Të nderuar besimtarë!
Një prej virtyteve më thelbësore për formësimin e individit të lumtur dhe një shoqërie paqësore, është ndjeshmëria (empatia sociale). Ndjeshmëria nënkupton dëshirimin e të njëjtave të mira për të tjerët, të cilat i synojmë e i kërkojmë edhe për veten tonë. Ajo përfaqëson përpjekjen e vetëdijshme për të njohur përgjegjësitë tona dhe për t’i përmbushur ato me përkushtim. Të jesh i ndjeshëm do të thotë ta konsiderosh jetën dhe pasurinë e tjetrit po aq të vyer sa jetën dhe pasurinë tënde; do të thotë ta çmosh dinjitetin dhe nderin e çdo njeriu si një vlerë të shenjtë e të pacënueshme, pikërisht siç çmon të tuat.
Të dashur besimtarë!
Të qenit i ndjeshëm ndaj familjes, shoqërisë dhe mbarë njerëzimit është një kërkesë e domosdoshme e vetë besimit tonë. Allahu i Lartëmadhëruar në Kuranin Fisnik urdhëron: “O ju që keni besuar! Kini kujdes (për përgjegjësitë tuaja) ndaj vetes. Ai që është i humbur nuk mund t’ju dëmtojë, nëse jeni në rrugë të drejtë”.[1] Prandaj, plogështia, indiferenca dhe fryma e papërgjegjshmërisë, e tipit “ç’më duhet mua”, nuk mund të përputhen kurrsesi me figurën myslimanit. Besimtari është ai që përpiqet me të gjitha forcat për t’i përmbushur me përpikmëri e drejtësi detyrimet e tij. Mysliman i ndjeshëm është ai që trajton me respekt, butësi dhe mirëkuptim prindërit, bashkëshorten dhe fëmijët e tij. Për të garantuar paqen sociale, ai e shtrin moralin e vëllazërisë në çdo sferë të jetës. Ai është një qenie universale që ndjen në thellësinë e shpirtit dhimbjen e çdo të shtypuri dhe vuajtjen e çdo të dëmtuari, kudo qofshin ata, duke mos ngurruar për të përmbushur çdo detyrë humane që i takon.
Besimtarë të nderuar!
Nga myslimani pritet gjithashtu që të shfaqë të njëjtën ndjeshmëri edhe ndaj botës që i është besuar si amanet. Ashtu siç tregon kujdes për pastërtinë e shtëpisë, të vendit të punës dhe të xhamisë, ai duhet të dëshmojë të njëjtën përpikmëri edhe për mjedisin që e rrethon. Prej tij kërkohet një vetëdije e zgjuar ndaj pyjeve, tokës dhe ujit. Prandaj duhen ndërmarrë masat e nevojshme që sot, në mënyrë që e nesërmja të mos na gjejë përballë lajmeve tronditëse se “po digjen pyjet, burimet tona të frymëmarrjes”, dhe që të mos jetojmë nën ankthin e vazhdueshëm se “burimet e ujit po thahen e nuk na mbeti më ujë”.
Besimtarë të dashur!
Prej myslimanit, e gjithë jeta dhe adhurimet e të cilit janë të organizuara dhe të harmonizuara përmes kohës, pritet që të shfaqë një ndjeshmëri të lartë edhe ndaj çdo çasti që kalon, duke mos e çuar atë dëm. Sepse vullneti dhe aktiviteti i pandërprerë janë shenjat dalluese të një myslimani; pushimi i tij nuk është qëndrimi kot, por kalimi nga përfundimi i një pune në nisjen e një tjetre. Në këtë kontekst, thënia Pejgamberit a.s. na e përmbledh këtë të vërtetë në mënyrë mjaft kuptimplotë: “Besimtari i ngjan bletës. Ajo ushqehet vetëm me gjëra të bukura, të pastra e të lejuara (hallall). Ajo prodhon gjithmonë vlera të bukura dhe rend pas të mirës. Nuk dëmton, nuk thyen dhe nuk shkatërron asgjë”.[2]
Të dashur Besimtarë!
Të mos harrojmë se rruga për ndërtimin e një bote të jetueshme për veten dhe për fëmijët tanë, kalon pikërisht përmes ndjeshmërisë dhe përgjegjësisë që tregojmë ndaj mjedisit, kohës dhe mbarë njerëzimit.
Po e përmbyllim hytben tonë me këtë hadith të çmuar të Profetit tonë të Dashur (s.a.s.): “Ku do që të gjendesh, ji i vetëdijshëm për përgjegjësinë tënde ndaj Allahut! Nëse kryen një vepër të gabuar (me ose pa vetëdije), bëj menjëherë një vepër të mirë pas saj, që ta fshijë atë. Dhe trajtoji njerëzit me moral të lartë e të bukur!”.[3]
[1] Maide: 105.
[2] Ibn Hanbel: II, 199.
[3] Tirmidhi, Birr, 55.