
Të nderuar besimtarë!
Banorët e Medinës i kërkuan të Dërguarit të Allahut (s.a.s.) që t’u dërgonte një person për t’u mësuar fenë islame. Pejgamberi ynë i dashur (s.a.s.) zgjodhi Musab bin Umejrin për këtë detyrë të lartë. Musabi (r.a.) ua kumtoi Islamin të gjithëve, pa bërë dallim mes të vegjëlve dhe të rriturve, dhe u bë shkak që zemra të panumërta të takoheshin me dritën e Islamit.[1] Aq sa, brenda një viti, nuk mbeti asnjë shtëpi në Medine ku të mos flitej për të Dërguarin tonë (s.a.s.).[2]
Besimtarë të Nderuar!
Ajo që e bëri Musabin e ri kaq të suksesshëm në një kohë kaq të shkurtër, ishte fakti se ai mori për udhërrëfyes moralin e lartë të Profetit (a.s.). Pejgamberi ynë (s.a.s.) ishte i butë në fjalë dhe i buzëqeshur në fytyrë. Ai ishte profet i mëshirës, i cili lehtësonte e nuk vështirësonte, përgëzonte e nuk largonte (nëpërmjet urrejtjes).
Të dashur besimtarë!
Allahu (xh.sh.) përmes ajetit: “Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) në mënyrën më të mirë.…”[3] tregon se thirrja në Islam nuk është e kufizuar vetëm te një pjesë e shoqërisë. Shpjegimi i bukurive të Islamit dhe bërja e tyre e dukshme është një përgjegjësi, madje, një adhurim për secilin prej nesh. Çdo musliman, aq sa ka mundësi dhe aftësi, duhet t’i japë shembullin më të bukur familjes, rrethit dhe mbarë njerëzimit me fjalët dhe veprimet e tij, si dhe duhet të përpiqet t’u shpjegojë atyre të vërtetën dhe drejtësinë. Vërtet, çdo nënë e babë që dëshiron lumturinë e dy botëve për fëmijën e vet, çdo mësues që përpiqet të lërë gjurmë pozitive në jetën e nxënësve të tij, çdo tregtar që u jep besim klientëve të vet, çdo njeri që ruan lidhjet e farefisit dhe sillet mirë me fqinjin e tij, e ka përqafuar thirrjen profetike.
Besimtarë të Dashur!
Thelbi i kumtimit është depërtimi në zemër. Kjo ndonjëherë bëhet me një buzëqeshje e ndonjëherë me një selam. Kushdo që dëshiron t’i ndikoj zemrat me fytyrë të qeshur dhe fjalë të ëmbël, duhet ta dijë, si një këshillë të drejtuar atij vetë, atë që Pejgamberi ynë (s.a.s.) ia tha Aliut (r.a.): “Pasha Allahun (xh.sh.), që Zoti ynë të udhëzojë qoftë edhe një njeri të vetëm përmes teje, kjo është më e mirë për ty se sa kjo botë dhe gjithçka që gjendet në të”.[4]
Vëllezërit e mi!
Zhvillimi i teknologjisë po i hap rrugë të reja metodës sonë të kumtimit. Këto rrugë na ofrojnë mundësinë e komunikimit me njerëz në gjeografi të ndryshme, ku nuk kemi shkuar kurrë më parë. Megjithatë, çështjet të cilave duhet t’u kushtojmë vëmendje po shtohen gjithashtu. Prandaj, secili nga vëllezërit tanë që bën postime në rrjetet sociale duhet të marrë parasysh paralajmërimin e Krijuesit tonë: “Dhe se kur dy engjëjt qëndrojnë pranë tij në të djathtë dhe në të majtë. Që ai nuk hedh ndonjë fjalë e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm”.[5] Para se të shpërndajë një fjalë, ai duhet t’i kushtojë vëmendje vërtetësisë së saj, kurse para se të bëjë një koment mbi jetën e dikujt tjetër, duhet të respektojë privatësinë e tij. Çështjet që duhet të diskutohen në kuvendet e dijes, nuk duhet të hidhen e të diskutohen kuturu dhe pa maturi në rrjetet sociale. Nuk duhet harruar se një fjalë e thënë pa u menduar dhe një postim i bërë pa u kujdesur mund të shndërrohet në një plagë që do të mbahet në mendje ndër vite.
Besimtarë të Nderuar!
Le të jetë e tillë gjendja jonë, saqë, kushdo që na sheh, të dëshirojë të njihet me bukuritë e Islamit. Kushdo që dëgjon fjalën tonë, le të përqafojë moralin e Pejgamberit tonë (s.a.s.), dhe kushdo të cilit i shtrijmë dorën, le të ndihet i sigurt.
Hutben po e mbyllim me këto fjalë të të Dërguarit të Mëshirës, Pejgamberit tonë (s.a.s.): “Allahu (xh.sh.) e ndriçoftë fytyrën e atij njeriu i cili dëgjon një fjalë nga ne dhe ia përcjell atë dikujt tjetër pikërisht ashtu siç e ka dëgjuar”.[6]
[1] Ibn Sa’d: Et-Tabakatu’l-Kubra, vëll. I, fq. 219, 220.
[2] Ibn Hisham: Es-Siretu’n-Nebevijje, vëll. II, fq. 278.
[3] Nahl: 125.
[4] Buhariu: Xhihad, 143; Hakim: El-Mustedrek, vëll. III, fq. 598; Ibnul-Mubarek: Ez-Zuhd, vëll. I, fq. 484.
[5] Kaf: 18.
[6] Darimi: Mukaddime, 24.