
Të Nderuar Besimtarë!
Kur’ani Famëlartë, udhërrëfyesi ynë për jetën, është mesazhi hyjnor që na prezanton me Zotin, na mëson urtësinë e krijimit dhe qëllimin e jetës. Kur’ani, është udhëzues që dallon të vërtetën nga e pavërteta dhe të drejtën nga e gabuara. Ai është shërim e mëshirë për zemrat dhe qetësi për shpirtrat tanë. Ndërsa, Suneti i Profetit a. s. është reflektimi i Kur’anit në jetë, besimi i vënë në praktikë dhe Islami i mishëruar. Në ajetin që lexuam në fillim të hutbes, Allahu i Lartëmadhëruar thotë: “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë”[1]
Të Dashur Besimtarë!
I Dërguari i Allahut Muhammedi a. s., në hadithin e lartpërmendur thotë: “Kushdo që e mban gjallë Sunetin tim, më do mua, dhe kushdo që më do, do të jetë me mua në Xhennet”.[2] Të jetosh sipas Sunetit do të thotë; ta duash Allahun xh.sh., t’u bindesh urdhrave dhe t’u shmangesh ndalesave të Tij. Do të thotë; Ta gdhendësh Kur’anin në zemër dhe jetë, dhe të përqafosh vlerat morale islame. Të jetosh sipas Sunetit do të thotë; të sigurohesh që dashuria dhe përzemërsia të mbizotërojnë brenda familjes. Do të thotë që; në biznes, ne duhet të respektojmë dallimin midis hallallit dhe haramit, si dhe të ruajmë drejtësinë dhe ndershmërinë. Të jetosh sipas Sunetit do të thotë; ta bëjmë jetën të jetueshme për njëri-tjetrin dhe të mos e dëmtojmë askënd me duart ose gjuhët tona. Të jetosh sipas Sunetit do të thotë; të jetojmë me vetëdijen e të qenit Ummet, ta duam njëri-tjetrin për hir të Zotit, të bashkohemi si tullat e një ndërtese dhe të ndajmë gëzimet dhe hidhërimet me njëri tjetrin. Gjithashtu do të thotë; të jetosh një jetë, pa dy ditë të njëjta.
Besimtarë Të Nderuar!
Ashtu si në të kaluarën edhe sot, njerëzimi ka nevojë për mesazhet e përjetshme të të Dërguarit të Allahut a. s. Suneti i tij përmban bukuri që prekin çdo zemër, u drejtohet çdo personi dhe udhëzon çdo shoqëri. Kjo e vërtetë shprehet në Kur’anin Fisnik:
لَّقَدۡ كَانَ لَكُمۡ فِي رَسُولِ ٱللَّهِ أُسۡوَةٌ حَسَنَةٞ لِّمَن كَانَ يَرۡجُواْ ٱللَّهَ وَٱلۡيَوۡمَ ٱلۡأٓخِرَ وَذَكَرَ ٱللَّهَ كَثِيرٗا
“Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun”.[3]
Në këtë kontekst, detyra jonë është që t’i konsiderojmë urdhrat e Allahut xh.sh. dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij, si më të rëndësishme dhe më të vlefshme se çdo gjë tjetër në jetë. Për ta reflektuar këtë përkushtim, duhet të përpiqemi që vlerat e bukura morale të Pejgamberit a.s., t’i jetësojmë në çdo aspekt të jetës sonë. Gjithashtu, duhet të tregojmë kujdes të veçantë për të mbjellë dashurinë për Profetin në zemrat e fëmijëve dhe të rinjve tanë. Le të mos harrojmë se është e pamundur të kuptosh Kur’anin, të përpiqesh të jetosh sipas Islamit ose të arrish miratimin dhe dashurinë e Zotit, pa i kushtuar vëmendje Sunetit të Pejgamberit (paqja dhe bekimet qofshin mbi të).
Hutben e sotme dua ta përfundojmë me paralajmërimet e dhëna nga Pejgamberi a.s. në hutben e lamtumirës: تَرَكْتُ فِيكُمْ أَمْرَيْنِ، لَنْ تَضِلُّوا مَا تَمَسَّكْتُمْ بِهِمَا: كِتَابَ اللَّهِ وَسُنَّةَ نَبِيِّهِ “Po ju lë dy gjëra. Për sa kohë që i përmbaheni fort atyre, nuk do të humbisni kurrë rrugën e drejtë. Këto janë Libri i Allahut dhe Suneti i Profetit të Tij”.[4]
[1] Ali Imran: 31.
[2] Tirmidhiu: Ilm, 16.
[3] Ahzab: 21.
[4] Muslimi: Haxh’xh, 147; Muvatta’: Kader, 3.