Qendra MINBER

Ruajtja nga zakonet e dëmshme

Home » Ruajtja nga zakonet e dëmshme

 

 

 

 

 

 

 

Të nderuar besimtarë!

Feja jonë e lartë, Islami, na urdhëron të ruajmë qëndrueshmërinë e fesë, jetës, mendjes, pasardhësve dhe pronës. Nga ana tjetër, ajo ndalon të gjitha llojet e zakoneve të dëmshme që janë të papajtueshme me fenë, që na prishin natyrën, dëmtojnë trupin dhe shpirtin dhe që prishin brezat tanë.

Në krye të zakoneve që mpijnë njerëzit dhe e bëjnë mendjen e njeriut jofunksionale, janë pikërisht pijet alkoolike. Pejgamberi a.s. në hadithin që përmendëm sipër thotë:

كُلُّ مُسْكِرٍ خَمْرٌ وَكُلُّ خَمْرٍ حَرَامٌ

Ç’do gjë që deh është alkool dhe të gjitha llojet e alkoolit janë haram”.[1]

Alkooli është bërë shkak që të shkatërrohen shumë familje. Për shkak të tij ndodhin shumë aksidente me lëndime apo vdekje dhe humbin shumë jetë dhe shpresa. Për këtë arsye, prodhimi, pirja, blerja dhe shitja e pijeve alkoolike janë të ndaluara në fenë tonë.

 

Të nderuar vëllezër e motra!

Një nga zakonet e dëmshme që e çonë njerëzimin drejt katastrofës është bixhozi. Bixhozi, i cili shihet si një mjet për të fituar para lehtësisht, është një fitim i padrejtë. Personat të cilët bien në kurthin e tij, i tërheq drejtë vetmisë, dëshpërimit dhe shumë telasheve e fatkeqësive tjera. Sipas Islamit, luatja e lojrave të fatit si dhe të gjitha llojet e bixhozit janë haram. Allahu i Lartmadhëruar në Ajetin që lexuam na urdhëron të qëndrojmë larg alkoolit dhe bixhozit: “Vërtet, djalli me pije alkoolike dhe me bixhoz kërkon që të fusë midis jush armiqësi e urrejtje dhe t’ju shmangë nga të kujtuarit e Allahut dhe kryerja e namazit. Prandaj, a po hiqni dorë?”.[2]

Një tjetër rrezik që është përhapur gjerësisht tek rinia, shpresa e së ardhmes tonë, është varësia nga droga dhe substancat e tjera. Të rinjtë që janë larg dashurisë së prindërve dhe dashurisë familjare; për shkak të rrethit shoqëror, merakut ose kurejshtjes bëhen të varur ndaj llojeve të ndryshme të drogave. Të rinjtë që mashtrohen duke thënë: “Ta përdorësh një herë nuk të bënë gjë!” bien në batakun e përdorimit të substancave. Ndërkaq Allahu xh. sh. në një ajet Kuranor na thotë:

وَلَا تُلۡقُواْ بِأَيۡدِيكُمۡ إِلَى ٱلتَّهۡلُكَةِ وَأَحۡسِنُوٓ

“…dhe mos e çoni veten tuaj në shkatërrim, por bëni të mira”.[3] Duke u nisur nga kjo, kudo që të jemi në familje, shkolla, xhami, institucione publike dhe organizata joqeveritare duhet të bashkëpunojmë dhe të luftojmë kundër të gjitha llojeve të varësive si pijet alkoolike, drogat dhe të ngjashme me këto që dëmtojnë shëndetin, mendjen dhe vullnetin e njeriut. Të sigurojmë që të rinjtë dhe fëmijët tanë të mos bien në grackat e keqbërësve dhe të mos tërhiqen zvarrë në vorbullën e së keqes.

Të nderuar besimtarë!

Gjithashtu mjediset virtuale si interneti dhe mediat sociale kthehen në një zakon të dëmshëm kur përdoren në mënyrë të tepruar dhe të papërgjegjshme. Varësia digjitale, e cila është përhapur me shpejtësi kohët e fundit, i shkëput njerëzit nga jeta reale, i bën ata të neglizhojnë familjarët e tyre dhe të shpërdorojnë kapitalin e tyre të jetës. Krahas këtyre, në disa media shpërfillet privatësia personale dhe familjare, shkelen të drejtat e njerëzve përmes gënjeshtrave, shpifjeve dhe lajmeve të pabaza dhe nëpërkëmbet dinjiteti njerëzor.

Të gjitha zakonet e dëmshme që shkaktojnë varësi janë kurthe shkatërruese të sajuara nga koha moderne për njerëzit. Shëndeti i mendjes dhe ruajtja e brezave është e mundur duke qëndruar larg zakoneve të dëmshme. Këto zakone, të cilat janë në kundërshtim me natyrën e pastër, nuk do të sjellin kurrë stabilitet e lumturi për njerëzit dhe shoqërinë. Të mos harrojmë se ajo që do të na sjellë lumturi në këtë botë dhe në ahiret është respektimi i kufijve të vendosur nga Allahu dhe shmangia nga çdo lloj ndalese dhe të keqeje. Në këtë kontekst paralajmërimin e Pejgamberi a.s. që po e përmendim më poshtë nuk duhet ta nxjerrim nga mendja:

  نِعْمَتَانِ مَغْبُونٌ فِيهِمَا كَثِيرٌ مِنَ النَّاسِ، الصِّحَّةُ وَالْفَرَاغُ

Ka dy begati që shumica e njerëzve mashtrohen në vlerësimin e tyre. Këto janë shëndeti dhe koha e lire”.[4]

 

 

 

[1] Muslimi, Eshribe, 74.

[2] Maide, 91.

[3] Bakara, 195.

[4] Buhariu, Rikak, 1/6487.