Qendra MINBER

          

 

Të nderuar besimtarë!

Në vitet e para të historisë islame, besimtarët u përballën me një valë sistematike persekutimi, shtypje, bojkoti socio-ekonomik dhe tortura, të cilat shtoheshin dita-ditës nga ana e mushrikëve (paganëve) të Mekës. Me gjithë këto sprova të rënda dhe shtrëngime shtypëse, besimtarët treguan qëndresë dhe nuk bënë asnjë lëshim apo kompromis në dëm të besimit të tyre. Pas këtij kalvari të gjatë, me urdhrin e Allahut (xh. sh.) Profeti ynë i nderuar (s.a.s.) dhe ashabët e tij fisnikë, ndërmorën vendimin historik të Hixhretit/shpërnguljen, nga Meka për në Medine. Kjo ngjarje madhore e historisë njerëzore, e cila shënon transformimin institucional të Islamit, më vonë u pranua si pikënisja e Kalendarit Hixhri.

Të dashur besimtarë!

Hixhreti nuk është thjesht një mërgim nga një vend në një vend tjetër. Hixhreti është ideali i mbajtjes së pëlqimit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij përmbi çdo gjë. Është përpjekja për t’u orientuar drejt të Zotit të Vërtetë dhe për t’u lidhur fort pas të vërtetës. Është vendosmëria për të kaluar një jetë të mbushur me vepra të mira dhe moral të bukur, duke u larguar nga dëshirat dhe epshet e paligjshme të nefsit dhe nga vesveset e pafundme të shejtanit. Hixhreti është përpjekja për t’u penduar nga gabimet e mëkatet dhe për t’u strehuar në mëshirën dhe faljen e Zotit tonë të Lartësuar. Është vendosmëria për të hedhur hapa nga haramet drejt hallallit, nga të këqijat drejt të mirave. Profeti ynë i Nderuar (s.a.s) tërheq vëmendjen tonë ndaj kësaj çështjeje duke urdhëruar: “Musliman është ai, nga dora dhe gjuha e të cilit muslimanët e tjerë janë të sigurt (nuk pësojnë dëm). Ndërsa muhaxhir është ai që braktis ndalesat e Allahut”.[1]

Besimtarë të nderuar!

Secili prej nesh e ka të domosdoshme të realizojë një hixhret. Mjafton që t’i vëmë re gabimet tona dhe të përballemi me to. Të jemi në paqe me veten tonë. T’i vëmë veshin zërit të fitras (natyrshmërisë sonë pastër). Gjithashtu, të mos e nxjerrim kurrë nga mendja qëllimin tonë të krijimit.

Hixhreti i muslimanit është udhëtimi nga mendjemadhësia drejt modestisë, nga zemërimi drejt mëshirës, nga egoizmi drejt altruizmit, nga zullumi drejt drejtësisë, nga pesimizmi drejt shpresës.

Hixhreti i muslimanit është largimi nga fatkeqësitë e gjuhës si gënjeshtra, shpifja, fitneja dhe përgojimi, dhe veshja me vërtetësinë, vëllazërinë dhe dashurinë.

Hixhreti i muslimanit është mbrojtja e vetes dhe e pasardhësve të tij nga idetë devijuese, ideologjitë e kota dhe orientimet e gabuara; si dhe jetimi i një jete në përputhje me fenë, vlerat, kulturën dhe zakonin e tij.

Hixhreti i muslimanit është mosprirja ndaj harameve që dëmtojnë qetësinë dhe sigurinë, si alkooli, zinaja, kamata, ryshfeti, grumbullimi i mallrave dhe spekulimi në treg, duke u mjaftuar me ato që janë hallall.

Hixhreti i muslimanit është qëndrimi larg çdo lloj mëkati që do të shkelte të drejtën e robit dhe të publikut; dhe tregimi i kujdesit ndaj fjalës, sjelljeve dhe punës së tij.

Besimtarë të dashur!

Ajo që u takon muslimanëve në vitin e ri hixhri duhet të jetë: rishikimi i kuptimit dhe rëndësisë së hixhretit, leximi i drejtë i periudhës në të cilën ndodhen, si dhe dhënia e drejtimit të së ardhmes duke bërë llogaridhënien e jetës së tyre. Duhet të jetë marrja si bazë e vëllazërisë islame, bashkimi i tyre i ngushtë me njëri-tjetrin dhe ndarja e mirësive të tyre materiale e shpirtërore me njëri-tjetrin.

Me këtë rast, e lusim Allahun, Krijuesin Fuqiplotë që viti i ri hixhri, të bëhet shkak për buzëqeshjen e të shtypurve, gjetjen e qetësisë së njerëzimit, si dhe për përforcimin e unitetit, bashkimit dhe vëllazërisë sonë.

Hutben po e përmbyllë me Ajetin Kuranor ku Allahu (xh.sh.) urdhëron:

Vërtet, ata që besuan dhe mërguan (për hir të besimit), e më pas luftuan me pasurinë dhe jetën e tyre në rrugën e Allahut dhe ata që u dhanë strehim e i ndihmuan, janë miq e mbrojtës për njëri-tjetrin…”.[2]

 

[1] Buhariu: Iman, 4.

[2] Enfal: 72.