Të nderuar besimtarë!
Një nga përgjegjësitë, që feja jonë Islami dëshiron, që ne ta përmbushim është shpërndarja e trashëgimisë siç është urdhëruar nga Allahu dhe i Dërguari i Tij. Trashëgimia është ndarja e pasurisë, pronave dhe vlerava të ndryshme të lëna pas nga një person, që ndërron jetë, ndërmjet trashëgimtarëve brenda kritereve të caktuara.
Në Kur’anin Famëlartë, dispozitat në lidhje me trashëgiminë janë shpjeguar në mënyrë të detajuar dhe janë shprehur si “Hududullah”, pra kufijtë e caktuar nga Allahu. Profeti a. s. duke kërkuar, që asnjë trashëgimtar të mos privohet nga pjesa e tij e drejtë në trashëgimi, në hadithin që përmendëm ka thënë kështu: “Ndajeni paurinë (trashëgimore) mes trashëgimtarëve sipas librit të Allahut…”.[1]
Islami, ashtu si në çdo çështje të jetës tonë, edhe në shpërndarjen e trashëgimisë na urdhëron, që të zbatojmë me përpikëri drejtësinë dhe t’i japim çdo trashëgimtari të ligjshëm të drejtën e tij, pavarësisht nëse janë burra apo gra, të mëdhenj apo të vegjël. Kështu që, në ajetin e shtatë të sures Nisa, Allahu i Lartmadhëruar thotë:
لِّلرِّجَالِ نَصِيبٞ مِّمَّا تَرَكَ ٱلۡوَٰلِدَانِ وَٱلۡأَقۡرَبُونَ وَلِلنِّسَآءِ نَصِيبٞ مِّمَّا تَرَكَ ٱلۡوَٰلِدَانِ وَٱلۡأَقۡرَبُونَ مِمَّا قَلَّ مِنۡهُ أَوۡ كَثُرَۚ نَصِيبٗا مَّفۡرُوضٗا
“Meshkujve u takon pjesë nga ajo që ua kanë lënë prindërit dhe të afërmit, por, edhe femrave u takon pjesë nga ajo që ua kanë lënë prindërit dhe të afërmit qoftë ajo pak apo shumë, si pjesë e caktuar dhe e detyruar”.[2]
Në këtë kontekst, feja jonë asnjëherë nuk i ka viktimizuar apo privuar gratë në shpërndarjen e trashëgimisë; përkundrazi, u ka njohur atyre të drejtë pjese trashëgimie nga pasuria, që lihet nga prindërit, nga bashkëshortët dhe fëmijët, madje edhe nga nipërit e tyre kur është e nevojshme.[3] Islami, gjithashtu, e shikon të ligjshme, që trashëgimtarët ta ndajnë trashëgiminë mes tyre edhe sipas dëshirës, por në bazë të pëlqimit të dyanshëm.
Të nderuar besimtarë!
Në ditët e sotme, negativitetet kryesore, që shkaktojnë shtimin e problemeve familjare, pakënaqësitë dhe grindjet mes vëllezërve, motrave dhe të afërmve, janë padrejtësitë në ndarjen e trashëgimisë. Ndërkaq, mos zbatimi i kritereve të përcaktuara nga Islami në ndarjen e trashëgimisë është mëkat i madh dhe përgjegjësi e rëndë. Të mos u japësh vajzave të drejtat e tyre të plota, t’i privosh nga trashëgimia sepse martohen dhe t’u dhurosh atyre prona dhe toka të pavlera, që asnjë trashëgimtar nuk e dëshiron është një mizori e qartë. Siç thuhet në ajet, uzurpimi i të drejtave të trashëgimisë së jetimëve nënkupton mbushjen e barkut me një copëz zjarr.[4] Personi mund ta ndajë pronën e tij mes fëmijëve, me kusht, që të mos largohet nga drejtësia. Shkelja e të drejtave të tjerëve duke i dhuruar të gjithë ose një pjesë të trashëgimisë njërit prej fëmijëve është devijim nga drejtësia. Ndërkohë I Dërguari i Allahut a.s. thotë:
اِتَّقُوا اللّٰهَ وَاعْدِلُوا فِى أَوْلاَدِكُمْ
“Kini frikë Allahun dhe silluni me drejtësi ndaj fëmijëve tuaj”.[5]
Ashtu si të gjitha normat e vendosura nga Allahu xh.sh., kriteret në shpërndarjen e trashëgimisë janë dispozitat më të përshtatshme për natyrën njerëzore. Mënyra e vetme për të eliminuar të gjitha negativitetet dhe problemet në ndarjen e trashëgimisë është respektimi plotësisht i parimit të drejtësisë, i sjellë nga Islami.
Në Kur’anin Famëlartë, përfundimi i dhimbshëm i atyre, që bëjnë padrejtësi në shpërndarjen e trashëgimisë theksohet si vijon:
وَمَن يَعۡصِ ٱللَّهَ وَرَسُولَهُۥ وَيَتَعَدَّ حُدُودَهُۥ يُدۡخِلۡهُ نَارًا خَٰلِدٗا فِيهَا وَلَهُۥ عَذَابٞ مُّهِينٞ
“Ndërsa atë që nuk i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe shkel kufijtë e vënë prej Tij, Allahu e shpie në zjarr, ku do të qëndrojë përherë dhe për të ka ndëshkim poshtërues”.[6] Atëherë, të mos i shkelim kurrë kufijtë e vendosur nga Zoti i Plotfuqishëm në lidhje me trashëgiminë, duke u mashtruar nga interesat e përkohshme të kësaj bote dhe duke u rrëmbyer nga egoja e pakontrolluar.
Le t’i japim çdo kujt të drejtën që meriton, të mos u hyjmë të tjerëve në hak. Le të respektojmë mëshirën dhe meritën, ndërgjegjen dhe drejtësinë në ndarjen e trashëgimisë. Të mos harrojmë se, fundi i atyre, që nuk pajtohen me ndarjen e trashëgimisë siç e ka caktuar Zoti, dhe që lakmojnë më shumë se sa u takon, do të kenë zhgënjim në këtë botë dhe mundim të dhembshëm në ahiret.
Hytben e sotme po e mbyllim me hadithin e Pejgamberit a. s. ku na paralajmëron si vijon:
لاَ يَأْخُذُ أَحَدٌ شِبْرًا مِنَ الأَرْضِ بِغَيْرِ حَقِّهِ إِلاَّ طَوَّقَهُ اللَّهُ إِلَى سَبْعِ أَرَضِينَ يَوْمَ الْقِيَامَةِ
“Askush të mos marrë qoftë edhe një pëllëmbë tokë nga ajo që nuk ka të drejtë! Nëse ai e merr atë, Allahu do ti vendosë shtatë katë tokë në qafën e tij në Ditën e Gjykimit”.[7]
[1] Muslimi, Feraid, 4.
[2] Nisa, 7.
[3] Nis, 10; Darekutni, es-Sunen, 5/160-161.
[4] Nisa, 10.
[5] Muslimi, Hibe, 13.
[6] Nisa, 14.
[7] Muslimi, Musakat, 141.