Të nderuar besimtarë!
Islami është feja e jetës, e cila bën bashkë fitimin me bamirësinë (infakun), zanatin me moralin. Feja jonë e fton mbarë njerëzimin që t’i përmbahet të drejtave dhe ligjit në punë, si dhe të pajisen me vetëdijen për hallallin dhe haramin. Islami e konsideron djersën e ballit të shenjtë, dhe sigurimin e rrizkut përmes rrugëve të lejuara dhe legjitime e sheh si adhurim. Profeti ynë i nderuar (s.a.s.), në një hadith të tij na inkurajon për të punuar, duke thënë: “Është më mirë për secilin prej jush që të marrë litarin e tij e të sjellë një barrë drush mbi shpinë për t’i shitur, dhe kështu Allahu t’ia mbrojë dinjitetin e tij, sesa t’u kërkojë njerëzve diçka, të cilët mund t’i japin ose jo”[1]
Të dashur besimtarë!
Sot, po dëshmojmë përpjekje për t’i dëbuar vlerat fetare dhe njerëzore jashtë sferës së punës. Fatkeqësisht edhe ne myslimanët duket se jemi prekur nga kjo frymë e gabuar. Aktivitetet në sferën e punës e të tregtisë dhe të ardhurat e gjeneruara nga to, nuk duhet të jenë qëllim apo objektiv në vetvete për myslimanin. Përkundrazi, ato duhet të jenë mjet për të arritur pëlqimin e Allahut dhe lumturinë në të dy botët. Për këtë arsye, ne myslimanët jemi të detyruar të përqafojmë një kuptim që bazohet te mirësia, drejtësia dhe mëshira, qoftë në tregti, qoftë në shitblerjet apo në marrëdhëniet mes punëmarrësit e punëdhënësit; një kuptim që përfshin parimet morale brez pas brezi, brenda kornizës së edukimit mjeshtër-çirak.
Vëllezër e motra, punëtorë dhe punëdhënës të nderuar!
Është detyrë e përbashkët e të gjithëve që vendin e punës ta shndërrojmë jo vetëm në një burim jetese, por në një “shtëpi sigurie” ku mbizotëron besimi i ndërsjellë. Së bashku me këtë, punëtori duhet t’i vërë veshin këshillës së Profetit tonë të dashur (s.a.s.): “Allahu i Madhërishëm kënaqet kur ju e bëni punën tuaj në mënyrën më të mirë (të përsosur)“[2]; ai duhet ta bëjë punën e tij me qëndrueshmëri dhe cilësi. Duhet të veprojë me vetëdijen se puna që bën dhe vendi ku punon janë një amanet për të, dhe duhet të përpiqet të dërgojë në shtëpinë e tij kafshatën hallall të fituar me djersën e ballit.
Punëdhënësi, nga ana tjetër, sipas urdhërit të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.): “Atij që ka vëllanë e vet nën punësim, le t’i japë të hajë nga ajo që ha vetë dhe le ta veshë me atë që vishet vetë. Mos i ngarkoni ata me punë që i tejkalojnë fuqitë e tyre“,[3] duhet të përpiqet t’ia paguajë punëtorit hakun plotësisht dhe në kohë, si dhe t’ia respektojë të drejtat sociale. Ai duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme që punëtori të punojë në një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm. Për këtë qëllim, nuk duhet harruar se çdo përpjekje e bërë në këtë drejtim nuk mbron vetëm një individ, por të ardhmen e familjes dhe të mbarë shoqërisë.
Besimtarë të nderuar!
Të qenit punëdhënës apo punëtor nuk mbart asnjë lloj epërsie në aspektin njerëzor. Njerëzit më të virtytshëm tek Allahu janë ata që janë pajisur me besim, që e zbukurojnë jetën e tyre me adhurime dhe moral të mirë, dhe që janë veshur me petkun e devotshmërisë (takvasë). Njerëzit më të virtytshëm janë ata që drejtësinë, ndershmërinë, bashkëpunimin dhe solidaritetin i shohin mbi çdo lloj interesi tjetër.
Hutben po e përmbyllim duke përcjellë këtë ajet Kuranor ku Allahu xh.sh. thotë:
وَابْتَغِ فِيمَا آتَاكَ اللَّهُ الدَّارَ الْآخِرَةَ ۖ وَلَا تَنسَ نَصِيبَكَ مِنَ الدُّنْيَا ۖ وَأَحْسِن كَمَا أَحْسَنَ اللَّهُ إِلَيْكَ ۖ وَلَا تَبْغِ الْفَسَادَ فِي الْأَرْضِ ۖ إِنَّ اللَّهَ لَا يُحِبُّ الْمُفْسِدِينَ
“Por përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë. Bëju mirë të tjerëve, ashtu si të ka bërë mirë ty Allahu. Mos kërko ngatërresa në Tokë, sepse Allahu nuk i do ngatërrestarët”.[4]
[1] Buhariu: Zekat, 50.
[2] Bejhaki: Shuabu’l Iman, 4/334.
[3] Buhariu: Iman, 22.
[4] Kasas: 77.