Qendra MINBER

Të jetojmë pa harruar Allahun, ahiretin dhe vdekjen

Home » Të jetojmë pa harruar Allahun, ahiretin dhe vdekjen

Të nderuar besimtarë!

Në ajetin që lexuam më sipër Allahu  (xh.sh.) thotë: “Ata i ka vënë poshtë djalli dhe i ka bërë që të harrojnë përmendjen e Allahut. Ata janë pala e djallit; në të vërtetë, pala e djallit janë humbësit”.[1]

Ndërsa në hadithin që përmendëm Pejgamberi (a.s.) thotë: “Sa i keq është robi që bëhet i pakujdesshëm, humbet kohë dhe harron varret! Sa i keq është robi që vepron me arrogancë, tejkalon kufijtë dhe harron nga ka ardhur dhe ku po shkon!”[2]

Njerëzit karakterizohen nga harresa, që do të thotë se janë qenie harruese. Ndonjëherë harrojnë veten, familjet, të afërmit, fqinjët dhe neglizhojnë përgjegjësitë e tyre. Ndonjëherë harrojnë qëllimin e krijimit dhe neglizhojnë mirësinë dhe dhembshurinë ndaj të tjerëve. Ndonjëherë zhyten në angazhimet e kësaj bote, duke injoruar jetën e përtejme; Ditën e Gjykimit, peshoren e drejtësisë, llogaridhënien, xhenetin dhe xhehenemin. Ndonjëherë harrojnë fenë, historinë dhe kulturën e tyre, duke u larguar nga thelbi nga ku ata vijnë.

Të nderuar besimtarë!

Harresa më e keqe është kur robi harron Zotin e tij. Megjithatë, kudo që të jemi, Zoti është me ne.[3] Ai është El-Habir: i Plotdijshëm për çdo gjë të dukshme dhe të fshehtë. Ndërkohë, në Kuranin Fisnik thuhet: إِنَّ ٱللَّهَ لَا يَخۡفَىٰ عَلَيۡهِ شَيۡء فِي ٱلۡأَرۡضِ وَلَا فِي ٱلسَّمَآءِ “Pa dyshim, Allahut nuk i fshihet asgjë në Tokë dhe as në qiell!”[4] Allahu i Plotfuqishëm është Krijuesi, Dhuruesi i jetës, Ai që sheh atë që bëjmë dhe Ai që dëgjon atë që themi. Ai e di se çfarë kemi në zemrat tona dhe është më afër nesh sesa damarët e qafës sonë. Kura për sëmundjet, ilaçi për shqetësimet dhe zgjidhja për problemet tona qëndron tek Ai. Pavarësisht të gjitha gabimeve dhe të metave tona, është Ai që na mëshiron me emrin e Tij Er-Rrahman, na i fal mëkatet me emrin e Tij El-Gafar dhe na furnizon me emrin e Tij Er-Rezak.

Të nderuar vëllezër dhe motra!

Në një prej fjalëve të tij Pejgamberi (a.s.) thotë: أَكْثِرُوا ذِكْرَ هَاذِمِ اللَّذَّات “Përkujtojeni vdekjen e cila jua prish shijen e gojës”.[5] I dërguari i Allahut, Muhamedi (a.s.) na informon se personat që kontrollojnë vullnetin e tyre dhe punojnë për jetën e përtejme, janë pikërisht njerëz të mençur.[6] Sepse, personi që harron vdekjen dhe llogaridhënien para Allahut është bërë rob i shejtanit. Sot, ata që hedhin bomba mbi popullatën civile, veçanërisht në Gaza, që masakrojnë të pafajshmit dhe kryejnë gjenocid, janë ata që e kanë harruar Zotin dhe janë bërë miq me shejtanin. Sot, shtypësit që vrasin pa mëshirë njerëzit, që Zoti e ka ndaluar dhe që ushtrojnë të gjitha format e dhunës mbi gratë, fëmijët dhe të moshuarit janë ata që kanë humbur vetëdijen e jetës së përtejme. Ata që punojnë për të korruptuar natyrën e pastër të të rinjve dhe fëmijëve me ideologji dhe gënjeshtra të çoroditura, janë ata që kanë humbur çdo ndjenjë të njerëzimit. Ata që e portretizojnë mëkatin si joshës në mediat dixhitale, inkurajojnë atë që është e ndaluar dhe shpërfillin privatësinë familjare, janë ata që nuk e marrin në konsideratë vdekjen dhe jetën e përtejme. Humbja e ndjeshmërisë ndaj së ligjshmes dhe së paligjshmes në biznes, punë e tregti dhe kërkimi i përfitimit përmes mjeteve të ndaluara, si interesi dhe bixhozi, janë pasojat e harresës së Zotit dhe jetës së përtejme.

Të nderuar besimtarë!

Atëherë, të bëjmë çmos që ta jetojmë jetën me vetëdijen se jemi nën shikimin absolut të Zotit në çdo moment dhe se pa dyshim do të mbajmë përgjegjësi për veprimet që kryejmë në këtë botë. Le të përpiqemi të jemi rob të mirë të Zotit përmes adhurimit dhe të fitojmë miratimin e Tij përmes moralit tonë të mirë. Le ta ruajmë me vendosmëri dhe durim dashurinë e Allahut që gjendet në zemrat e pastra të fëmijëve dhe të rinjve tanë. Le të jemi vigjilentë kundër trendeve të dëmshme që kërcënojnë jetën familjare ku mësojmë vlerat fetare, morale dhe njerëzore. Le të mos harrojmë se zhvillimi i botës dhe ndërtimi i një të ardhmeje të sigurt do të arrihet nga brezat që e njohin Zotin e tyre, që janë të vetëdijshëm për vdekjen dhe që përqafojnë vetëdijen e botës së përtejme, Ahiretit.

 

[1] Muxhadele: 19.

[2] Tirmidhiu: Sifatu’l Kijameh, 17.

[3] El-Hadid: 4.

[4] Ali Imran: 5.

[5] Nesai: Xhenaiz, 3.

[6] Tirmidhiu: Sifatu’l Kijameh, 25.