Qendra MINBER

Zekati: Shtuesi i begatisë

Home » Zekati: Shtuesi i begatisë

 

 

Të nderuar besimtarë, në ajetin që lexuam Allahu i Lartmadhëruar na thotë: “Kryeni faljen (namazin) dhe jepeni zeqatin, e çfarëdo të mirë që e përgatitni për veten tuaj, atë e gjeni tek All-llahu. S’ka dyshim se All-llahu përcjell çdo veprim tuajin.”[1]

Ndërsa në hadithin e lexuar Profeti jonë i nderuar a.s. ka thënë: “Allahu e ka obliguar zekatin vetëm për të pastruar pjesën e mbetur të pasurisë tuaj”.[2]

Të nderuar besimtarë!

Një nga pesë parimet bazë të urdhëruara nga feja jonë është zekati. Zekati, nënkupton që një musliman që konsiderohet i pasur, duhet të ndajë një pjesë të caktuar të pasurisë së tij ndaj atyre që kanë nevojë, një herë në vit për hir të Allahut. Zekati është një shenjë e mirënjohjes sonë ndaj Zotit të Plotfuqishëm, pronarit të vërtetë të begative. Ky është një tregues se ne nuk duhet të hezitojmë të sakrifikojmë pasurinë tonë në rrugën e Allahut. Profeti a.s. na thotë në një hadith se:

وَالصَّدَقَةُ تُطْفِئُ الْخَطِيئَةَ كَمَا يُطْفِئُ الْمَاءُ النَّارَ

 “Ashtu siç uji e shuan zjarrin, zekati i fshin gabimet dhe mëkatet[3]

Për muslimanët që konsiderohen të pasur sipas normës Islame të përcaktimit të pasurisë, zekati nuk është zgjedhje, por obligim. Dhënia e zekatit shton begatinë e pasurisë, i jep qetësi zemrës së besimtarit dhe bëhet mjet për në Xhenet. Mosdhënia e zekatit largon begatinë, e bën njeriun rob të koprracisë, lakmisë dhe pangopësisë dhe e shtyn atë drejt një mundimi të dhembshëm në botën tjetër.

Të nderuar besimtarë!

Allahu xh.sh. në Kur’anin Famëlartë thotë:

وَفِي أَمْوَالِهِمْ حَقٌّ لِلسَّائِلِ وَالْمَحْرُومِ

Dhe në pasurinë e tyre kishin përcaktuar të drejtë për lypësin dhe për të ngratin (që ka nevojë por nuk lyp).”[4] Është e vërtetë se duke dhënë zekatin, muslimani i pasur jep për ata që kanë nevojë, atë që në fakt u takon atyre. Zekati ndërton ura dashurie dhe besimi mes besimtarëve. Ai bashkon zemrat tona, forcon vëllazërinë, unitetin dhe solidaritetin tonë si dhe kontribuon në paqen shoqërore.

Zekati nënkupton mbjelljen e farave të mirësisë në mbarë botën. Thënë ndryshe, të thotë që të zgjasim dorën tonë për ata që kanë nevojë, kudo që janë në botë. Zekati është për të sjellë shpresë për të gjithë të shtypurit dhe të privuarit që janë sprovuar me varfëri dhe luftojnë për të mbijetuar në kushte të vështira.

Muslimani me anë të zekatit gëzon motrat dhe vëllezërit nevojtarë duke shtruar për ta iftar dhe syfyr gjatë Ramazanit, muajit të mëshirës dhe faljes. Zekati është që të mbrojmë dhe të kujdesemi për jetimët, të cilët na janë besuar nga Zoti, e të ndajmë me ta gëzimin e bajrameve. Pejgamberi a.s. në një hadith ka përgëzuar duke thënë:

« أَنَا وَكَافِلُ الْيَتِيمِ فِى الْجَنَّةِ هَكَذَا. وَأَشَارَ بِالسَّبَّابَةِ وَالْوُسْطَى ، وَفَرَّجَ بَيْنَهُمَا شَيْئًا

Unë dhe ai që kujdeset për jetimin do të jemi krah për krah në parajsë kështu”, tha duke treguar gishtin tregues dhe gishtin e mesit”.[5]

Hutben po e mbyllim me Ajetin Kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë:

 لَنْ تَنَالُوا الْبِرَّ حَتَّىٰ تُنْفِقُوا مِمَّا تُحِبُّونَ ۚ وَمَا تُنْفِقُوا مِنْ شَيْءٍ فَإِنَّ اللَّهَ بِهِ عَلِيمٌ

Kurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë me besim (as kënaqësinë e lumtur në xhennet) derisa të mos e jepni më të dhembshmen (më të dashurën) e pasurisë suaj. Çkado që jepni (për Zotin), All-llahu atë e di.”[6]

 

[1] Bekare, 110.

[2] Ebu Davud, Zekat, 32.

[3] Tirmidhi, Xhum’a, 79.

[4] Dharijat, 51/19.

[5] Buhari, Talak, 25.

[6] Ali Imran, 92