
Të nderuar besimtarë!
Islami është një fe e tillë që, përkrah detyrimeve të njeriut ndaj Krijuesit dhe vetvetes, rregullon me mjaft urtësi edhe përgjegjësitë e tij ndaj familjes dhe shoqërisë ku jeton. Sa me peshë dhe sa kuptimplotë është kjo thënie e Profetit (s.a.s.) që zë vend mes haditheve të tij:“Mbi ty ka hak vetvetja jote. Ka hak Zoti yt. Ka hak mysafiri yt dhe ka hak familja jote. Prandaj, jepja çdo zotëruesi atë që i takon!”.[1]
Besimtarë të dashur!
Ngritja, mbrojtja dhe fuqizimi i një vatre familjare ku bashkëshortët lidhen me njëri-tjetrin përmes dashurisë e respektit, ku nuk mungon nderimi ndaj më të rriturve dhe që bekohet me praninë e fëmijëve, është një përgjegjësi sa njerëzore, aq edhe shoqërore. Sepse familja është vatra e parë ku njeriu gjen qetësi shpirtërore, emocionale e mendore, si dhe vendi ku ai njihet dhe brumoset me vlerat e besimit dhe të qytetërimit tonë. Rruga drejt ndërtimit të një shoqërie të virtytshme, të përbërë nga individë të moralshëm, dhe e një bote të paqtë, kalon pikërisht përmes familjes.
Zoti ynë i Lartësuar na kujton se familja është një dhuratë hyjnore, duke urdhëruar: “Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë”.[2] Prandaj, asnjë strukturë tjetër nuk mund të jetë alternativë e institucionit të familjes. Asgjë nuk mund ta zëvendësojë dashurinë që bashkëshortët ushqejnë për njëri-tjetrin, gëzimin që falin fëmijët, lumturinë që të dhurojnë prindërit e as sigurinë që transmetojnë gjyshërit.
Besimtarë të nderuar!
Rritja dhe edukimi i brezave të lidhur shpirtërisht me fenë dhe respektues ndaj vlerave të shenjta, është një tjetër përgjegjësi e jona që nuk guxojmë ta neglizhojmë. Ndër detyrat tona parësore është t’u mësojmë të rinjve tanë ato virtyte që na i lanë trashëgimi të parët tanë, siç janë: identiteti, ndjenja e përkatësisë dhe fryma e sakrificës. Vlerësimi i fëmijëve tanë, dëgjimi i tyre me vëmendje dhe udhëzimi i tyre drejt lumturisë në të dy botët, janë misione të cilat nuk mund t’i braktisim kurrë. I Dërguari i Allahut (s.a.s.), lidhur me këtë çështje, na tërheq vërejtjen duke na paralajmëruar: “Mjafton si mëkat për njeriun që të lërë pas dore (të neglizhojë) ata që ka nën kujdes!”.[3]
Të dashur besimtarë!
Ndjeshmëria ndaj vëllezërve e motrave tona që përpiqen t’i kapërcejnë pengesat me vendosmëri, si dhe ndaj familjeve të tyre – është një përgjegjësi jo vetëm fetare dhe morale, por edhe shoqërore. Për këtë arsye, duke u mbështetur në këshillën profetike: “Kush ia plotëson një nevojë vëllait të tij, Allahu ia plotëson nevojën atij,”,[4] ne duhet t’i ndërtojmë dhe t’i përshtatim xhamitë, shkollat, ndërtesat dhe rrugët tona në atë mënyrë që vëllezërit tanë me aftësi ndryshe të mund t’i përdorin ato lirisht. Duhet të jemi në përpjekje të vazhdueshme për t’ua lehtësuar jetën bashkëqytetarëve tanë me nevoja të veçanta.
Sot, njerëzimi në tërësi po përballet me mjaft faktorë shkatërrues. Përmes platformave digjitale, reklamave, programeve televizive dhe filmave, ata që nuk njohin asnjë kufi dhe vlerë, synojnë të dobësojnë institucionin e familjes, i cili është shtylla kurrizore e shoqërisë. Përmes rrymave të devijuara dhe ideologjive të kota, po bëhen përpjekje për të turbulluar botën mendore të të rinjve tanë. Në një epokë të tillë, detyra që na takon neve është t’u bëjmë ballë këtyre sfidave duke iu bindur siç duhet urdhrave të Zotit tonë, duke mbrojtur natyrën tonë të pastër dhe duke përcjellë moralin profetik te familjet dhe brezat tanë.
Po e përfundojmë hutben e kësaj xhumaje duke përcjellur këtë lutje e cila përmendet në Kuranin Famëlartë:
رَبِّ أَوْزِعْنِي أَنْ أَشْكُرَ نِعْمَتَكَ الَّتِي أَنْعَمْتَ عَلَيَّ وَعَلَىٰ وَالِدَيَّ وَأَنْ أَعْمَلَ صَالِحًا تَرْضَاهُ وَأَصْلِحْ لِي فِي ذُرِّيَّتِي ۖ إِنِّي تُبْتُ إِلَيْكَ وَإِنِّي مِنَ الْمُسْلِمِينَ
“O Zoti im! Më frymëzo që të të falënderoj për begatitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur! Më dhuro pasardhës të mirë! Tek Ti kthehem i penduar dhe Ty të dorëzohem!”.[5]
[1] Tirmidhiu: Zuhd, 63.
[2] Rum: 21.
[3] Ebu Daudi: Zekat, 45.
[4] Muslimi: Birr, 58.
[5] Ahkaf: 15.