Qendra Minber, në bashkëpunim me Myftininë Shkodër dhe Institutin Konak organizuan seminarin “Qasja Bashkëkohore Ndaj Traditës Profetike” gjatë së cilës u promovua dhe libri me të njëjtin titull.
I ftuar kryesor në këtë seminar ishte autori i librit “Qasja Bashkëkohore Ndaj Traditës Profetike” Dr. Jonathan Brown, i cili gjatë fjalës së tij fillimisht citoi rëndësinë që ka evidentimi i funksionit të traditës Profetike. Në këtë kontekst, ai theksoi se njohja e natyrës së gjuhës së Profetit Muhamed a.s. është pika kyçe në rrugën për të kuptuar drejt mesazhet e tij.
Hadithet Profetike kan një stil dhe shije të veçantë gjuhësore. Duke u nisur nga këto veçori, gjatë historisë, dijetarët muslimanë të shkencës së hadithit kanë zhvilluar kriteret e të kuptuarit të teksteve te haditheve dhe traditës Profetike në tërësi, me qëllim për të nxjerrë nga këto tekste mesazhet e synuara. Gjatë leximit apo studimit të haditheve duhet marrë parasush fakti që gjuha arabe përmban shumë figura letrare si, hiperbola, etj., në mënyrë që të shmangen kuptimet e gabuara të teksteve të haditheve. Për shembull, hiperbola në retorikë ka thjesht qëllimin për të pasur sa më shumë ndikim tek dëgjuesi.
Një pikë tjetër që u theksua nga Dr. Brown, ishte rëndësia e të pasurit parasysh së kontekstit të haditheve të Profetit a.s. kur duam të nxjerrim mesazhe dhe dispozita nga ato. Dr. Brown gjatë fjalimit të tij, foli edhe rreth qasjeve të lëvizjeve moderniste që përjashtojnë rolin e traditës Profetike në të Drejtën Islame, qasje këto që kryesisht burojnë nga ngurtësia dhe mos njohja e metodës së të kuptuarit të traditës së Profetit a.s.
Në përmbyllje Dr. Brown përcolli mesazhin se nëse nuk njihet natyra e gjuhës Profetike, nuk merret parasyh konteksti i fjalëve të Tij a.s. dhe nuk kihen parasysh veçoritë retorike të gjuhës arabe, atëherë vazhdimisht ekziston mundësia për keq interpretim të traditës Profetike.