
Besimtarë të nderuar!
Le të kujtojmë një ngjarje prekëse nga dita e çlirimit të Mekës. Ajo ishte një ditë fitoreje, ku malli mori fund dhe besimtarët festonin duke falënderuar Allahun xh.sh. Në këtë ditë historike, miku i ngushtë i Profetit (s.a.s), Hazreti Ebu Bekri, shkoi menjëherë tek babai i tij i moshuar, Ebu Kuhafe, të cilin dëshironte me gjithë zemër ta shihte si mysliman. Ebu Bekri (r. a.) e mori babain e tij, i cili ecte me vështirësi, dhe e solli përpara të Dërguarit të Allahut (s.a.s). Kur Profeti ynë i dashur e pa këtë plak të lodhur përballë tij, iu drejtua Ebu Bekrit me një mirësjellje dhe butësi të pashoqe: “O Ebu Bekër! Përse e lodhe këtë njeri të moshuar deri këtu? Sikur ta kishe lënë në shtëpi, do të shkoja unë ta vizitoja atë”.[1] Pas kësaj sjelljeje kaq fisnike dhe plot respekt, babai i Ebu Bekrit r. a., Ebu Kuhafe, u bë mysliman.
Vëllezër të nderuar!
Prindërit dhe të moshuarit e familjes, janë çelësi për në Xhennet, që na çon drejt kënaqësisë së Allahut të Madhërishëm. Ata janë shkaku i mëshirës dhe faljes për ne. Ata janë bereqeti i shtëpive dhe gëzimi i bisedave tona. Prania e tyre është burim qetësie dhe garanci e besës; mungesa e tyre, ndërkaq, është plagë në zemër dhe pikëllim për shpirtin. Ata janë personalitete të rralla që i mbajnë familjet tona të bashkuara. Familjet tona dhe shoqëria, janë më të forta me praninë e tyre. Uniteti dhe bashkëpunimi ynë është më i fuqishëm falë tyre. Sado të mëdha qofshin problemet dhe vështirësitë tona, ne i kapërcejmë ato shumë më lehtë me përkrahjen dhe lutjet e tyre.
Të dashur besimtarë!
Të moshuarit tanë bënë sakrifica të panumërta për të na rritur dhe edukuar. Me përvojën e tyre, ata na udhëhoqën në çdo hap. Dashurinë dhe respektin, mirësinë dhe drejtësinë, nderimin dhe dashamirësinë, i mësuam prej tyre. Ata ishin streha dhe mbështetja jonë në rrugëtimin e jetës sonë. Vlerat tona kombëtare dhe shpirtërore na i përcollën pikërisht ata. Ata janë historia jonë dhe kujtesa jonë, vendi i të cilëve nuk mund të zëvendësohet kurrë. Të tregosh respekt dhe vëmendje ndaj të moshuarve, do të thotë të mbrojmë të kaluarën dhe të jemi të sigurt për të ardhmen tonë.
Të dashur vëllezër!
Sa e dhimbshme është që çdo ditë e më shumë, shumë prej të moshuarve po lihen në vetmi. Sa shumë të moshuar presin midis katër mureve për të parë fëmijët dhe nipërit e tyre. Bajramet dhe pushimet tona, në vend që të jenë raste për t’i vizituar ata, kanë filluar të shihen vetëm si mundësi për lojë dhe argëtim. Shumë njerëz kanë filluar ta kërkojnë qetësinë dhe lumturinë te individualizmi. Megjithatë, ne jemi pjesëtarë të një feje që na urdhëron të kujdesemi për anëtarët e familjes, të moshuarit dhe të afërmit tanë. Nuk na ka hije neve që të zgjedhim një jetë individuale duke u shkëputur nga familja, apo të izolohemi në botën tonë duke u larguar nga prindërit dhe të afërmit tanë. Në fakt, Profeti ynë i nderuar (s.a.s) na ka njoftuar se sa më shumë t’i forcojmë lidhjet tona me të afërmit, aq më e fortë do të jetë lidhja jonë me Zotin tonë.[2] Gjithashtu, ai (s.a.s) ka tërhequr vërejtjen për ata që arrijnë pleqërinë e prindërve të tyre dhe nuk arrijnë të fitojnë zemrën (kënaqësinë) e tyre, duke thënë: “Iu fërkoftë hunda për toke”.[3]
Të nderuar besimtarë!
Allahu (xh.sh.) në Kuranin Famëlartë na njofton se të moshuarit e sotëm ishin të rinjtë e djeshëm, dhe të rinjtë e sotëm do të jenë të moshuarit e nesërm: “Allahu është ai që ju ka krijuar ju të dobët, pastaj, pas dobësisë, ju ka bërë të fuqishëm e, pas fuqisë, ju bën të dobët dhe të thinjur. Ai krijon çfarë të dojë; Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Fuqishëm për çdo gjë.”.[4] Prandaj, detyra jonë sot është t’u qasemi të moshuarve tanë me dhembshuri dhe mëshirë. T’u themi fjalë që ua gëzojnë zemrën dhe të mos ua thyejmë kurrë shpirtin. Me vizitat, me vëmendjen dhe kujdesin tonë, duhet të përpiqemi të fitojmë lutjet e tyre të mbarësisë. Nuk duhet të harrojmë se çdo hap që hedhim për t’ua lehtësuar jetën atyre, do të na çojë drejt kënaqësisë së Zotit. Ne duhet të jemi në përpjekje të vazhdueshme për të rritur breza që janë të lidhur me vlerat e tyre, që respektojnë prindërit, që nderojnë të moshuarit dhe që janë të dobishëm për mbarë njerëzimin.
Hytben po e përfundoj me këtë hadith të Profetit (s.a.s): “Nëse një i ri tregon respekt ndaj një të moshuari, Allahu do t’i caktojë atij dikë që do të tregojë respekt kur të plaket”.[5]
[1] Ibn Hanbel, VI, 350.
[2] Ebu Daudi: Zekat, 45.
[3] Muslimi: Birr, 10.
[4] Er-Rum: 54.
[5] Tirmidhiu:: Birr, 75.