Të nderuar besimtarë!
Në ajetin e sipërpërmendur, Zoti ynë i Lartësuar thotë: “Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Ai dënon ashpër…” [1]
Në hadith, i Dërguari ynë i dashur, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, thotë: “Më të mirët tuaj janë ata që shpresohet për mirësinë e tyre dhe ata që janë të sigurt nga keqja e tyre, dhe më të këqinjtë tuaj janë ata që nuk shpresohet për mirësinë e tyre dhe nuk janë të sigurt nga keqja e tyre.” [2]
Të nderuar besimtarë!
Një nga qëllimet e besimit tonë të drejtë, Islamit, është që mirësia të mbizotërojë në tokë dhe që e keqja të largohet. Islami na ka treguar rrugën për të arritur këtë, dhe kjo rrugë është urdhri për të bërë mirë dhe ndalimi i të keqes, pra, veprimi i çdo gjëje të drejtë, të mirë dhe të dobishme, dhe shmangia e çdo gjëje të gabuar, të keqe dhe të dëmshme.
Metoda e jetës sonë, Kur’ani i Shenjtë, ka vendosur besimin, adhurimin dhe sjelljen e mirë si qendrën e mirësisë. Na urdhëron të garojmë në bamirësi, devotshmëri dhe mirësjellje dhe të shmangim të keqen në të gjitha format e saj. Ai ka dashur që mirësia të reflektohet në çdo aspekt të jetës sonë, nga ndjenjat dhe mendimet tona, tek fjalët dhe sjelljet tona. Profeti ynë Muhamed, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, i cili është shembulli më i madh i mirësisë, ka punuar për të ndërtuar një botë ku të gjithë mund të jetojnë në paqe dhe ka inkurajuar umetin e tij të veprojë në këtë drejtim. Ai i ka mbushur zemrat që ishin robëruar nga urrejtja dhe përçmimi dhe që u mungontemëshira, me urtësi, dashuri dhe njohuri, dhe ka ndihmuar, që të ndërtohet një qytetërim i ri, që mund të shërbejë si shembull për gjithë njerëzimin.
Të nderuar vëllezër e motra!
Thelbi i vërtetë i mirësisë është besimi në Allahun, ditën e fundit, melaiket, librat dhe profetët. Është e domosdoshme të jetojmë një jetë me vetëdije për adhurimin dhe përgjegjësinë. Po ashtu, është e rëndësishme të angazhohemi në njohuri, dashuri, lutje, pikëllim dhe mërzi, të shmangim çdo formë dhune, të ruajmë duart nga të ndaluarat, gjuhën nga gënjeshtrat dhe zemrat tona nga inati dhe armiqësia. Po ashtu, duhet të përcjellim mesazhin e Islamit, i mbushur me mëshirë, te zemrat që janë bosh nga dashuria. Duhet të mbyllim të gjitha rrugët që çojnë te e keqja, që e prishin natyrën njerëzore, dobësojnë moralin dhe çojnë në armiqësi, urrejtje dhe inat. Në përmbledhje, duhet të trajtojmë veten, familjen, mjedisin dhe çdo krijesë me mëshirë, dashuri dhe mirëkuptim, për hir të kënaqësisë së Zotit tonë.
Të nderuar besimtarë!
Për fat të keq, në kohën e tanishme, e keqja dhe ata që përhapin të keqen kanë marrë më shumë hapësirë në agjendat e njerëzimit. Zërat e atyre, që shkatërrojnë tokën janë më të lartë se ata, që duan ta rregullojnë atë. Paqja është zëvendësuar nga lufta, mëshira nga dhuna, dhe dashuria nga urrejtja. Ata, që përpiqen të përhapin të keqen, duan të largojnë fëmijët dhe rininë tonë nga vlerat e mira.
Edhe përballë të gjitha këtyre negativiteteve, secili prej nesh ka detyrime dhe përgjegjësi. Detyra jonë është të garojmë në mirësi, siç na urdhëron Zoti i Lartësuar në ajetin e shenjtë: “Përpiquni të garoni në vepra të mira”. [3]
Pa marrë parasysh rrethanat dhe kushtet, duhet ta mbajmë dhe ruajmë mirësinë në çdo kohë, dhe të qëndrojmë kundër së keqes dhe të këqijve. Duhet të punojmë me përkushtim për të siguruar, që fëmijët dhe të rinjtë tanë të jenë me të mirët dhe të drejtët, dhe të shmangin ligësinë dhe të ligjtë, si në jetën reale ashtu edhe në ambientet virtuale. Duhet t’i trajtojmë ata me butësi dhe dhembshuri. Duhet t’i ndriçojmë ata me dijen e drejtë, të saktë dhe të vërtetë dhe t’i njohim ata me moralin e bukur të Profetit tonë, paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të. Le të mos harrojmë se, mirësia do të bëjë që toka të lulëzojë dhe mirësia do ta bëjë botën të përshtatshme për jetesë.
[1] Maide, 2
[2] Tirmidhi, Kitabu el-Fiten, 76
[3] Bekare, 148