
Të nderuar besimtarë!
Feja Islame, pa bërë asnjë dallim feje, gjuhe, rrace apo gjinie, i konsideron të gjitha të drejtat e njerëzve të shenjta dhe të paprekshme. Islami urdhëron të jemi të drejtë në çdo fushë e në çdo rrethanë, të lartësojmë të drejtën dhe të tregojmë kujdes maksimal ndaj kufijve të hallallit e haramit. Ai na udhëzon t’i përmbahemi të drejtës së robit e të drejtës publike, si dhe të qëndrojmë kundër padrejtësisë e zullumit.
Besimtarë të nderuar!
Në krye të përgjegjësive që përfshihen në jetën tonë, është e drejta e robit. T’i përmbahesh të drejtës së robit është kërkesë e besimit tonë ndaj Allahut (xh.sh.).
Myslimani është plotësisht i ndjeshëm për sa i përket të drejtës dhe hakut të robit. Ai është i vetëdijshëm se cënimi i jetës së njerëzve, prekja e nderit, e dinjitetit dhe e autoritetit të tyre është shkelje e të drejtës së robit.
Myslimani, si në jetën reale ashtu edhe në hapësirën digjitale, nuk bën përgojim, nuk bart fjalë, nuk bën thashetheme, nuk gënjen dhe nuk shpif. Ai i ruhet çdo fjale e sjelljeje që lëndon dinjitetin njerëzor apo shkatërron familje. Ai nuk flet për çështje për të cilat nuk ka dituri të sigurt.
Ndjeshmëria ndaj së drejtës është cilësia më bazike e myslimanit. Ai e ruan të drejtën e prindërve. U sillet me mirësi bashkëshortes dhe fëmijëve të tij. I përmbahet me përpikmëri të drejtave të të afërmve dhe të fqinjëve.
Të dashur besimtarë!
I Dërguari i Allahut (s.a.s.) në një hadith urdhëron: مَنْ غَشَّنَا فَلَيْسَ مِنَّا “Kush na mashtron, nuk është prej nesh!”.[1]
Një besimtar që merr si shembull Profetin tonë (s.a.s.), nuk e ngre tregtinë e tij mbi mashtrimin. Ai tregohet i sinqertë si gjatë blerjes, ashtu edhe gjatë shitjes. Nuk e pakëson peshën dhe matjen. Nuk e përzien fitimin e tij me haram duke shfrytëzuar rrethanat. Ai as nuk ia vë syrin pasurisë së tjetrit, as nuk u merr pasurinë njerëzve përmes mashtrimit.
Myslimani e mban gjithmonë në këmbë të drejtën dhe hakun. Ai ruan të drejtën e punëtorit; ia jep hakun pa iu tharë djersa e ballit. Ai ia jep edhe hakun punës së vet; bën çmos që rroga që merr të jetë hallall. Kurrë nuk i bën dëm vendit nga ku siguron rriskun e tij dhe të familjes.
Besimtarë të dashur!
Sfera ku e drejta e robit prek të gjitha shtresat e shoqërisë është e drejta dhe haku i publikut. E drejta publike nuk u përket vetëm atyre që janë gjallë, por edhe fëmijëve tanë që nuk kanë ardhur ende në jetë, jetimëve pa mbrojtje, nevojtarëve, të huajve dhe të vetmuarve.
Shkelja e të drejtës publike është një përgjegjësi e rëndë morale. Zoti i Lartësuar në Kuranin Fisnik urdhëron: وَمَن يَغۡلُلۡ يَأۡتِ بِمَا غَلَّ يَوۡمَ ٱلۡقِيَٰمَةِۚ ثُمَّ تُوَفَّىٰ كُلُّ نَفۡسٖ مَّا كَسَبَتۡ وَهُمۡ لَا يُظۡلَمُونَ “…kush bën hile (në ndarjen e plaçkës së luftës), ai në ditën e kijametit vjen i ngarkuar me atë që ka bërë, pastaj secilit i jepet ajo që e ka fituar, duke mos iu bërë e padrejtë”.[2]
Myslimani i përmbahet të drejtës publike në çdo fushë. Ai qëndron larg ryshfetit, spekulimit dhe tregut të zi. Myslimani e sheh shërbimin publik si një amanet me përgjegjësi të rëndë. Ai tregon kujdes në punën e tij, e ruan pasurinë e shtetit si sytë e ballit, nuk bën kurrë shpërdorim dhe nuk e përvetëson atë. Ndaj njerëzve që u shërben tregohet i mirëkuptueshëm dhe i durueshëm. Atë që nuk do t’ia bëjnë atij vetë, nuk ia bën kurrë tjetrit.
Të nderuar besimtarë!
Profeti ynë i dashur (s.a.s.), në një hadith, na paralajmëron: “Askush të mos marrë as edhe një pëllëmbë tokë që nuk i takon! Sepse nëse e merr, në Ditën e Gjykimit Allahu (xh.sh.) do t’ia mbështjellë atë në qafë nga shtatë palë tokë”.[3] Prandaj, që të mos turpërohemi në Ditën e Tubimit para Zotit, ku nuk do të ketë asnjë privilegj, ku e drejta dhe e padrejta do të dalin sheshit e ku secilit do t’i jepet haku i tij i plotë, le t’i ruhemi me rreptësi shkeljes së të drejtës së robit dhe të drejtës publike. Nëse kemi bërë ndonjë shkelje, me patjetër të kërkojmë hallallëk nga zotëruesit e hakut. Të mos harrojmë se ata që shkelin të drejtën e robit dhe të drejtën publike, Allahu (xh.sh.) nuk do t’i falë derisa t’i falin vetë zotëruesit e të drejtës.
Hutben po e përmbyll me këtë ajet fisnik: وَاتَّقُوا يَوْماً تُرْجَعُونَ ف۪يهِ اِلَى اللّٰهِ ثُمَّ تُوَفّٰى كُلُّ نَفْسٍ مَا كَسَبَتْ وَهُمْ لَا يُظْلَمُونَ “Dhe ruajuni asaj Dite që do të ktheheni tek Allahu, kur çdo kujt do t’i jepet ajo që ka fituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi”.[4]
[1] Muslimi: Iman, 164.
[2] Ali Imran: 161.
[3] Muslimi: Musakat, 141.
[4] Bakara: 281.