
Të nderuar besimtarë!
Ramazani, si një dhuratë e Zotit të Madhërishëm për besimtarët, na rrethoi për një muaj rresht me bereqetin, qetësinë dhe mëshirën e tij. Ai na edukoi përmes shkollës së tij hyjnore. Me adhurimet e kryera, na ngjiti në majat e dëshmimit të nënshtrimit ndaj Allahut xh.sh. Me përgëzimet që ai dha përtej botës së dukshme, mbolli shpresën në zemrat tona. Ndërsa tani, jemi të mbushur me hidhërimin e lamtumirës ndaj këtij muaji të mëshirës, i cili po na lë pas duke na gëzuar me lajmet e mira që solli.
Në këtë ditë në fund të Ramazanit fisnik, lutja e secilit prej nesh është që të arrijmë pëlqimin e Zotit tonë si robër të falur. Qëllimi ynë është që t’i ruajmë përgjatë gjithë jetës të gjitha vetitë e bukura që fituam gjatë këtij muaji dhe ta vazhdojmë jetën tonë në rrugën e drejtë. Sepse detyra jonë e adhurimit ndaj Allahut, ashtu siç urdhërohet në ajetin: “Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja (e sigurta)”,[1] është që ta jetojmë gjithë jetën si Ramazan deri në frymën e fundit.
Të dashur besimtarë!
Në Ramazan, në muajin e Kur’anit, u përpoqëm më shumë se kurrë për ta lexuar dhe kuptuar Librin e Allahut, udhërrëfyesin e jetës sonë. Arritëm të kuptojmë më qartë dallimin midis të Vërtetës (Hakut) dhe të kotës (Batil). E ndriçuam botën e zemrës dhe të mendjes me dritën e Kur’anit Fisnik. Përmes paralajmërimeve të tij, kujtuam sërish përgjegjësitë tona ndaj kësaj bote dhe ahiretit. Ndjemë në thellësi se Fjala e Allahut është shërim për kraharorin dhe mëshirë për zemrat. Kuptuam se në çfarë rangu ngrihen ata që pajisen me moralin e Kur’anit
Prandaj, ejani! Le t’i jetësojmë dhe le t’i mbajmë gjallë vlerat që na mësoi Kur’ani përgjatë gjithë jetës. Le të mos e shkëpusim lidhjen me Librin tonë edhe pas Ramazanit. Le të lexojmë çdo ditë nga pak. Le t’u vëmë veshin këshillave të tij. Le ta ndërtojmë jetën tonë në përputhje me parimet e tij.
Besimtarë të nderuar!
Përmes agjërimit të këtij muaji, u edukuam me vullnet dhe me durim. Agjërimi jonë u shndërrua në mburojë karshi dëshirave dhe tekave të nefsit tonë. Ndaj çdo lloj të keqeje, me këshillën e Pejgamberit tonë të Nderuar, thamë: “Unë jam agjërueshëm”. Duke përmbajtur vetveten, u bëmë zotër të duarve, gjuhës dhe zemrës sonë. Me ndjeshmërinë që sjell agjërimi, u pajisëm me dashuri, dhembshuri e mëshirë. E shtuam falenderimin ndaj mirësive të panumërta që na dhuroi Allahu xh.sh.
Prandaj, ejani! Le ta kuptojmë vlerën e vullnetit që u edukua përmes agjërimit. Le të përmbahemi ndaj dëshirave dhe tekave të egos sonë. Ta mbajmë gjuhën larg fjalëve të shëmtuara si gënjeshtra, shpifja, përgojimi dhe bartja e fjalëve. Ta pastrojmë zemrën tonë nga çdo lloj ndjenje e keqe si mëria, xhelozia, urrejtja, egoizmi dhe zemërimi. Të sillemi ndaj familjes, rrethit tonë dhe të gjitha krijesave, jo dhunshëm, por me mëshirë. Ta mbajmë mendjen tonë te e vërteta dhe zemrën tonë te dashuria.
