Qendra MINBER

Edukimi me Mëshirë

Home » Edukimi me Mëshirë

 

Të nderuar besimtarë!

Një nga çështjet të cilat feja jonë, Islami, e trajton me ndjeshmëri të madhe, është edukimi. Në qytetërimin Islam, edukimi shihet si kërkim i së vërtetës, ku dija gërshetohet me urtësinë dhe informacioni me moralin. Në Islam, pranohet një botëkuptim edukativ i cili e afron njeriun me Allahun (xh.sh.) dhe e pajis atë me virtyte si dashuria, respekti dhe dhembshuria. Synohet që, krahas suksesit të kësaj bote, te individi të formohet një vetëdije arsimore ku ai përmbush përgjegjësitë ndaj Zotit të tij, familjes dhe mjedisit ku jeton. Lutja e Profetit (s.a.s): “O Allah! Më bëj dobi me atë që më ke mësuar. Më mëso atë që më sjell dobi dhe ma shto diturinë![1] është shembulli më i bukur i kësaj gjendjeje.

            Të dashur besimtarë!

Edukimi është një proces që vazhdon gjatë gjithë jetës. Sepse njeriu formësohet përmes edukimit. Ai mund ta kuptojë urtësinë e krijesave dhe qëllimin e krijimit vetëm përmes edukimit. Të mirën nga e keqja, të drejtën nga e gabuara, njeriu mund t’i dallojë vetëm me anë të edukimit. Një shoqëri e virtytshme, ku mbrohet feja, jeta, pasuria, brezat dhe mendja, mund të ndërtohet vetëm me edukim. Një qytetërim ku mbizotëron drejtësia dhe mëshira, mund të ngrihet vetëm përmes edukimit.

 

           Besimtarë të nderuar!

Sot, e gjithë bota po kalon nëpër një periudhë ku vlerat njerëzore janë dobësuar tej mase. Shpëtimi nga kjo gjendje është i mundur vetëm duke iu rikthyer asaj që është thelbësore te njeriu (natyrës së tij të pastër), duke ndjekur udhëzimin e Shpalljes (Vahjit) dhe duke marrë si shembull moralin e bukur të Profetit tonë (s.a.s). Si shoqëri, ne mund të gjejmë zgjidhje për vështirësitë tona, mund të bëhemi shpresë për njëri-tjetrin dhe të shohim me më shumë besim drejt së ardhmes, vetëm përmes një koncepti edukativ që është i gërshetuar me vlerat tona shpirtërore dhe kombëtare. Sepse ne jemi pjesëtarë të një qytetërimi që ka përvetësuar si parim urdhrin e Allahut të Lartësuar: Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshillë të bukur”.[2] Ne jemi ummeti i Muhamed Mustafasë (s.a.s), i cili u dërgua si mësues[3] dhe që me sunetin e tij të lartë e me edukimin e tij plot mëshirë, i udhëhoqi jo vetëm njerëzit e kohës së tij, por mbarë njerëzimin. Ne jemi pasardhësit e një paraardhësi të lavdishëm, që mban mbi supe përgjegjësinë për të qenë përfaqësues i mirësisë mbi tokë, në përputhje me hadithin e nderuar: Njeriu më i mirë është ai që u sjell dobi atyre”.[4]

            Besimtarë të dashur!

Detyra që i takon secilit prej nesh, është që t’u përmbahemi fort vlerave që na bëjnë këta që jemi dhe që na mbajnë në këmbë. Është të përpiqemi me të gjithë forcën tonë për t’i mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë tanë nga çdo lloj ideologjie e rremë, rrymë devijuese dhe nga shprehitë e dëmshme. T’i kushtojmë rëndësi edhe më të madhe ngulitjes së dijes në mendjet e tyre, besimit (imanit) në zemrat e tyre, si dhe adhurimit dhe moralit në jetën e tyre.

Hutben po e përmbyllim duke lexuar dhe përcjellë këtë lutje të Profetit tonë të Dashur (s.a.s): “O Allah! Kërkoj mbrojtje te Ti prej zemrës që nuk ndien droj, prej nefsit që nuk ngopet, prej dijes që nuk sjell dobi dhe prej lutjes që nuk pranohet!”.[5]

 

 

[1] Tirmidhiu: Deauat, 128.

[2] Nahl: 125.

[3] Darimiu: Mukaddimeh, 32.

[4] Kudai: Msnedu’sh-shihab, I, 365.

[5] Nesaiu: Istiadhe, 13.