Qendra MINBER

Morali në mediat digjitale

Home » Morali në mediat digjitale

 

            Të dashur besimtarë!

Në ditët tona, kur teknologjitë e komunikimit zhvillohen me një shpejtësi marramendëse, marrëdhëniet tona njerëzore dhe shoqërore kanë filluar të formësohen në mjedise virtuale të quajtura “mediat sociale”. Këto mjedise, ku informacioni përhapet brenda sekondave, ku identitetet fshihen pas maskave digjitale dhe ku bëhet tejet e vështirë të ndash të vërtetën nga e gabuara, po shkaktojnë erozion moral në mbarë botën. Këto zhvillime dhe ndryshime që po përjetojmë na detyrojnë që të rishqyrtojmë përgjegjësitë tona dhe të ruajmë edukatën, privatësinë dhe sinqeritetin edhe në botën digjitale.

            Të dashur të rinj!

Për të përcjellë të vërtetën dhe drejtësinë tek sa më shumë njerëz, përdorimi efektiv i mediave digjitale është një mundësi e jashtëzakonshme, madje, domosdoshmëri. Megjithatë, disa njerëz, vlerat e të cilëve maten me pëlqimet e të tjerëve, mund të largohen nga thelbi i tyre për shkak të mediave sociale, mund të bien pre e dëshirës për t’u pëlqyer dhe mund të shndërrohen në robër të dukjes dhe të konsumit. Ndjenja e padukshmërisë që ofrojnë këto mjedise mund të shtyjë disa njerëz drejt sjelljeve të gabuara si kurioziteti i tepruar për jetën e tjetrit, gënjeshtra, fyerja dhe shpifja. Ndërkohë, në skajin tjetër të ekranit ndodhet një zemër që nuk duhet lënduar dhe një njeri, dinjiteti i të cilit duhet mbrojtur. Besimtari duhet të veprojë me parime, në mënyrë konsistente dhe të kontrolluar në mediat sociale, ashtu si në jetën reale. Fjalët dhe sjelljet e tij, besimtari duhet t’i kalojë në një sitë morale para se t’i ndajë në mjediset digjitale. Pejgamberi ynë i dashur (s.a.s.), në një hadith të tij thotë: “I mjafton njeriut si gjynah kur ai tregon/flet gjithçka që dëgjon”.[1]

            Të dashur nëna dhe baballarë! Të dashur vëllezër!

Përdorimi i pandërgjegjshëm i botës digjitale ndikon negativisht, sidomos tek fëmijët dhe të rinjtë. Orët e gjata të kaluara në mediat sociale mund të bëjnë që fëmijët tanë të largohen nga realiteti i jetës, të humbasin përqendrimin dhe të humbasin kohë me përmbajtje të kota. Megjithatë, të mos harrojmë kurrë këtë fakt: secili prej nesh ka përgjegjësinë t’i mbrojë fëmijët dhe të rinjtë nga rreziqet e botës digjitale dhe t’u tregoj atyre përdorimin e vetëdijshëm të teknologjisë.

            Besimtarë të nderuar!

Krijuesi ynë, Allahu (xh.sh.) na tërheq vëmendjen me këtë paralajmërim: “Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të pamurit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi”.[2] Detyra jonë është të veprojmë me ndërgjegjen se Allahu na vëzhgon; të llogarisim pasojat që do të sjellin fjalët që themi, informacionet që ndajmë dhe komentet që bëjmë. T’i bëjmë mediat digjitale mjete për përhapjen e sinqeritetit, vëllazërisë, së vërtetës dhe moralit të lartë.

            Vëllezër të dashur!

Ndoshta, edhe duke e dëgjuar këtë hutbe, sytë tanë mund të jenë ngjitur pas ekranit të telefonit; mendja jonë mund të mos dëgjojë atë që thuhet nga zhurma e rrjedhës virtuale. Këto fjalë nuk po i them për t’ju lënduar, vëllezër të dashur, por për të krijuar një ndërgjegjësim. Sepse ekranet në pëllëmbën e dorës sonë, pa e kuptuar, na marrin pjesën më të madhe të kohës, ndërkohë që mund të na privojnë nga bereqeti i një bisede pranë nesh, nga dashuria që do të ndanim me familjen tonë dhe nga kujtimet që do t’u lëmë fëmijëve tanë.

Hutben tonë po e mbyllim me kuptimin e këtij ajeti kuranor: “Besimtarët që kanë arritur shpëtimin, (janë) ata të cilët i shmangen të kotës (fjalë a punë),”.[3]

 

 

[1] Ebu Davudi: Edeb, 80.

[2] Isra: 36.

[3] Mu’minun: 3.