Besimtarë të dashur!
Përmes adhurimeve që kryem me shpirt e me zemër gjatë Ramazanit, u përpoqëm të rrisim afrimitetin me Allahun xh.sh. Një nga këto adhurime është namazi, ashtu siç urdhërohet në ajetin: وَاسْجُدْ وَاقْتَرِب…“Bëj sexhde dhe afroju Zotit tënd”.[2] Me faljen e namazeve të teravive –në xhami dhe në shtëpi – përjetuam gëzimin dhe entuziazmin e shndërrimit të shtëpive tona në mesxhid, duke krijuar xhemat me anëtarët e familjes sonë. Përmes namazeve që falëm si familje, rrënjosëm te fëmijët tanë vetëdijen për namazin. Ndjemë me zemër se namazi është çasti i takimit me Zotin tonë.
Tani, ejani! Le të ndjekim urdhrin e Krijuesit Fuqiplotë: وَأْمُرْ أَهْلَكَ بِالصَّلَاةِ وَاصْطَبِرْ عَلَيْهَا ۖ “Urdhëroje familjen tënde të falë namazin dhe këmbëngul vetë në të”.[3] Le të tregojmë kujdes që t’i falim namazet tona, “shtyllën e fesë sonë” së bashku me anëtarët e familjes. Namazin, që është drita e syve dhe gëzimi i zemrave tona, le të mos e neglizhojmë mes rrëmujës së përditshme. Përkundrazi, le të strehohemi tek ai për t’i shpëtuar gjithë kësaj zhurme e rrëmuje të botës. Le ta bëjmë namazin mjet përmendjeje (dhikri) dhe falënderimi ndaj Allahut xh.sh.
Të nderuar besimtarë!
Në muajin e mëshirës, që është sezoni i shtimit të veprave të mira dhe bamirësisë, ne u kemi ofruar vëllezërve tanë nevojtarë nga mirësitë materiale dhe shpirtërore që Allahu na ka dhuruar. Përmes infakut (dhënies për hir të Zotit), ne i shtuam mirësitë dhe i bashkuam zemrat tona. Kuptuam se infaku është një filiz i mirësisë që shtohet dhe jep bereqet sa më shumë që dhurohet. Përmes infakut, i thamë ‘ndal’ ambicies sonë për të grumbulluar dhe konsumuar sa më shumë. Duke u bazuar te hadithi i të Dërguarit të Allahut (s.a.s): “Çdo mirësi është sadaka”,[4] arritëm të grumbullojmë shumë vepra të mira.
Ejani! Le të vazhdojmë të ndajmë me vëllezërit tanë pasurinë, diturinë, dashurinë, dhembshurinë, përvojën dhe mundin tonë. Le ta jetojmë tërë jetën tonë me vetëdijen e infakut (bamirësisë). Le të shqetësohemi për brengat e vëllezërve tanë besimtarë, le t’i marrim lutjet e tyre të mira. Le të mbrohemi nga sprovat përmes sadakave tona. Përmes bamirësive që bëjmë, le të ndërtojmë ura mes zemrave dhe kështu të lëmë një jehonë të mirë në këtë botë kalimtare.
Të dashur besimtarë!
Në muajin e faljes, ne kërkuam strehim te Zoti i Lartmadhëruar, i cili është Mëshiruesi i mëshiruesve. U penduan për mëkatet tona dhe i kërkuam falje Zotit tonë, i cili është “Gaffar” (Gjithëfalës). Atij I’u lutëm që, me emrin e Tij “Settar”, t’i mbulojë të metat dhe mangësitë tona. Ne mësuam se rruga për të merituar faljen e të Gjithëmëshirshmit kalon përmes faljes së robërve të Tij. Duke i falur vëllezërit tanë besimtarë me të cilët ishim të hidhëruar, arritëm të shijojmë kënaqësinë e të falurit.
