِّيَّاتِنَا قُرَّةَ اَعْيُنٍ وَاجْعَلْنَا لِلْمُتَّق۪ينَ اِمَاماً
“…O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!”.[3]
[1] Enfal: 28.
[2] Muslimi: Sijam, 183.
[3] Furkan: 74.