Të nderuar besimtarë!
Adhurimet janë detyra që na afrojnë me Zotin tonë, na mundësojnë të arrijmë pëlqimin e Tij dhe na pajisin me moral të bukur. Shprehja më e qartë e kësaj është ajeti kuranor: “Thuaj: Namazi im, adhurimet e mia, jeta ime dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun, Zotin e botëve”.[1]
Namazi na largon nga mëkatet dhe të këqijat. Ai i jep freski zemrës sonë dhe qetësi shpirtit tonë. Zekati dhe sadakaja që japim, i shtojnë bereqetin pasurisë dhe jetës sonë. Ato bëhen mjet për përhapjen e vetëdijes së ndihmës dhe solidaritetit në të gjithë shoqërinë. Agjërimi e çliron zemrën tonë nga robëria e epsheve dhe dëshirave të kësaj bote. Ai e përsos moralin tonë dhe na jep personalitet.
Besimtarë të dashur!
Haxhi dhe umreja janë prej adhurimeve që janë shenjë e dorëzimit tonë ndaj Allahut. Në Kur’anin Famëlartë urdhërohet: وَأَتِمُّوا الْحَجَّ وَالْعُمْرَةَ لِلَّهِ “Plotësoni haxhin dhe umren për hir të Allahut”.[2] Në këto ditë kur po përcjellim besimtarët për në haxh drejt vendeve të shenjta, ne e dimë se haxhi dhe umreja janë një takim vëllazëror që bashkon muslimanët me gjuhë, raca dhe medhhebe të ndryshme, duke u dhënë atyre vetëdijen e robërisë dhe ndërgjegjen e ummetit. Ky është një udhëtim i bekuar ku besimtari strehohet në mëshirën dhe mirësitë e pafundme të Allahut, dhe shpreson faljen e mëkateve me pendime të sinqerta e me lot në sy. Është një kohë përtëritjeje dhe ringjalljeje që u ofron besimtarëve mundësinë për të ndërtuar të ardhmen e tyre duke bërë llogarinë e së shkuarës.
Muslimanë të nderuar!
Një tjetër adhurim që na afron me Zotin është kurbani. Adhurimi i kurbanit, për të cilin kemi filluar përgatitjet këto ditë, është një tregues se ne mund të sakrifikojmë pasurinë dhe jetën tonë në rrugën e Allahut të Lartësuar. Siç urdhërohet në ajetin kuranor: لَن يَنَالَ اللَّهَ لُحُومُهَا وَلَا دِمَاؤُهَا وَلَـٰكِن يَنَالُهُ التَّقْوَىٰ مِنكُمْ ۚ “Te Allahu nuk arrin as mishi, as gjaku i tyre, por te Ai arrin devotshmëria (takvaja) juaj”,[3] qëllimi i kurbanit është nënshtrimi ndaj urdhrit të Allahut dhe dëshmimi i besnikërisë ndaj Tij. Qëllimi i kurbanit është pastrimi nga cilësitë e këqija si egoizmi, koprracia dhe lakmia. Qëllimi i tij është hapja e zemrave ndaj njëri-tjetrit, përforcimi i unitetit dhe vëllazërisë sonë, duke u përpjekur që mirësia të mbizotërojë në mbarë botën.
Të dashur besimtarë!
Kurbani, në të njëjtën kohë është një akt mirësie. Ai është ura e zemrave që kemi ndërtuar mes nesh dhe njerëzve që na shohin ne si një shpresë. Kurbani do të thotë të dërgosh dashuri në shtëpitë e vëllezërve tanë që presin rrugën tonë me mall, dhe të jetosh gëzimin e bajramit në sofrat e tyre.
E lutim Zotin Krijuesin Fuqiplotë që të na mundësojë të arrijmë në Kurban Bajram me shëndet dhe mirëqenie. Po e përfundojmë hutben tonë me këtë lutje të Profetit tonë (s.a.s): “…O Allah! Ky kurban është prej Teje dhe është ofruar për pëlqimin Tënd nga Muhamedi (s.a.s) dhe umeti i tij”.[4]
[1] En’am: 162.
[2] Bakare: 196.
[3] Haxh: 37.
[4] Ibn Maxheh: Edahi, 1.