Të nderuar besimtarë, në ajetin që sapo lexuam Allahu i Lartmadhëruar, besimtarët e vetëdijshëm i prezanton si vijon: “Për ata që All-llahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit!”.[1] Ndërkaq i Dërguari Allahut a.s. në hadithin që lexuam thotë: “Shembulli i një njeriu që e kujton Zotin e tij (me lëvdata, falënderime e madhërime për Të) në krahasim me një njeri që nuk e kujton Zotin e vet, është si shembulli i të gjallit krahasuar me të vdekurin”.[2]
Dhikri, përkujtimi dhe përmendja e Allahut është shprehja e vetëdijshme e të qenit rob i Allahut dhe e besnikërisë sonë ndaj Tij. Është dera që hapet drejt begatisë shpirtërore. Është burimi i paqes së zemrave tona. Përmendja e Zotit është ushqimi shpirtëror i zemrave dhe ilaç për problemet tona. Përkujtimi i Allahut na mundëson të mos harrojmë se Zoti na shikon, na dëgjon dhe na mbron kudo e gjithnjë. Mëshirën, begatitë dhe mirësitë e Krijuesit tonë ne mund t’i arrijmë me përmendjen e Tij. Me dhikrin e Allahut ne zgjohemi nga gafleti/pakujdesia dhe largojmë cytjet që mund të na shqetësojnë. Shpëtimi ynë si në këtë botë ashtu edhe në ahiret, arrihet me përmendjen e Allahut xh.sh.
Besimtari, duke iu përgjigjur me gjithë qenien e tij thirrjes së Krijuesit: فَاذْكُرُون۪ٓي اَذْكُرْكُمْ “Pra ju më kujtoni Mua (me adhurime), Unë ju kujtoj juve (me shprëblim)”[3], e hap zemrën e tij ndaj Zotit me anë të dhikrit. Duke e përmendur Allahun, ai mediton për ekzistencën, njësimin dhe fuqinë e Tij të pakufishme. Ai e jeton jetën e tij me vetëdijen se është vazhdimisht nën mbikëqyrjen e Zotit. Besimtari gjithmonë përpiqet të arrijë mirësinë dhe të qëndrojë larg së keqes.
Të nderuar besimtarë!
Me përkujtimin e Allahut, zemra dhe shpirti i besimtarit gjen qetësi. Siç thotë Allahu xh. sh. në Kur’an:
أَلَا بِذِكْرِ اللَّهِ تَطْمَئِنُّ الْقُلُوبُ
“Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!”.[4] Besimtari me dhikrin e Allahut gjallëron shpirtin, zemrën dhe shtëpinë e tij.
Allahu i Lartëmadhëruar në Kur’anin Famëlartë na urdhëron duke thënë:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اذْكُرُوا اللَّهَ ذِكْرًا كَثِيرًا وَسَبِّحُوهُ بُكْرَةً وَأَصِيلًا
“O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje!”[5]
I Dërguari i Allahut a.s, i cili e kishte përvetësuar këtë ajet si moto në jetën e tij, çdo punë që bënte e niste me emër të Allahut. Ai e kujtonte Allahun duke veshur rrobat, duke hyrë në shtëpi, duke dalë nga shtëpia dhe duke hipur në kafshën e tij. Ai thoshte ‘Bismil-lah’ kur fillonte vaktin dhe thoshte ‘Elhamdulilah’ në fund. Ai e përmendte Allahun para se të flinte dhe pasi të zgjohej.
Dhikri, duke përsëritur fjalët përkujtuese dhe madhëruese ndaj Zotit me gjuhë e zemër, është një përpjekje për ta mbajtur Allahun në mendje si dhe për të fituar pëlqimin e Tij përmes fjalëve, qëndrimeve dhe sjelljeve tona. Është një përpjekje për të përmirësuar shpirtrat tanë, për të qenë në rrugën e mirësisë dhe bamirësisë si dhe për të arritur paqen dhe lumturinë. Një besimtar që percepton kuptimin e vërtetë të dhikrit, jeton një jetë në përputhje me Kur’anin dhe Sunetin, mbron hakun e vëllazërisë dhe përpiqet të përforcojë unitetin dhe solidaritetin në shoqëri. Një besimtar që e kthen dhikrin si moto në jetën tij, nuk e harron qëllimin e krijimit si dhe nuk e humb ndjeshmërinë ndaj hakut dhe të drejtave të të tjerëve.
Allahu xh. sh. na tërheq vërejtjen në ajetin Kur’anor ku thotë:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لَا تُلْهِكُمْ أَمْوَالُكُمْ وَلَا أَوْلَادُكُمْ عَنْ ذِكْرِ اللَّهِ ۚ وَمَنْ يَفْعَلْ ذَٰلِكَ فَأُولَٰئِكَ هُمُ الْخَاسِرُونَ
“O ju që besuat, as pasuria juaj e as fëmijët tuaj të mos ju shmangin prej adhurimit të All-llahut, e kush vepron kështu të tillët janë të humburit”. [6]
Ky ajet, na urdhëron që ta përkujtojmë Allahun gjatë gjithë kohës, kur jemi duke fituar riskun e familjes, kur jemi duke bërë punët dhe duke përmbushur përgjegjësitë tona në tërësi. Ne si muslimanë në këtë ajet, ftohemi ta adhurojnë Allahun xh. sh., ta kujtojmë Atë dhe të kërkojmë ndihmën e Tij në çdo situatë si në pasuri, varfëri, rehati dhe vështirësi.
Le ta kujtojmë gjithmonë Zotin tonë Fuqiplotë, duke shpresuar në pëlqimin, ndihmën dhe faljen e Tij. Le të bëjmë dhikër duke përmendur emrat e Allahut, Rrahman, Rrahim e të tjerë, të cilët janë ndër emrat e bukur të Esmaul Husna. Të mos i lëmë pas dore namazet, të cilat janë dhikri më i madh. Le të lexojmë, kuptojmë dhe jetojmë me Kur’anin Famëlartë, i cili quhet edhe si “Dhikr”.
Hutben po e mbyllim me duanë që na ka mësuar I Dërguari i Allahut a.s.:
اَللَّهُمَّ أَعِنَّا عَلَى شُكْرِكَ وَذِكْرِكَ وَحُسْنِ عِبَادَتِكَ
“O Allah, na ndihmo të jemi mirënjohës ndaj Teje, të të kujtojmë Ty, dhe të të adhurojmë në mënyrë të plotë”.[7]
[1] Ali Imran, 191.
[2] Buhari, Deauat, 66.
[3] Bekare, 152.
[4] Ra’d, 28.
[5] Ahzab, 41-42.
[6] Munafikun, 9.
[7] Ibën Hanbel, II, 299.