
Të nderuar besimtarë!
Aktualisht jemi në shoqërinë e qetësisë shpirtërore që buron nga arritja e një tjetër Kurban Bajrami; një kohë kur zemrat tona mbushen plot gëzim, kur zërat e tekbireve lartësohen drejt qiellit dhe kur atmosfera e mëshirës dhe e faljes hyjnore përfshinë mbarë rruzullin tokësor.
Lavdet dhe falënderimet më të sinqerta i takojnë Zotit të Lartësuar, i Cili na mundësoi të arrijmë këtë çast të bekuar. Paqja, bekimet dhe përshëndetjet më të përzemërta qofshin mbi Profetin tonë, Muhamedin (s.a.v.s.), i cili na mësoi se si të dorëzohemi para Krijuesit përmes kurbanit, dhe si ta jetësojmë dashurinë e vëllazërinë përmes bajramit.
Të dashur besimtarë!
Sot është Bajram…Është dita e teuhidit dhe bashkimit, ku besimtarët anekënd botës, të cilët dje qëndruan në Uakfen e Arafatit, sot me të njëjtën ndjenjë dhe emocion kryejnë tauafin rreth Qabes së bekuar. Sot është dita e jetësimit të hadithit të Profetit tonë të Dashur (s.a.v.s.), i cili ka thënë: “Gjëja e parë që do të bëjmë sot është falja e namazit të Bajramit, e më pas do të kthehemi për të prerë kurbanin. Kushdo që vepron kështu, me të vërtetë ka ndjekur sunetin tonë”.[1] Sot është dita kur me shqiptimin e besmelesë, me zërat e tekbireve dhe me sinqeritetin e lutjeve flijojmë kurbanet tona; dita kur ndajmë me vëllezërit tanë, dita e përafrimit me Zotin tonë dhe e veshjes me petkun e vetëdijes së devotshmërisë.
Besimtarë të nderuar!
Sot është Bajram… Është koha për t’i jetësuar dhe për t’ua përcjellë brezave tanë të ardhshëm vlerat tona kombëtare dhe shpirtërore, të cilat na formësojnë dhe na bëjnë një shoqëri të bashkuar. Duke iu bindur porosisë së të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.): “O njerëz! Përhapeni selamin mes jush, ushqeni të tjerët dhe ruani lidhjet farefisnore”,[2] sot është koha për t’i afruar largësitë përmes vizitave farefisnore. Është koha për të fituar lutjet e nënës e të babait; për t’u kujdesur për farefisin, fqinjët dhe miqtë tanë; si dhe për t’i kujtuar të parët tanë me mirësi e lutje. Sot është koha që përmes dhuratave t’i bëjmë fëmijët pjesëmarrës në gëzimin e Bajramit dhe të lëmë gjurmë të bukura në kujtesën e tyre. Është koha që, duke filluar nga shtëpitë tona, të shpërndajmë mirësinë, qetësinë dhe sigurinë në rrugë, në qytet, në vendin tonë dhe në mbarë botën.
Besimtarë të nderuar!
Sot është Bajram… Është koha për t’u penduar për mëkatet tona dhe për t’u strehuar në mëshirën dhe faljen e pafundme të Allahut (xh. sh.). Është koha për t’i vizituar të sëmurët, të moshuarit dhe të pashpresët, e për t’ua gëzuar zemrat atyre. Sot është koha për ta jetësuar në përditshmërinë tonë ajetin fisnik: “Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, andaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre…”.[3] Është koha për t’u dhënë fund pakënaqësive mes nesh, për t’i shuar mospajtimet dhe për të forcuar lidhjet e vëllazërisë. Sot është koha që në thellësinë e zemrave t’a ndiejmë dhimbjen e vëllezërve viktima të luftës, me në krye Palestinën; dhe të qëndrojmë pranë tyre me të gjitha mundësitë tona materiale e shpirtërore.
Të dashur besimtarë!
I lutemi Zotit të Lartësuar që ky Kurban Bajram të sjellë qetësi në shpirtrat tanë, bereqet në punët tona, harmoni në familjet tona dhe unitet për mbarë Ummetin e Muhamedit (a. s.).
Po e mbyllim ligjëratën tonë me këto porosi të të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.): “Kush kërkon strehim tek ju për hir të Allahut, strehojeni. Kush ju kërkon diçka për hir të Allahut, jepini. Kush ju fton, përgjigjuni ftesës së tij. Dhe kushdo që ju bën një të mirë, shpërblejani atë…”.[4]
[1] Buhariu: Idejn, 3.
[2] Ibn Maxheh: Et’ime, 1.
[3] Huxhurat, 49/10.
[4] Ebu Davud, Zekat, 38.