
Të nderuar besimtarë!
Pasuria, pronat dhe të gjitha mundësitë që zotërojmë, janë një amanet që na janë dhënë prej Zotit Fuqiplotë. Shlyerja e falënderimit për këto amanete mund të realizohet duke i ndarë mirësitë tona me nevojtarët, me jetimët dhe me të pashpresët. Ja pra, zekati dhe sadakaja e fitrit janë gjendja e shndërruar në adhurim e kësaj vetëdijeje për amanetin.
Të dashur besimtarë!
Zekati është një nga pesë shtyllat kryesore të Islamit. Ai nuk është thjesht një donacion, por një adhurim i përcaktuar drejtpërdrejt nga Allahu dhe i Dërguari i Tij. Zekati është një mirësi hyjnore që nuk e pakëson pasurinë e njeriut, por e shton bereqetin e saj.[1] Siç urdhërohet në ajetin: وَفِي أَمْوَالِهِمْ حَقٌّ لِّلسَّائِلِ وَالْمَحْرُومِ “Në pasuritë e tyre ka pasur pjesë për lypësit dhe nevojtarët”,[2] zekati nuk është një dhuratë që e vë të varfrin nën detyrim, por është dorëzimi i të drejtës që i takon atij.
Besimtarë të nderuar!
Zekati ndërton urat e ndihmës, solidaritetit, mëshirës dhe dhembshurisë mes besimtarëve. Ai bëhet shkak për forcimin e mëtejshëm të unitetit dhe vëllazërisë. Mundëson që vëllazëria të ndjehet në zemra, në shtëpi dhe në sofrat tona. Nga kjo pikëpamje, zekati jep një kontribut të madh në paqen dhe solidaritetin shoqëror.
Dhënia e zekatit e pastron njeriun nga egoizmi, zilia dhe koprracia. Zekati e ndihmon njeriun të frenojë dashurinë për pasurinë dhe ambicien për këtë botë brenda tij, si dhe ndihmon në pastrimin nga mëkatet. Siç thotë i Dërguari i Allahut (s.a.s): “…Zeqati i fshin dhe i shkatërron gabimet dhe mëkatet ashtu siç uji e fik zjarrin”.[3]
Besimtarë të dashur!
Sadekatul-fitri, të cilën e njohim si “fitra”, është falënderimi për arritjen e Ramazanit të madhërishëm dhe për pritjen e Bajramit. Profeti ynë i Nderuar (s.a.s), na urdhëron që t’i dërgojmë sadakatë tona të fitrit tek nevojtarët, para se të falim namazin e bajramit.[4] Sepse me sadakanë e fitrit, Fitër Bajrami shndërrohet në një kohë të veçantë ku mëshira, dashuria, hareja dhe gëzimi përhapen në të gjithë shoqërinë.
Të nderuar besimtarë!
Parimi kryesor rreth zekatit dhe sadakasë fitër, është që njeriu fillimisht të kujdeset për të afërmit dhe fqinjët e tij nevojtarë. Më pas, t’i dërgojë ndihmat e tij te vëllezërit që ndodhen në vendet e shtypura dhe të dëmtuara. Sot, detyra jonë është që duke marrë shkas këtë Ramazan të bekuar në të cilin ndodhemi, ta gëzojmë sofrën e një të varfri me zekatet dhe fitret tona. Të lehtësojmë barrën e një borxhliu. T’i zgjasim dorën udhëtarit të mbetur në rrugë. Të bëjmë të qeshë fytyrën e një jetimi, të një fëmije pa prindër dhe të një të huaji nevojtar. Të vazhdojmë të jemi pranë të shtypurve dhe të bëhemi shpresë për ta. Në këtë mënyrë, mundësitë që na ka dhuruar Zoti Fuqiplotë, t’i shndërrojmë në një fitim të përjetshëm.
Hutben po e përfundojmë duke përcjellë ajetin fisnik ku Allahu xh.sh. thotë:
“Faleni namazin dhe jepeni zekatin! Çfarëdo të mire që të bëni për shpirtin tuaj, do ta gjeni tek Allahu. Në të vërtetë, Ai sheh mirë gjithçka që bëni!”.[5]
[1] Bakara: 276.
[2] Dharijat: 19.
[3] Tirmidhiu: Xhum’a, 79.
[4] Buhariu: Zekat, 70.
[5] Bakara: 110.