يَوْمَ لَا يَنفَعُ مَالٌ وَلَا بَنُونَ – إِلَّا مَنْ أَتَى اللَّهَ بِقَلْبٍ سَلِيمٍ” “
Zoti ynë, Allahu xh.sh thotë në Kur’anin Famëlartë: “në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” (Kur’an: 26: 88)
Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra!
Shumë njerëz flasin për fenë, shumë të tjerë mundohen ta shpjegojnë fenë, e ka jo pak njerëz që e ndjekin dhe e praktikojnë fenë, por natyrshëm lind pyetja: “Çfarë është feja?”
Feja është besimi i pastër në Zot, është punë e mirë dhe e dobishme, është një zemër e butë dhe është një sjellje e hijshme. Çdo gjëje në këtë botë, po ju prish e po ju kalb esenca, fillon dhe i prishet shija, fillon dhe i vjen një erë e pakëndshme. Ajo gjë pastaj vazhdon dhe prishet vetvetiu nga brenda. Por dhe njeriu ka një esencë brenda tij, madje një esencë jashtëzakonisht të rëndësishme. Esenca e njeriut është zemra e tij, po u rregullua ajo rregullohet çdo gjë brenda trupit të tij, po u prish ajo prishet çdo gjë brenda atij trupi. Prandaj, Zoti i gjithësisë është I Vetmi që shikon zemrat e njerëzve, atë që kanë brenda, sepse ajo është pjesa më e rëndësishme.
وَعَنْ أبي هُريْرة عَبْدِ الرَّحْمن بْنِ صخْرٍقَالَ: قالَ رَسُولُ اللهِ ﷺ: إِنَّ الله لا يَنْظُرُ إِلى أَجْسامِكْم، وَلا إِلى صُوَرِكُمْ، وَلَكِنْ يَنْظُرُ إِلَى قُلُوبِكُمْ وأعْمَالِكُمْ. ( رواه مسلم).
Profeti a.s thotë: “Allahu nuk i shikon pamjet tuaja, nuk i shikon as pasuritë tuaja, por Ai shikon zemrat tuaja dhe shikon punët tuaja”.
Gjithmonë kur mundohej të shpjegonte devotshmërinë, Profeti Muhammed a.s, duke treguar nga zemra e tij, e mbyllte me këto fjalë: “Devotshmëria është këtu, devotshmëria është këtu, devotshmëria është këtu”. Për ti kujtuar çdo njeriu se, mundet të mashtrosh veten tënde dhe të tjerët me pamjen tënde të jashtme, por ti nuk e mashtron dot Allahun sepse Ai e di që devotshmëria është në zemrën e njeriut.
Vëllezër dhe motra!
Nga ana tjetër, zemra e ashpër është ajo që e djeg njeriun dhe dalëngadalë e shkatërron nga brenda. Zemra e ashpër është ajo që i prish marrëdhëniet familjare dhe e kthen shtëpinë në një burg. Zemra e ashpër është shkaku kryesor që i prish vëllazëritë, miqësitë dhe shoqëritë, por mbi të gjitha një zemër e ashpër është shkaku që njeriu fiton zemërimin e Allahut. Zoti na ruajtë prej zemërimit të Tij. Profeti Muhammed a.s thotë se ditën e Kijametit zjarri i xhehennemit do të ketë sy me të cilat shikon, veshë me të cilat dëgjon dhe gjuhë me të cilën do të flasë, e do ti thotë atë ditë njerëzve teksa i shikon nga sipër: “Mua sot më është ngarkuar të dënoj, të djeg dhe të përvëloj çdo njeri që është i dhunshëm, agresiv në shpirtin dhe zemrën e tij dhe që është inatçor, çdo njeri që i ka vendosur shok Allahut dhe çdo njeri që ka menduar dhe ka tentuar të imitojë krijimin e Zotit”.
Krejt ndryshe, zemra e butë është ajo që e rehaton njeriun nga brenda. Njeriu të cilit Zoti i ka dhënë një zemër të butë, është i qetë edhe sikur të jetë duke kaluar furtunat dhe telashet më të mëdha në këtë botë. Zemra e butë është ajo që e kthen shtëpinë, sado e varfër qoftë, në një kopësht xhenneti në këtë botë. Me një zemër të butë prindërit dhe fëmijët do ti kalojnë të gjitha telashet e jetës. Zemra e butë është ajo që i ngjit dhe i rregullon të gjitha marrëdhëniet shoqërore sado që të prishen. Por mbi të gjitha, mos harroni që një zemër e butë, një zemër e dhembshur është shkak që njeriu të fitojë faljen dhe mëshirën e Allahut xh.sh. Profeti Muhammed a.s tregoi për një tregtar të cilit i kishin borxh shumë njerëz. Kur i nxirrte punëtorët e tij të mblidhnin borxhet, ju thoshte këto fjalë: “Nëse shikoni që borxhliu shtrëngohet, hyn në telashe dhe siklete, faleni dhe tolerojeni atë, faljani borxhin atij pjesërisht ose plotësisht, me shpresë që edhe Allahu do na i fali neve borxhet që i kemi Atij”. Ditën e llogarisë Zoti i tha këtij njeriu: “Ti ishe i butë ndaj krijesave të Mia, ti pate një zemër të dhembshur ndaj tyre, prandaj dhe Unë sot jam i Butë ndaj teje, Unë do të të fal dhe mëshiroj”.
Vëllezër dhe motra!