Prandaj, le të mos e thyejmë pendimin e sinqertë (teube nesuha), të cilin i Dërguari i Nderuar (s.a.s) e ka cilësuar si: “Lënia e mëkatit për të mos iu kthyer më kurrë atij”.[5] Le ta zbukurojmë me vepra të mira faqen tonë të re e të pastër, që hapëm në jetën tonë përmes pendimit. Nëse dëshirojmë që Allahu i Madhërishëm t’i mbulojë të metat tona në Ditën e Gjykimit, atëherë le t’i mbulojmë më së pari të metat e njëri-tjetrit. Le t’i këshillojmë vëllezërit tanë besimtarë me edukatën më të mirë, por privatisht, duke mos i shpërfaqur kurrë mëkatet e tyre. Le t’i fshijmë distancat mes zemrave tona duke i falur gabimet njëri-tjetrit.
Besimtarë të nderuar!
Gjatë muajit të Ramazanit, ndjenjat tona shpirtërore u forcuan. Adhurimet dhe veprat tona të mira u shtuan, elhamdulil-lah! Megjithatë, detyra jonë e bindjes ndaj Zotit nuk është e kufizuar vetëm me këtë muaj të bekuar. Sepse Profeti ynë (s.a.s) urdhëron: أَحَبُّ الْأَعْمَالِ إِلَى اللَّهِ أَدْوَمُهَا وَإِنْ قَلَّ “Vepra më e dashur tek Allahu është ajo që bëhet vazhdimisht, edhe nëse është pak”.[6]
Le të mos harrojmë se përgjegjësia jonë si robër të Allahut vazhdon gjatë gjithë jetës. Le t’i drejtojmë sjelljet tona duke e ndjerë praninë e Allahut në çdo çast, me vetëdijen e devotshmërisë (takvasë). Le të arrijmë lumturinë në këtë botë dhe shpëtimin në botën tjetër (ahiret), duke u bindur ndaj urdhrave dhe ndalesave të Tij. Le t’i vëmë veshin ajetit: يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَلْتَنظُرْ نَفْسٌ مَّا قَدَّمَتْ لِغَدٍ ۖ وَاتَّقُوا اللَّهَ ۚ إِنَّ اللَّهَ خَبِيرٌ بِمَا تَعْمَلُونَ “O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe çdo njeri le të shikojë se ç’ka përgatitur për të nesërmen! Kijeni frikë Allahun, sepse Ai di çdo gjë që bëni ju!!”.[7] Le të përgatitemi që sot për jetën tonë të amshuar.
Përmes adhurimeve që kryem gjatë Ramazanit, ne e rritëm afërsinë tonë me Allahun xh.sh. Prandaj, le të mos e humbasim këtë afërsi. Le ta shtrijmë në tërë jetën tonë shijen e bindjes dhe qetësinë shpirtërore që shijuam gjatë muajit të mëshirës. Vetëm atëherë, jeta jonë në këtë botë do të jetë Ramazan, kurse ahireti ynë do të jetë Bajram.
Hutben po e mbyllim me këtë lutje të Pejgamberi (a.s.): “O Allah! Përmirësoje fenë time për mua, e cila është mbrojtësja e të gjitha çështjeve të mia. Përmirësoje për mua këtë botë në të cilën jetoj dhe siguroj jetesën, e bëje atë të hajrit. Përmirësoje për mua botën tjetër ku do të shkoj për të jetuar amshueshëm, e bëje atë të hajrit për mua. Më dhuro mirësi të bollshme në çdo fushë të jetës sime. Dhe ma mbro jetën nga çdo lloji i të keqes!”.[8]
[1] Hixhr: 99.
[2] Alak: 15.
[3] Taha: 132.
[4] Buhariu: Edeb, 33.
[5] Ibn Hanbel: I, 446.
[6] Buhariu: Libas, 43.
[7] Hashr: 18.
[8] Muslimi: Dua, 71.