
Të nderuar besimtarë!
Allahu i LartMadhëruar, me qëllim që ne të ndërtojmë e të lartësojmë jetën tonë në këtë botë dhe në botën tjetër (ahiret), na ka pajisur me arsye dhe vullnet, na ka dërguar pejgamberë dhe ka zbritur libra hyjnorë. Me shpalljen hyjnore: “Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami”,[1] Ai ka përzgjedhur Islamin si rrugën e shpëtimit për të gjithë njerëzit deri në Ditën e Kiametit.
Islami është feja që fton njerëzimin në paqe dhe lumturi. Është feja që pastron mendjet nga mendimet e këqija, i çliron shpirtrat nga egoizmi e lakmia dhe i tregon njerëzimit rrugën e shpëtimit. Ajo është një sistem hyjnor që na mëson rrugët se si t’i bëjmë zotëruese ndershmërinë dhe drejtësinë, mirësinë dhe të bukurën.
Besimtarë të dashur!
Thelbi i Islamit është Teuhidi (Njëshmëria e Allahut). Teuhidi është shpallja dhe dëshmia se madhështia dhe lartësia i takojnë vetëm Allahut. Ai është dorëzimi te Sunduesi i vërtetë i ekzistencës, është çlirimi nga robëria e egos dhe pasioneve, si dhe arritja e lirisë së vërtetë. Teuhidi do të thotë të mos përkulesh para asnjë krijese tjetër përveç Allahut dhe të mbash një qëndrim dinjitoz në rrugën e të drejtës dhe të vërtetës. Allahu i Madhëruar urdhëron:
ذَٰلِكُمُ اللَّهُ رَبُّكُمْ ۖ لَا إِلَـٰهَ إِلَّا هُوَ ۖ خَالِقُ كُلِّ شَيْءٍ فَاعْبُدُوهُ ۚ وَهُوَ عَلَىٰ كُلِّ شَيْءٍ وَكِيلٌ “Ky është Allahu, Zoti juaj. S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij, Krijuesit të çdo gjëje, andaj adhuroni vetëm Atë! Ai është Mbikëqyrës i çdo gjëje!”.[2]
Besimtarë të nderuar!
Reflektimi i Islamit në jetën shoqërore është Vahdeti (Uniteti). Vahdeti është njëshmëri, bashkim dhe vëllazëri. Ai nënkupton që besimtarët pavarësisht dallimeve në gjuhë e gjeografi, duke pasur një Zot, një Pejgamber, një Libër dhe një Kible (Qabe), të qëndrojnë fort të lidhur me njëri-tjetrin në çdo gjendje e rrethanë, dhe bashkarisht të mos lejojnë padrejtësinë e zullumqarin. Vahdeti do të thotë t’i shohësh diferencat si pasuri; t’i bësh ato shkak për bashkim e integrim, e jo për ndarje e përçarje. Rreth kësaj çështjeje, shpallja e Zotit tonë të Madhëruar është mjaft e qartë:
إِنَّ هَـٰذِهِ أُمَّتُكُمْ أُمَّةً وَاحِدَةً وَأَنَا رَبُّكُمْ فَاعْبُدُونِ “Vërtet, ky është besimi juaj – besimi i vetëm, e Unë jam Zoti juaj, andaj më adhuroni Mua!”[3]
Të dashur besimtarë!
Sot, ato që do ta nxjerrin njerëzimin nga krizat dhe rrethanat e vështira ku gjendet, janë mesazhet e udhëzimit dhe drejtësisë së Islamit. Janë parimet jetëdhënëse të Kuranit Fisnik ato që do ta shndërrojnë botën tonë – të cilën kërkojnë ta kthejnë në një vatër zjarri – në një vend të qetësisë dhe paqes. Dhe është morali i mrekullueshëm i të Dërguarit të Allahut (s.a.s) ai që do të ngrohë zemrat tona dhe do t’i bashkojë njerëzit në harmoni.
Pronari i Islamit është vetë Allahu. Ai është që e shpalli atë dhe që do ta mbrojë deri në Ditën e Kiametit.[4] Libri i kësaj feje është Kurani Fisnik, ndërsa Pejgamberi i saj është Pejgamberi i nderuar Muhamed Mustafa (s.a.s), i cili e jetësoi atë në formën më të përsosur. Prandaj, asnjë person apo grup nuk mund ta konsiderojë Islamin si monopol të vetin. Askush nuk mund të mbjellë fitne dhe trazira me pretekstin e mbrojtjes së Teuhidit, tipari më themelor i Islamit. Askush nuk mund të dëmtojë unitetin (vahdetin) e umetit apo qetësinë e shoqërisë me të tilla pretendime. Nuk duhet harruar se Islami është një fe aq madhështore, sa nuk mund të burgoset në korniza të ngushta dhe as të kufizohet brenda kufijve të një gjeografie të vetme.
I lutemi Allahut (xh. sh.) të mos na ndajë nga vëllazëria dhe bashkimi! Hutben tonë po e përfundojmë me këtë lutje të Pejgamberit tonë të Dashur (s.a.s): اللهمَّ إني أعوذُ بِكَ من الشِّقاقِ، والنِّفاقِ، وسُوءِ الأَخْلاقِ “O Allah! Kërkoj mbrojtjen Tënde nga përçarja, nga dyfytyrësia (nifaku) dhe nga morali i keq”.[5]
[1] Al-Imran: 19.
[2] En’am: 102.
[3] Enbija: 92.
[4] Hixhr: 9.
[5] Ebu Daudi: Vitr, 32.