Sot është kohë e vështirë, është koha që njerëzit flasin ashpër, sillen dhunshëm. Dhe kur ti pyesësh për arsyen e këtij komunikimi, thonë se sot po nuk fole ashpër dhe me forcë, të tjerët të shkelin me këmbë, thonë se jemi të detyruar ta bëjmë diçka të tillë. Njerëzit mund ta thonë këtë gjë, por Profeti Muhammed a.s thoshte diçka tjetër. Ai thoshte që shembulli i besimtarit është si shembulli i bletës. Bleta kur han, han pastër dhe mirë, kur nxjerr, nxjerr pastër dhe mirë, kudo që ulet e ka për borxh të mos e thyejë atë degë dhe të mos ta prishë atë vend. Ky pra është shembulli i besimtarit. Ai kur flet, flet mirë; kur dëgjon, dëgjon mirë; në çdo ambient ku shkon ai nuk e dëmton atë, nuk i thyen zemrat e njerëzve dhe prej atij do të vijë vetëm mirë.
Profeti Muhammed a.s na tregon që ditën e llogarisë, ditën më të vështirë që do të kalojnë të gjithë njerëzit, teksa të gjithë ja kanë frikën zjarrit të xhehenemit, do të ketë disa njerëz ndaj të cilëve xhehenemi nuk ka forcë. Profeti a.s thotë: “Zoti ja ka bërë haram (ja ka ndaluar) zjarrit të xhehenemit të djegë ata njerëz që janë të afërt e të afrueshëm, që janë të lehtë e të butë.”
Ky është njeriu që është i afërt me të tjerët, me hallet e tyre, me gëzimet e tyre, i butë në komunikim me ta, kur ata i flasin dhe kur ai ju flet, pra që është e lehtë të komunikosh me të. Njeriu i cili është i butë në fjalën e tij, në sjelljen e tij. Njeriu i cili është i hijshëm kur kërkon borxhin e tij, kur jep borxh, kur merr borxh, kur kërkon hakun e tij. Njeriu të cilit edhe nëse ti gabon ndaj tij, nuk ke frikë ti kërkosh falje, se ai fal dhe nuk është prej atyre njerëzve që thotë “unë nuk ta bëj hallall deri në ditën e kijametit”. Këta njerëz që i kanë këto cilësi, që janë të afërt, të butë, të lehtë në komunikim, të lehtë në marrëdhënie, janë pikërisht njerëzit ndaj të cilëve nuk ka forcë zjarri i xhehenemit. Sepse atyre i dha Zoti zemra të buta, fjalë të hijshme e sjellje të bukur. Zjarri i xhehenemit ka punë me njerëz të tjerë, me ata që janë të dhunshëm në zemrat e tyre, agresivë në fjalë, inatçorë në sjellje.
Prandaj, i lutem Allahut xh.sh. që të na japë zemra të buta, që e kanë frikë madhështinë e Tij dhe që janë të dhembshur ndaj krijesave të Tij, të na japë fjalë të hijshme e të buta dhe sjellje të cilat dëshmojnë për ne për mirë në këtë botë dhe në botën tjetër.
Vëllezër dhe motra!
Nëse doni të dini se cili është njeriu më i mirë dhe cili është njeriu më i rëndësishëm që ka jetuar në këtë botë, me siguri që do thoshim të gjithë se ai është Muhammedi a.s, pejgamberi më i mirë, krijesa më e mirë e Zotit. Ai është më i miri absolutisht, është njeriu më i rëndësishëm, më i vlerësuar, që ka ekzistuar dhe që ka jetuar mbi shpinën e kësaj toke. Por, dëgjoni se çfarë i ka thënë Zoti këtij profeti: “Në saje të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje.”. Pra kur ti, o Profeti i Zotit, o njeriu më i mirë, o njeriu më i rëndësishëm, po të kishe patur fjalë të ashpra, po të kishe patur zemër të ngurtësuar, edhe shokët e tu do të iknin prej teje, çfarë mund të themi për vetet tona vëllezër dhe motra?!
Prandaj, këshilla ime, për veten time, për hoxhallarët që ftojnë për tek Allahu xh.sh., për prindërit të cilët duan të mbajnë afër fëmijët e tyre, për pronarët që duan të mbajnë afër punëtorët e tyre, për mësuesit që duan të ndikojnë te nxënësit e tyre, është kjo: “Mundohuni ta keni zemrën e butë dhe të dhembshur dhe mundohuni ti keni fjalët e ëmbla.” Se kur edhe Profeti, nëse do kishte patur një zemër të ashpër dhe fjalë të rënda, do ti kishin ikur shokët e tij, atëherë vaj për hallin tonë. Gjendja jonë është e dukshme, sepse ne nuk kemi arritur të zbusim zemrat tona, nuk kemi arritur të zbukurojmë fjalët tona.
Prandaj, i lutem Zotit të Gjithësisë të lëshojë mëshirë mbi këto zemra, ti zbusë ato, ti bëjë zemrat tona që të kenë frikë madhështinë e Tij e të tregojnë dhembshuri dhe dashuri ndaj krijesave të Tij. Lutem që të na japë Zoti fjalë të ëmbla, fjalë të buta, të cilat i zbusin zemrat e njerëzve, zemërimet dhe inatet e tyre. Të na japë Zoti sjellje të hijshme, që dëshmojnë se janë sjellje besimtarësh, janë sjellje të njerëzve që besojnë Zotin dhe ndjekin Muhammedin a.s.
Zoti na ruajtë prej atyre zemrave që nuk e kanë frikë Zotin dhe që janë të ashpra ndaj krijesave, na ruajtë prej atyre fjalëve që janë të rënda, më të rënda sesa guri, e na ruajtë prej sjelljeve që janë të pahijshme, që mund të bëhen shkak që njerëzit tjerë të thonë: “Nëse kjo është sjellje besimtari, unë nuk dua të jem prej këtyre besimtarëve”.
Zoti na ruajtë prej të gjithave këtyre.