Të nderuar besimtarë!
Begatia shpirtërore e tre muajve Rexhep, Shaban dhe Ramazan, që janë shkak për përfitimin e mëshirës dhe faljes, dashurisë dhe bereqetit, tani më ka ardhur. Zemrat tona do të gjejnë edhe një herë paqe me flladet e stinës së mëshirës. Tre muajt, vijnë edhe një herë për të gëzuar zemrat e besimtarëve. Tashmë, po ndihen mirësitë e muajit Rexheb, mëshira e muajit Shaban dhe falja e muajit të shenjtë të Ramazanit. Prandaj edhe ne si besimtarë për të kërkuar ndihmën hyjnore në këtë rrugë, duhet ta përsërisim sa më shumë lutjen që na është mësuar nga Pejgamberi a.s. ku thotë:
اللَّهُمَّ أَعِنِّي عَلَى ذِكْرِكَ، وَشُكْرِكَ، وَحُسْنِ عِبَادَتِكَ
“O Allah, më ndihmo të të përmend Ty, të të falenderoj Ty dhe të të adhuroj sa më bukur Ty!”.[1]
Lavdërimet dhe falënderimet e pafundme janë për Allahun Fuqiplotë që na solli në këto ditë të veçanta, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi Muhammedin a.s. që na mësoi se si ti shfrytëzojmë këto ditë të begata.
Këto tre muaj, janë një ndër shenjat e mëshirës së pafundme të Krijuesit ndaj njerëzimit. Është një stinë kur bekimet dhe begatitë e Tij bien mbi ne. Kur Profeti a.s arrinte këtë stinë shumë të çmuar dhe të virtytshme, i lutej Zotit të Madhërishëm me këto fjalë:
اَللَّهُمَّ بَارِكْ لَنَا فِي رَجَبَ، وَشَعْبَانَ، وَبَلِّغْنَا رَمَضَانَ
“O Allah, na beko në muajin Rexheb dhe Shaban, dhe na mundëso të arrijmë muajin Ramazan”.[2]
Të nderuar besimtarë!
Kjo stinë e mëshirës është një mundësi e madhe për ne që të njohim vlerën e kësaj saj dhe t’i drejtohemi Zotit me nënshtrim të plotë. Të shikojmë me kritikë jetën tonë të përditshme, të pyesim veten se ku po shkojmë. Të mendojmë për ku dhe për çfarë po e kalojmë jetën tonë dhe ti kërkojmë llogari vetes, para se të vdesim. Të braktisim gjërat, që nuk janë të dobishme për jetën e kësaj bote dhe ahiretin dhe të brumosemi me farën e së vërtetës dhe të drejtës. Është koha për t’u pastruar nga zakonet e shëmtuara dhe të këqija dhe për t’u pajisur me moral të mirë. Duhet të pendohemi për gabimet dhe mëkatet tona dhe të kërkojmë strehim në mëshirën e madhe të Zotit me pendim të sinqertë. Sepse besimtari duhet të përgatitet për atë ditë shumë të vështirë të gjykimit, ku njeriu do të ikë nga vëllai, nëna, babai, gruaja dhe fëmija dhe askush nuk do t’i vlejë askujt tjetër.
Natyrisht, detyra jonë në këtë periudhë është që, të përfitojmë nga klima shpirtërore e tre muajve që Zoti i ka dhuruar si kohë të mëshirës hyjnore dhe i ka bërë shkak në pranimin e lutjeve dhe faljes së mëkateve. Megjithatë, ne e dimë se të qenit rob i Allahut nuk kufizohet në kohë të caktuara. Pavarësisht se cili muaj, ditë apo orë e vitit është, çdo moment që kalojmë me vetëdijen e nënshtrimit dhe adhurimit ndaj Tij është i çmuar. Ndërkaq, Allahu i Madhëruar në Kur’an thotë:
وَٱعۡبُدۡ رَبَّكَ حَتَّىٰ يَأۡتِيَكَ ٱلۡيَقِينُ
“Adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja”.[3] Atëherë, për të arritur lumturinë në të dy botët, le të jetojmë një jetë të mbushur me besim, sinqeritet, ndershmëri dhe devotshmëri. Le të përpiqemi t’i ndriçojmë zemrat tona me anë të adhurimeve, të cilat errësohen për shkak të pasioneve të dynjasë dhe egoizmit. Ndërsa në një Hadith kudsij, Pejgamberi a.s. na informon se Allahu xh. sh. thotë:
يَا ابْنَ آدَمَ تَفَرَّغْ لِعِبَادَتِى أَمْلأْ صَدْرَكَ غِنًى
“O biri Ademit! Përkushtoju adhurimit ndaj meje, që ta mbush zemrën me pasuri”.[4]
Të nderuar besimtarë!
Sipas Islamit, patjetër që adhurimi dhe bindja ndaj Krijuesit nuk kufizohen në ditë dhe netë të caktuara. Çdo moment i yni është i çmuar për të fituar pëlqimin e Zotit.
Hytben po e mbyllim me Suren Asr, ku Allahu i Lartmadhëruar thotë:
“Për kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin”.
[1] Ibn Hanbel, II, 299.
[2] Taberani, el-Mu’xhemu’l-eusat, IV, 189.
[3] Hixhr, 99.
[4] Ibn Hanbel, II, 359.