Të nderuar besimtarë!
Sot është dita e xhumasë. Siç ka thënë i Dërguari i Allahut (s.a.s): “Dita më e hajrit (më e mirë) mbi të cilën ka lindur dielli, është dita e xhumasë…”.[1] Sot është dita e takimit javor të besimtarëve. Është një kohë e jashtëzakonshme, në të cilën përforcohet uniteti, bashkimi dhe vëllazëria jonë.
Përgjegjësia kryesore që duhet të përmbushim në ditën e xhuma është falja e namazit të xhumasë. Allahu i Lartmadhëruar urdhëron: “O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju!”.[2] Kjo thirrje nuk është vetëm për bashkimin e trupave tanë; ajo është thirrje për shkrirjen e shpirtrave dhe për bashkimin e zemrave rreth të njëjtës së vërtetë. Kjo thirrje ka për qëllim që – ashtu siç preken krahët tanë në rreshtat e namazit – ashtu të preken edhe zemrat tona me njëra-tjetrën. Kjo thirrje u kujton të gjithë besimtarëve, pavarësisht gjuhëve, ngjyrave, medhhebeve apo pozitave të tyre se duhet të mbështesin njëri-tjetrin si gurët e një kalaje.
Të dashur besimtarë!
Thirrja e namazit të xhumasë synon t’u mësojë myslimanëve që t’i lënë anash përçarjet e të vishen me petkun e unitetit (vahdetit); që të largohen nga ndarjet dhe të mbahen fort pas njëri-tjetrit, domethënë, të mësojnë se si të jenë një umet. Kjo thirrje na tregon shembullin e Sahabëve të nderuar, të cilët e dëgjonin hutben me aq vëmendje dhe qetësi, sikur mbi krerët e tyre të qëndronte një zog që do të fluturonte nëse ata do të lëviznin pak.[3] Dhe së fundi, kjo thirrje është këtu që ne t’i përhapim të vërtetat e Islamit dhe mesazhet plot mëshirë të Profetit tonë (s.a.s) në çdo cep të botës.
Besimtarë të nderuar!
Besimtarët, të cilët tregojnë kujdes për trupin, rrobat dhe erën e tyre të këndshme kur dalin përpara Allahut në ditën e xhuma, duhet të tregojnë të njëjtin kujdes edhe për fjalët dhe sjelljet e tyre në jetën shoqërore; ata nuk duhet t’i kthejnë shpinën njëri-tjetrit. Duhet të jenë të gjendshëm në momente dhimbjesh dhe të ofrojnë zgjidhje për vështirësitë e vëllait të tyre; nuk duhet të hyjnë në grindje të kota e as të mbeten peng i botëkuptimeve të ngushta. Umeti i Muhammedit, i cili mblidhet në xhami e mesxhide për të falur namazin e xhumasë dhe drejtohet drejt së njëjtës Kible, duhet t’i shtrëngojë radhët e veta edhe jashtë xhamisë, duke treguar durim përballë vështirësive. Duhet të jenë si një trup i vetëm kundër dashakeqëve të tyre dhe të ruajnë xhaminë, mesxhidin, kiblën dhe atdheun e tyre.
Besimtarë të dashur!
Në ditët e sotme, teksa përjetohen luftëra dhe dhimbje, teksa njerëzimi është i etur për paqe dhe zullumqarët pengojnë sexhden në Mesxhid-el Aksa, përgjegjësia jonë është ta mbajmë gjallë vetëdijen e xhumasë dhe të umetit. Detyra jonë është t’i bashkojmë mendjet dhe zemrat tona në të njëjtin besim, ndjenjë dhe në të njëjtin ideal. Duhet ta bëjmë ditën e xhuma një mjet për ta përtërirë besëlidhjen tonë të vëllazërisë, për t’u lidhur fort si gjymtyrët e një trupi të vetëm dhe për të forcuar bashkimin e solidaritetin tonë. Nuk duhet të harrojmë se te bashkimi qëndron mëshira (rahmeti), ndërsa te përçarja qëndron ndëshkimi.
Hutben tonë po e përfundojmë me këtë hadith fisnik të Pejgamberit tonë të nderuar (s.a.s): “Kush merr abdest në mënyrë të bukur e vjen në xhuma dhe e dëgjon hutben me vëmendje, do t’i falen mëkatet e bëra midis asaj xhumaje dhe xhumasë pasuese…”.[4]
[1] Muslimi: Xhuma’, 18.
[2] Xhuma’: 9.
[3] Ebu Daudi: Tib, 1.
[4] Muslimi: Xhuma’, 27.