
Të nderuar besimtarë!
Ishin vitet e para të profecisë së të Dërguarit të Allahut (a.s.). Presioni dhe mizoria e ushtruar ndaj myslimanëve nga politeistët në Mekë ishte intensifikuar dhe jeta për besimtarët ishte bërë e padurueshme. Në një kohë kaq të vështirë, Allahu (xh.sh.) shpalli suren El-Inshirah, e cila përmban shumë lajme përgëzuese dhe urtësi për ne. Me shpalljen e kësaj sureje, Profeti (a.s.) u mbush me gëzim dhe lehtësim shpirtëror sepse Allahu (xh.sh.) kishte dhënë përgëzimin se pas çdo vështirësie me siguri do të japë lehtësim dhe qetësi.
Mesazhet qetësuese dhe shpresëdhënëse të sures Inshirah i përcjellim për të gjithë vëllezërit dhe motrat tona kudo në botë, veçanërisht për ata në Palestinë që po përballen me vështirësi dhe shtypje ekstreme:
اَلَمْ نَشْرَحْ لَكَ صَدْرَكَۙ. وَوَضَعْنَا عَنْكَ وِزْرَكَۙ. اَلَّـذ۪ٓي اَنْقَضَ ظَهْرَكَۙ. وَرَفَعْنَا لَكَ ذِكْرَكَۜ.
“Vallë, a nuk ta hapëm ty (Muhamed) kraharorin (për të pranuar besimin) dhe ta hoqëm barrën, e cila ta rëndonte tepër kurrizin, dhe ta ngritëm lart emrin?!” [1]
Ne besojmë se Allahu (xh.sh.) është i Plotfuqishëm për gjithçka. Është Ai që na rrethon me mëshirën dhe dhembshurinë e Tij. Është Ai që do ta lehtësojë ngushtimin në zemrat tona dhe do t’u sjellë prehje shpirtrave tanë. Zoti i Plotfuqishëm do të heqë barrët e rënda mbi ne dhe me siguri do të na shpëtojë nga të gjitha llojet e vështirësive dhe telasheve.
Të nderuar besimtarë!
Një e vërtetë tjetër që na kujton ne surja Inshirah, është: اِنَّ مَعَ الْعُسْرِ يُسْراًۜ .فَاِنَّ مَعَ الْعُسْرِ يُسْراًۙ “Me të vërtetë, pas vështirësisë – vjen lehtësimi! Me të vërtetë, pas vështirësisë – vjen lehtësimi!”[2] Po, ne besojmë se pas çdo hidhërimi do të vijë gëzimi dhe pas çdo vështirësie do të vijë lehtësimi. Sepse, Zoti i Plotfuqishëm nuk i braktisi kurrë profetët dhe besimtarët. Ai kurrë nuk i braktisi ata në mëshirën e tiranëve dhe armiqve. Ai e shpëtoi Nuhun (a.s.) nga shkatërrimi i përmbytjes, Ibrahimin (a.s.) nga zjarri i Nemrudit, Musain (a.s.) nga tirania e faraonit dhe Jusufin (a.s.) nga errësira e burgut të nëndheshëm. Dhe së fundmi, Ai e shpëtoi Profetin tonë, Muhamedin (a.s.), nga të gjitha llojet e kurtheve dhe shtypjeve të jobesimtarëve dhe i hapi shumë dyer fitoreje.
Surja Inshirah, gjithashtu, na mëson edhe këtë të vërtetë: فَإِذَا فَرَغۡتَ فَٱنصَبۡ وَإِلَىٰ رَبِّكَ فَٱرۡغَب
“Prandaj, kur të çlirohesh (nga punët e ndryshme), përpiqu fort (në adhurim) dhe vetëm ndaj Zotit tënd përkushtohu!”[3] Siç thuhet në këto ajete, besimtarit nuk i shkon përtacia dhe indiferenca. Besimtari nuk mund të jetë i papërgjegjshëm ose neglizhent, e as nuk mund t’i dorëzohet plogështisë. Derisa të mbizotërojë mirësia në tokë, ai përpiqet të jetojë, të nxisë dhe të përhapë të vërtetën, drejtësinë dhe mëshirën. Besimtari gjithçka që bën e bën me qëllimin për të fituar pëlqimin e Zotit. I forcuar nga besimi i tij, ai kurrë nuk e humb shpresën përballë vështirësive në jetë si dhe punon me të gjitha forcat e tij për të ruajtur pavarësinë dhe të ardhmen e tij.
Të nderuar vëllezër dhe motra!
Një nga mizoritë më të dëshmuara në historinë e njerëzimit po zhvillohet sot, në Gaza. Njerëz të pafajshëm po vriten brutalisht. Shtëpi, xhami, shkolla dhe madje edhe spitalet po bombardohen pa mëshirë. Një krim i rëndë kundër njerëzimit po kryhet para syve të të gjithë botës. Mijëra njerëz të pafajshëm po vdesin njëkohësisht, ndërsa bota, e privuar nga dhembshuria dhe ndërgjegjja, thjesht e shikon këtë gjenocid. Duke qenë se raca, gjuha dhe feja e të shtypurve nuk ka rëndësi, ftojmë të gjithë njerëzimin të qëndrojë pranë të shtypurve kundër shtypësit.
Pejgamberi (a.s.) në një prej haditheve të tij thotë: الظُّلْمُ ظُلُمَاتٌ يَوْمَ الْقِيَامَةِ “Ditën e Kiametit padrejtësia/mizoria do të jetë errësirë (për vepruesin)”.[4] Vështirësitë që po përjetojnë myslimanët sot, pa dyshim do të marrin fund dhe shtypësit do të pësojnë një fat të hidhur në këtë botë dhe në tjetrën. Besimtarët me siguri do të triumfojnë, me ndihmën e Zotit. Kohët e vështira që po kalojmë janë paralajmëruese të ringjalljeve të reja. Mjafton që ne, si myslimanë, të veprojmë në unitet dhe solidariteti. Atëherë, le ta përjetësojmë vëllazërinë dhe dashurinë mes njëri-tjetrit. Le të jemi të mëshirshëm me njëri-tjetrin, të mprehtë dhe të fortë kundër së keqes. Le të mos e humbasim kurrë shpresën në mëshirën e Zotit. Le t’i përmbushim përgjegjësitë tona ndaj Zotit, ndaj vëllezërve tanë dhe njerëzimit. Zoti ynë le të na i lehtësojë vështirësitë dhe t’i shndërrojë ato në mëshirë. Le të na bëjë përsëri udhëheqës dhe model për njerëzimin.
Hytben e kësaj xhumaje po e përfundojmë me ajetin si vijon:
يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوٓاْ إِن تَنصُرُواْ ٱللَّهَ يَنصُرۡكُمۡ وَيُثَبِّتۡ أَقۡدَامَكُمۡ
“O besimtarë, nëse e ndihmoni Allahun, edhe Ai do t’ju ndihmojë dhe do t’ju bëjë të qëndroni fort në këmbët tuaja”.[5]
[1] Inshirah: 1-4.
[2] Inshirah: 5-6.
[3] Inshirah: 7-8.
[4] Buhariu: Medhalim, 8.
[5] Muhammed: 7.