Të nderuar besimtarë!
Fjala përbën pasqyrën kryesore që reflekton botën e brendshme të qenies njerëzore. Një fjalë e bukur dhe me vlerë është si një balsam që shëron shpirtrat e lënduar, apo si një ujë jetëdhënës që ringjall zemrat e thata. Një ligjërim i këndshëm ngjan me një qëndisje fine që merr formë gradualisht në shpirt, ose me një ligjërim të kujdesshëm që korrigjon gabimet pa shkaktuar lëndim. Ashtu siç thotë edhe Profeti i Nderuar (s.a.s.): “Fjala e mirë dhe dashamirëse është lëmoshë (sadaka).[1]
Ndikimi i fjalës nuk qëndron te ngritja e zërit, por fshihet në thellësinë e sinqeritetit dhe në finesën e stilit. Po, nëse nuk arrijmë t’ia dëgjojmë zërin as njeriut tonë më të afërt, nëse nuk gjejmë një gjuhë të përbashkët me të afërmit tanë dhe nëse nuk ndërtojmë dot një urë lidhëse me fqinjët, një nga shkaqet e kësaj është edhe mënyra se si u flasim atyre. Profeti ynë i Dashur (s.a.s), e përshkruan kështu besimtarin: “Besimtari nuk është njeri që njollos e përgojon të tjerët, që mallkon, që përdor fjalë të vrazhda e të ndyra, dhe as që sillet pa turp”.[2]
Të dashur besimtarë!
Zemrat e njerëzve i ngjajnë një porte që hapet vetëm nga brenda, ndërsa çelësi i vetëm i asaj porte është fjala e ëmbël. Në Kuranin Famëlartë thuhet: “Thuaju, robërve të Mi, që të flasin atë që është më e mira. Në të vërtetë, djalli mbjell ngatërresa ndërmjet tyre. Vërtet, djalli është armik i hapët i njeriut”.[3] Prandaj, ai që kërkon qetësi në vatrën e tij familjare, le ta zbukurojë gjuhën me elegancë. Ai që dëshiron të gjejë rrugën drejt fëmijës së tij, le të bëhet fillimisht mysafir në zemrën e tij me fjalë të ëmbla. Ai që pret respekt nga të tjerët, le ta vulosë gjuhën e tij me të vërtetën. Ai që dëshiron të arrijë bereqetin, le t’i shtojë fjalës së tij sinqeritet e ndershmëri. Shkurt, ashtu siç thotë I Dërguari i Allahut (s.a.s.): “Kush beson në Allahun dhe në ditën e gjykimit, le të thotë fjalë të mira ose le të heshtë”.[4]
Besimtarë të nderuar!
Hapësirat digjitale radhiten në krye të vendeve ku etika e fjalës shkelet më së shumti. Disa njerëz krijojnë terrenin që e keqja të përhapet ditë pas dite, përmes varësive të tilla si: bixhozi virtual dhe lëndët narkotike, e disa të tjerë përmes lojërave digjitale që nxisin dhunën. Disa njerëz, duke fshehur identitetin e tyre, e quajnë mjeshtëri lëndimin e zemrave dhe përbaltjen e personalitetit, nderit e dinjitetit të të tjerëve. Ndërsa të tjerë mbjellin fara të ngatërresave dhe përçarjes në gjirin e shoqërisë përmes lajmeve të rreme. Paralajmërimi i Zotit tonë të Lartësuar rreth këtyre çështjeje është mjaft i qartë: “…dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë)”.[5]
Nëse ne arrijmë t’i dallojmë rreziqet që vijnë bashkë me mundësitë teknologjike, si dhe kurthet tinëzare të fshehura pas këtyre mundësive, atëherë mund t’i pakësojmë sa më shumë dëmet e botës virtuale. Nëse i përdorim teknologjitë digjitale duke pasur parasysh vlerat tona morale, mund ta mbrojmë veten dhe familjen tonë nga fjalët dhe përmbajtjet që nuk përkojnë me besimin dhe kulturën tonë.
Hutben tonë po e përfundojmë me këtë hadith të Profetit tonë të Dashur (s.a.s.): “Largimi i njeriut nga fjalët dhe sjelljet e kota (të pafrytshme), është tregues se ai është një mysliman i mire”.[6]
[1] Buhariu: Xhihad, 128.
[2] Tirmidhiu: Birr, 48.
[3] Isra: 53.
[4] Buhariu: Edeb, 31.
[5] Kaf: 18.
[6] Tirmidhi: Zuhd, 11; Muvata: Husnu’l-hulk, 1.