Të nderuar besimtarë!
Xhamitë dhe mesxhidet, të cilat janë burim i qetësisë shpirtërore, i sigurisë, i mëshirës dhe i begatisë janë vende adhurimi, ku i paraqesim robërinë tonë Allahut Fuqiplotë, mësojmë udhëzuesin tonë të jetës, Kuranin fisnik, dhe njihemi me moralin e bukur të Profetit të mëshirës, Muhamedit (a.s.). Xhamitë dhe mesxhidet janë ambientet shpirtërore ku qëndrojmë krah për krah në të njëjtin rresht, duke forcuar unitetin dhe afrimin mes nesh. Ato janë qendra të së vërtetës që e thërrasin njerëzimin drejt monoteizmit, shpëtimit, bamirësisë dhe mirësisë. Ashtu siç thotë edhe I Dërguari i Allahut (a.s.): “Vendet më të dashura tek Allahu në vendbanime janë xhamitë”.[1]
Të nderuar besimtarë!
Xhamitë nuk janë vetëm vende ku mblidhemi për të bërë adhurim. Xhamitë janë qendra edukative, ku të gjithë: burra, gra, të rinj dhe të moshuar, mblidhen së bashku me dije dhe mençuri, formohen me informacion e urtësi dhe ndërtojnë personalitetet e tyre me drejtësi dhe mëshirë. Të frymëzuar nga ky shpirt unik i xhamive, të parët tanë ndërtuan një qytetërim madhështor. Në thelb të këtij qytetërimi të përqendruar te xhamitë, elementi më i rëndësishëm është përkushtimi ndaj Kuranit famëlartë dhe Sunetit të Pejgamberit (a.s.). Në këtë qytetërim, të jesh bashkëshort besnik, fëmijë i devotshëm, prind i dhembshur, fqinj i besueshëm, të kujdesesh për të afërmit, jetimët, nevojtarët dhe të pafuqishmit është standardi i vetë jetës islame. Të fitosh nga ajo që është e ligjshme, të mos shtrish dorën drejt asaj që është e paligjshme, të mos matësh gabim e mangët, të mos nënvlerësosh dhe të mos mashtrosh askënd si dhe përvetësimi i ndershmërisë si moto në biznes dhe në jetën e punës, përkujdesja për të drejtat e të tjerëve dhe të publikut, inkurajimi i vlerave, si: solidariteti, ndershmëria, drejtësia, morali dhe mbështetja midis jetës së tregtisë është prej veçorive të qytetërimit islam.
Ndërtimi, riparimi dhe mbajtja gjallë e xhamive dhe mesxhideve, të cilat janë themeli i qytetërimit islam dhe zemra e qyteteve tona, është detyra jonë si myslimanë. Krahas aspektit fizik, nga kjo duhet të kuptojmë se mbajtja gjallë e xhamive do të thotë vazhdimi i identitetit të tyre si qendra të dijes dhe urtësisë. Do të thotë pasurimi i jetës sonë me dijen që mësojmë në xhami si dhe përfaqësimi i Islamit në mënyrën më të mirë me begatitë dhe edukatën që marrim prej tyre. Ndërsa shkatërrimi i tyre, pengimi i adhurimit në to, kthimi i tyre në objekte të padobishme si materialisht ashtu edhe shpirtërisht është nga padrejtësitë e mëdha. Siç thuhet edhe në Kuranin famëlartë, paralajmërimi i Allahut (xh. sh.) rreth kësaj është i qartë:
وَمَنْ أَظْلَمُ مِمَّن مَّنَعَ مَسَـٰجِدَ ٱللَّهِ أَن يُذْكَرَ فِيهَا ٱسْمُهُۥ وَسَعَىٰ فِى خَرَابِهَآ ۚ أُو۟لَـٰٓئِكَ مَا كَانَ لَهُمْ أَن يَدْخُلُوهَآ إِلَّا خَآئِفِينَ ۚ لَهُمْ فِى ٱلدُّنْيَا خِزْىٌۭ وَلَهُمْ فِى ٱلْـَٔاخِرَةِ عَذَابٌ عَظِيمٌۭ
“E kush mundet të jetë më mizor se ai që në xhamitë e Allahut pengon të përmendet emri i Tij (të bëhet ibadet) dhe përpiqet për shkatërrimin e tyre. Atyre ndryshe nuk u takoi të hynin vetë në to, vetëm duke qenë respektues (të tyre e jo rrënues). Ata në këtë jetë kanë nënçmim e në botën tjetër dënim të madh”.[2]
Të nderuar besimtarë!
Atëherë, le të mos i lëmë xhamitë që i ndërtuam me shumë mund pa xhemat. Të mos i braktisim ato në vetmi. Le të takohemi në xhami për të falur pesë namazet ditore, ashtu siç takohemi për namazin e xhumasë dhe të Bajramit, dhe le të vijmë në xhami familjarisht. Të mos i privojmë fëmijët dhe rininë, sigurinë e së ardhmes sonë, nga atmosfera shpirtërore e xhamive. Ta dimë se çdo hap që hedhim dhe çdo sekondë që kalojmë duke shkuar në xhami me qëllime të sinqerta do të jetë një shkak për faljen e mëkateve tona, për harmoninë e shtëpive dhe begatinë e jetës. Të mos harrojmë se, si në çdo periudhë të historisë, sot dhe nesër xhamitë do të jenë qendrat e ruajtjes së Islamit.
Në këtë kontekst, kur flasim për xhamitë, nuk mund të lëmë pa përmendur pikërisht hoxhallarët, imamët dhe myezinët të cilët me ligjëratat dhe hytbet e tyre ndriçojnë xhematin me dije të vërtetë e të saktë rreth fesë dhe që kontribuojnë në ndërtimin e personalitetit, në zhvillimin e karakterit dhe në mbrojtjen e identitetit tonë fetar.
Duke përfituar nga rasti, e lusim Allahun t’ua shpërblej me të mira të gjithë atyre që kanë kontribuar në ndërtimin e xhamive dhe aktivizimin e tyre gjatë gjithë historisë dhe qoftë i kënaqur me hoxhallarët, imamët, myezinët që kanë shërbyer sinqerisht dhe ia kanë dedikuar jetën e tyre shërbimit ndaj fesë. Gjithashtu, e lusim Allahun t’u japë jetë të hairit bamirësve dhe xhematit të xhamive që mirëmbajnë xhamitë.
[1] Muslimi: Mesaxhid, 288.
[2] Bakara: 114.