Të nderuar muslimanë!
Një prej sureve në Librin tonë Fisnik, Kur’anin e Shenjtë, është sureja Jasin. Sureja Jasin, e cila i drejtohet mendjes dhe ndërgjegjes së njeriut, na përkujton se universi u krijua në ekuilibër dhe në harmoni, i jep kuptim jetës, ringjall zemrat dhe përcjell të vërtetën e realitetin. Profeti ynë a.s e vlerëson këtë sure duke thënë: “Çdo gjë ka zemër, e zemra e Kur’anit është sureja Jasin”. [1]
Të nderuar besimtarë!
E nisur me betimin për Kur’anin, i cili u zbrit si udhërrëfyes për gjithë njerëzimin, sureja Jasin thekson se paqja e vërtetë në këtë botë dhe në ahiret mund të arrihet vetëm duke iu përmbajtur urdhrave të tij. Në ajetin: “Të më adhuroni vetëm Mua?! Kjo është rruga e drejtë.”[2], ajo na fton të adhurojmë Allahun Një e të vetëm dhe ta jetojmë jetën sipas drejtësisë. Kjo drejtësi është rruga e Islamit, që nis me teuhidin (besimin në njësinë e Allahut), forcohet përmes adhurimeve dhe përmbushet përmes moralit të lartë. Një besimtar që ecën në këtë rrugë duhet të shfaqë sinqeritet në çdo vepër e sjellje dhe të qëndrojë larg hipokrizisë e mendjemadhësisë.
Me ajetin: “Në të vërtetë, ti (Muhamed) je një nga të dërguarit në rrugë të drejtë”[3], sureja Jasin na mëson se i Dërguari i Allahut a.s. është një lajmëtar i bekuar, i cili i fton gjithë njerëzit drejt lumturisë në këtë botë dhe në ahiret. Profeti ynë a.s. është burim udhëzimi, që i mëson njerëzimit të drejtën dhe të gabuarën, të mirën dhe të keqen, hallallin dhe haramin. Ai është Profeti i Mëshirës, i cili na mësoi ta duam jetimin, t’i ruajmë marrëdhëniet e mira me fqinjët dhe të jemi falës e zemërgjerë.
Të nderuar muslimanë !
Sureja Jasin i përgjigjet pyetjes së mohuesve, që thonë: “Kush do t’i ngjallë eshtrat kur të kalben?, përmes ajetit: “Thuaj: “Do t’i ngjallë Ai që i krijoi ato për herë të parë; Ai ka njohuri të plotë për çdo krijesë.”[4]
Profeti ynë i dashur a.s. rekomandon leximin e sures Jasin për besimtarët e vdekur.[5] Ky këshillim na mëson se çdo shpirt do ta shijojë vdekjen, se duhet të përgatitemi për ahiretin përpara se të vijë çasti ynë, dhe se do të japim llogari për fjalët e veprat tona. Sureja Jasin na paralajmëron për këtë realitet: “Sot Ne do t’ua vulosim atyre gojët e do të Na flasin duart e tyre dhe do të dëshmojnë këmbët e tyre për atë që kanë bërë.”[6]
Besimtarët që e kanë këtë vetëdije nuk largohen nga e mira, adhurimi dhe vepra e virtytshme, që janë edhe qëllimi i krijimit. Ata nuk duhet të anojnë kurrë nga veprat e liga, as nuk duhet të jetojnë sikur s’ka vdekje, s’ka ahiret, s’ka llogari e përgjegjësi. Ata duhet ti përmbushin detyrat e tyre ndaj Allahut, vetes, familjes, shoqërisë dhe mjedisit. Ata duhet të qëndrojnë gjithmonë përkrah të shtypurve e viktimave të padrejtësisë – sidomos vëllezërve e motrave tona në Gaza, që i rezistojnë heroikisht agresionit zionist dhe bashkëpunëtorëve të tij, pavarësisht vështirësive e mungesës së mjeteve. Ata përballen me vrasësit që nuk njohin asnjë parim human e moral, si nga ana materiale, ashtu edhe ajo shpirtërore.
Të nderuar besimtarë!
Sureja Jasin u jep lajmin e gëzueshëm besimtarëve me këto fjalë: “Sigurisht që atë ditë banorët e Xhenetit nuk do të mendojnë për gjë tjetër, veç lumturisë së tyre.”[7], “ dhe “Paqe!” do të jetë fjala prej Zotit Mëshirëplotë.”[8] Ndërsa mëkatarët e robëruar nga shejtani i paralajmëron kështu: “Ky është Xhehenemi, që ju ishte premtuar.”, “Digjuni tani në të, sepse kurrë nuk besuat!”[9]
Besimtarë muslimanë!
Le të motivohemi nga mësimet e kësaj sureje, për të shtuar adhurimin tonë, për të reflektuar sinqerisht mbi mangësitë tona dhe për t’iu drejtuar Allahut me pendim e përulësi. Le ti bëjmë llogarinë vetes përpara se të vijë Dita e Madhe e Llogarisë.
Po e mbyllim hutben e kësaj xhumaje me ajetin e fundit të Sures Jasin:
“Prandaj, qoftë lartësuar Ai, në Dorën e të Cilit është pushteti mbi çdo gjë! Tek Ai do të ktheheni!”[10]
[1] Tirmidhi, Fadail al-Qur’an, 7
[2] Ya-Sin, 61.
[3] Ya-Sin, 3, 4.
[4] Ya-Sin, 78, 79.
[5] Abu Dawud, Jana’iz, 19, 20
[6] Ya-Sin, 65.
[7] Ya-Sin, 55.
[8] Ya-Sin, 58.
[9] Ya-Sin, 63, 64.
[10] Ya-Sin, 83.