Qendra MINBER

Edukimi dhe Arsimi

Home » Edukimi dhe Arsimi

 

 

            Të nderuar besimtarë!

Faktori më i rëndësishëm që njeriu të ketw marrëdhënie pozitive me Zotin, me veten, me shoqërinë dhe me mjedisin, si dhe të jetojë një jetë të matur e të ekuilibruar, është edukimi dhe arsimi. Vlerën e nxënies së dijes dhe marrjes së dijes, Kurani e shpreh në mënyrën më të bukur: قُلْ هَلْ يَسْتَوِي الَّذ۪ينَ يَعْلَمُونَ وَالَّذ۪ينَ لَا يَعْلَمُونَ “Thuaj: ‘A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?.[1]

            Besimtarë të dashur!

Të nxjerrësh në dritë një njeri të mirë, i cili ka si parim adhurimin ndaj Krijuesit dhe mëshirën ndaj krijesave, e që është i lidhur pas vlerave kombëtare e shpirtërore, është baza e edukimit. Sepse, qëllimi i edukimit është të rritë një brez që ushqehet me besim, fuqizohet me dituri, përqafon gjithë njerëzimin me mëshirë, e që bëhet shpresë për popullin tonë, për umetin e Muhamedit (s.a.s.) dhe për të gjithë njerëzimin. Qëllimi i edukimit është të ndërtojë një shoqëri që përfaqëson urtësinë nën udhëheqjen e shpalljes dhe moralin e lartë nën shëmbëlltyrën e Profetit (s.a.s.). Qëllimi i edukimit është t’i kontribuojë vendit tonë që të ketë fjalën e vet në shkencë, teknologji, art dhe në çdo fushë të jetës.

            Prindër të nderuar e Mësues të respektuar!

Po kalojmë nëpër një periudhë ku çdo gjë ndryshon me shpejtësi të madhe. Në këtë proces, shohim se edhe interesat, perceptimet dhe pritshmëritë e të rinjve po ndryshojnë me ritëm të shpejtë. Për këtë arsye, për një edukim të mirë, fillimisht duhet t’i njohim mirë fëmijët tanë. Duhet t’i mbështesim ata që të kapin frymën e kohës, të kuptojnë epokën dhe të pajisen me përgatitjen e duhur për kërkesat e së ardhmes. Së bashku me këtë, në përputhje me urdhrin hyjnor:

يَٓا اَيُّهَا الَّذ۪ينَ اٰمَنُوا قُوا اَنْفُسَكُمْ وَاَهْل۪يكُمْ نَاراً وَقُودُهَا النَّاسُ وَالْحِجَارَةُ

“O ju që keni besuar! Ruani veten dhe familjet tuaja nga një zjarr, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët!”.[2]

duhet t’i ruajmë fëmijët dhe të rinjtë tanë nga ideologjitë devijuese, rrymat e rreme dhe nga çdo lloj varësie.

            Të nderuar besimtarë!

Ajo që na takon sot është t’u mësojmë fëmijëve tanë në mënyrën më të saktë besimin tonë, zakonet e traditat, historinë dhe kulturën tonë. Aq sa përpiqemi për suksesin e tyre në këtë botë, madje edhe më shumë, duhet t’i udhëzojmë ata për të fituar jetwn e botës tjetër. Të mos harrojmë se për ata që besojnë në ekzistencën e një bote të përhershme, suksesi i vërtetë është arritja e kënaqësisë së Allahut (xh.sh.).

Me këtë rast, i lutemi Allahut (xh.sh.) që viti i ri shkollor e arsimor të jetë me fat e i begatë për fëmijët tanë, mësuesit, prindërit dhe mbarë popullin tonë.

Hutben tonë po e përmbyllim me këtë përgëzim të Profetit tonë të dashur (s.a.s.): “Kush niset në rrugë për të nxënë dijeni, Allahu (xh.sh.) ia lehtëson atij rrugën për në xhenet…”.[3]

 

[1] Zumer: 9.

[2] Tahrim: 6.

[3] Tirmidhiu: Ilm, 19.