Të nderuar besimtarë!
Siç thuhet edhe në ajetin e Kuranit Famëlartë: “Dhe nga faktet (e madhërisë së) Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.”.[1] Rrjedhimisht, një nga shfaqjet më të qarta të mëshirës hyjnore është familja.
Të dashur besimtarë!
Familja është vatra e qetësisë dhe e dashurisë, e cila ngrihet mbi lidhjen e martesës (nikahut), parimet e së cilës janë përcaktuar qartë nga Islami. Ajo është vatër paqeje ku vështirësitë mbarten bashkarisht mbi supe; mundimet lehtësohen, ndërsa gëzimet shumëfishohen. Familja është një strehë e sigurt që na mbron dhe na mban larg mëkateve. Ajo është një institucion jetik, që shërben si urë lidhëse për përcjelljen e vlerave tona kombëtare e shpirtërore nga brezi në brez.
Besimtarë të nderuar!
Të jesh familje nuk do të thotë thjesht të ndash të njëjtën hapësirë fizike. Të jesh familje do të thotë të bashkosh duart për ta shndërruar si këtë botë, ashtu edhe botën tjetër, në një xhenet. Do të thotë të dish të mbash të fortë bashkimin dhe solidaritetin, si në ditë të mira, ashtu edhe në ditë të vështira. Të jesh familje nënkupton reflektimin e shembullit të shkëlqyer të Profetit tonë të Dashur (s.a.s.) në jetën tonë. Të jesh, ashtu si Ai (s.a.s.), një bashkëshort i besueshëm, prej dorës dhe gjuhës së të cilit të gjithë ndihen të sigurt. Të jesh një baba besnik e mirënjohës, që e pret të bijën në këmbë dhe i lëshon vendin e tij në shenjë nderimi. Të jesh një gjysh i mëshirshëm e plot dhembshuri, i cili zgjat sexhden e tij gjatë namazit vetëm e vetëm për të mos prishur lojën e nipërve që i kanë hipur mbi supe. Të jesh një njeri i mëshirshëm, që merr nën mbrojtje jetimët e të vobektët dhe u fal fëmijëve të mbetur pa askënd, ngrohtësinë e një vatre familjare.
Besimtarë të dashur!
Me kalimin e çdo dite, vlerat tona familjare po dëmtohen e po zbehen; martesat po shndërrohen në një barrë të rëndë financiare e sociale, ndërsa jeta e vetme dhe ajo jashtëmartesore po promovohen dhe po inkurajohen vazhdimisht. Edhe pse në besimin tonë theksohet me forcë se rrizku (furnizimi) i takon vetëm Allahut (xh.sh.),[2] diskursi se “të kesh fëmijë e bën jetën më të vështirë” po shtohet dita-ditës. Ndërkohë që e ardhmja e shteteve varet pikërisht nga ngritja, mbrojtja dhe fuqizimi i familjes. Kapitali më i madh i kombeve janë brezat që rriten dhe brumosen me vlerat shpirtërore e kombëtare. Për këtë arsye, ndihmesa në martesën e të rinjëve që janë drita e syve tanë, nuk është vetëm një përgjegjësi e nënës dhe e babait, por një detyrim i përbashkët i mbarë shoqërisë.
Të nderuar besimtarë!
Le ta shndërrojmë në parim udhëzues këshillën e Profetit tonë të Nderuar (s.a.s.): “Martesa më e mbarë është ajo që është më e lehta”.[3] Le të mos ngarkojmë mbi supet e të rinjve dhe të familjeve tona barra të rënda përmes ceremonive të fejesës, martesës dhe dasmës që bazohen në dukje dhe shpërdorim. Le t’i kthejmë vatrat tona në burime të paqes dhe të sigurisë. Le t’i shohim fëmijët tanë, të cilët janë dhuratë dhe mirësi nga Zoti ynë, si një rrugë dhe mjet bereqeti.
Hutben po e përmbyll duke përcjellë këtë hadith të Pejgamberit (s.a.s.) ku thotë se:
«خَيْرُكُمْ خَيْرُكُمْ لِأَهْلِهِ، وَأَنَا خَيْرُكُمْ لِأَهْلِي» “Më i miri prej jush është ai që sillet më mirë me familjen e tij. E unë jam ai që sillet më së miri me familjen e vet mes jush”.[4]
[1] Rum: 21.
[2] Hud: 6.
[3] Ebu Daud: Nikah, 30-31.
[4] Ibn Maxheh: Nikah, 50.