Qendra MINBER

Udhëtimi i Përsosjes së Njeriut: Islami, Imani dhe Ihsani

Home » Udhëtimi i Përsosjes së Njeriut: Islami, Imani dhe Ihsani

         

 

            Të nderuar besimtarë!

Një ditë, teksa i Dërguari i Allahut (s.a.s.) po bisedonte me shokët e tij, erdhi një burrë. Rrobat e tij ishin krejtësisht të bardha, ndërsa flokët e tij të zeza. Askush nuk e njihte atë. Duhet të kishte ardhur nga larg, mirëpo tek ai nuk kishte asnjë shenjë udhëtimi. U ul pranë Profetit (s.a.s.) dhe i tha: “O Muhammed! Më trego për Islamin”. I Dërguari i Allahut (s.a.s.) I’u drejtua: “Islami është të dëshmosh se nuk ka zot tjetër përveç Allahut (xh.sh.) dhe se Muhammedi (s.a.s.) është i dërguari i Tij; të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin dhe të kryesh haxhin nëse ke mundësi për të”.

Personi i pranishëm tha: “Ke të drejtë.” Shokët e Profetit u habitën që ky njeri edhe bënte pyetje, edhe e miratonte përgjigjen. Pastaj burri tha: “Më trego për besimin.” Profeti (s.a.s.) u përgjigj: “Besimi është të besosh në Allahun (xh.sh.), në engjëjt e Tij, në librat e Tij, në profetët e Tij, në ditën e ahiretit, në kaderin; dhe se e mira dhe e keqja vijnë nga Allahu (xh.sh.)”. Burri përsëri e miratoi duke thënë: “Të drejtë ke!” Më pas i tha: “Më trego për ihsanin”. Profeti (s.a.s.) e përkufizoi ihsanin kështu: “Ihsani është ta adhurosh Allahun (xh.sh.) sikur po E sheh Atë. Sepse, edhe pse ti nuk E sheh Atë, Ai me të vërtetë të sheh ty”. Burri bëri edhe disa pyetje në lidhje me kiametin dhe më pas u largua. Profeti ynë i dashur (s.a.s.) i tha Hazreti Omerit, i cili ishte dëshmitar i ngjarjes: “Ai ishte Xhabraili. Erdhi për t’ju mësuar fenë tuaj”.[1]

 

            Besimtarë të dashur!

Besimi është të pohosh me gjuhë dhe të pranosh me zemër ekzistencën dhe njëshmërinë e Allahut (xh.sh.), si dhe gjithçka që Profeti ynë (s.a.s.) ka sjellë nga Allahu i Lartësuar. Besimi është një lidhje dashurie dhe besueshmërie midis robit dhe Allahut (xh.sh.). Besimi është premtimi i besnikërisë dhe i sinqeritetit që njeriu, i cili njeh qëllimin e krijimit të tij, i jep Zotit të vet. Ajo që i takon besimtarit është që t’i qëndrojë besnik këtij premtimi dhe të përmbushë kërkesat e tij.

Besimtarë të nderuar!

Islami është të jetosh ashtu siç beson dhe ta reflektosh besimin në jetë. Është të adhurosh Allahun (xh.sh.) i nënshtruar plotësisht, t’ia përkushtosh qenien tënde materiale e shpirtërore rrugës së Tij, t’i bindesh urdhrave të Tij dhe t’i shmangesh ndalimeve të Tij. Është që myslimani, i cili është zotuar të jetë rob vetëm i Allahut (xh.sh.) pa i shoqëruar asnjë ortak, të tregojë besnikëri ndaj këtij zotimi me fjalët, qëndrimet dhe sjelljet e veta.

Besimtarë të dashur!

Ihsani, i cili përmendet në hadithin e Xhebrailit që lexova më sipër, është kulmi i vetëdijes së robërisë dhe i moralit të lartë e të drejtë. Ihsani është ta ndjesh në çdo çast të jetës ekzistencën e Zotit, i cili urdhëron: وَنَحۡنُ أَقۡرَبُ إِلَيۡهِ مِنۡ حَبۡلِ ٱلۡوَرِيدِ…Ne jemi më pranë tij se damari i qafës së vet..[2] Sipas ajetit: وَهُوَ مَعَكُمۡ أَيۡنَ مَا كُنتُمۡۚ وَٱللَّهُ بِمَا تَعۡمَلُونَ بَصِير Ai është me ju kudo që të gjendeni; Ai sheh gjithçka që bëni.,[3] ihsani do të thotë të jetosh gjithmonë nën mbikëqyrjen hyjnore, në praninë e Zotit, dhe me vetëdijen se jemi nevojtarë për mirësinë dhe ndihmën e Tij.

Të nderuar besimtarë!

Të besosh, të përmbushësh adhurimet që janë urdhër i Islamit dhe të veprosh me vetëdijen e ihsanit, janë si shkallë që plotësojnë njëra-tjetrën. Njeriu që beson në Allahun (xh.sh.) dhe në të vërtetat që Ai ka shpallur, natyrisht që do të përpiqet të jetë një mysliman i sinqertë duke mos i lënë pas dore adhurimet e veta. Kërkesa e domosdoshme e besimit dhe e adhurimit është të kesh moral të lartë e të drejtë. Personi që beson, por nuk e përsos këtë me adhurim dhe moral, është në humbje. Njeriu që nuk e kurorëzon moralin e tij me besim dhe adhurime, mbetet i privuar nga pëlqimi i Allahut (xh.sh.). Kurse ai që kryen adhurime, por ka dobësi në aspektin moral, duhet të llogarisë veten e tij dhe të tregohet i kujdesshëm e i përulur në adhurime. Pra, çdo njeri që… si rob beson në Zotin e tij, si fe i dorëzohet Islamit dhe si profet ndjek Hazreti Muhammedin (s.a.s.), duhet ta zbukurojë besimin, adhurimin dhe moralin e tij. Pikërisht atëherë besimtari do të arrijë këtë përgëzim të Kuranit Fisnik: Sa u përket atyre që besojnë, bëjnë vepra të mira dhe lidhen me zemër e përulësi ndaj Zotit të tyre, pikërisht ata janë banorët e xhenetit. Ata do të qëndrojnë aty përgjithmonë”.[4]

Mos ta lëmë pa ujitur zemrën tonë nga një mirësi si besimi, nga një ushqim si adhurimi dhe nga një vetëdije si ihsani. Sepse në këto tre xhevahire fshihet themeli i çdo lloj mirësie, bukurie dhe të vërtete që i përket botës sonë dhe ahiretit, si dhe kuptimi i të qenit njeri dhe rob i bindur ndaj Zotit.

Për këtë arsye, le të jemi të sinqertë dhe të përkushtuar në rrugën e bindjes ndaj Zotit. Mos ta heqim nga mendja se çdo fjalë që na del nga goja, çdo punë që na buron nga dora, çdo vështrim që na rrjedh nga syri dhe çdo hap që hedhim ka një vlerësim dhe shpërblim tek Allahu i Lartësuar.

Hutben po e përmbyll me këtë lutje të Profetit tonë të dashur (s.a.s.): O Allahu im! Më mundëso të arrij veprat dhe moralin më të bukur. Te më i bukuri i tyre mund të më udhëzosh vetëm Ti. Më mbro gjithashtu nga punët e liga dhe nga morali i ulët. Prej tyre mund të më ruash vetëm Ti”.[5]

 

[1] Muslimi: Iman,1.

[2] Kaf: 16.

[3] Hadid: 4.

[4] Hud: 23.

[5] Nesai: Iftitah, 16.