Qendra MINBER

Ruajtja e natyrshmërisë njerëzore

Home » Ruajtja e natyrshmërisë njerëzore

 

 

 

 

 

 

 

Të nderuar besimtarë!

Allahu xh. sh. Krijuesi Fuqiplotë, krijoi burrin dhe gruan nga e njëjta esencë dhe e pajisi secilin me karakteristika të ndryshme shpirtërore dhe fizike. Këto karakteristika për secilën gjini, të cilat Kur’ani i quan “fitra/ natyrë e lindur”, nuk janë as burim epërsie dhe as shkak për mangësi si për burrat edhe gratë. Sepse, të qenit i krijuar si femër apo mashkull nuk është lënë si një opsion për tu zgjedhur ose preferuar, por është vendim i Zotit të Plotfuqishëm dhe rezultat i urtësisë së Tij. Femra, si femër dhe mashkulli, si mashkull, janë të rëndësishëm, të vlefshëm dhe të veçantë ashtu siç janë. Të dyja gjinitë nuk janë rivale apo alternativa të njëra-tjetrës, por plotësuese dhe mbështetëse për njëra-tjetrën. Ato janë dy gjysma, që kur bashkohen bëhen një.

Një nga kërcënimet më të mëdha me të cilat përballet njerëzimi sot, janë përpjekjet për të eliminuar natyrën e pastër të meshkujve dhe femrave. Një nga këto projekte, është neutralizimi gjinor, i cili ka si pikësynim prishjen dhe deformimin e karakteristikave shpirtërore dhe fizike të njerëzve. Ajo është një përpjekje për të transformuar femrat në meshkuj dhe meshkujt në femra. Është një kurth për të reduktuar njeriun në një qenie pa identitet duke shpërfillur vullnetin hyjnor. E thënë ndryshe është një lëvizje dashakeqe që duke inkurajuar alkoolin, drogën dhe marrëdhëniet e paligjshme dhe duke abuzuar me natyrën e pastër të fëmijëve, tërheq brezat në katastrofë dhe errëson të ardhmen e njerëzimit.

 

Të nderuar besimtarë!

Ndërsa Kur’ani na flet për veprat e shejtanit, se si do të ngrej kurthe për ta larguar njeriun nga rruga e drejtë, na tërheq vëmendjen duke theksuar se shejtani do ti nxisë njerëzit :

وَلَاٰمُرَنَّهُمْ فَلَيُغَيِّرُنَّ خَلْقَ اللّٰهِۜ

e pastaj do t’i urdhëroj që të ndryshojnë krijesën e Allahut[1]  Është e vërtetë se, të gjitha aktivitetet që kryhen në emër të neutralizimit gjinor janë të paturpshme dhe perverse. Këto veprime kanë për qëllim tejkalimin e kufijve të caktuar nga Allahu dhe rebelimin kundër Tij. Siç thotë edhe Pejgamberi a.s. “Allahu i ka mallkuar burrat që përpiqen të imitojnë gratë dhe gratë që përpiqen të imitojnë burrat”.[2] Prandaj, çdo ideologji e rreme që është e ndaluar nga Allahu dhe që ndërhyn në krijimin e pastër njerëzor, nuk mund të legjitimohet nën emrin e lirisë. Lëvizjet perverse që përjashtojnë arsyen dhe ndërgjegjen dhe shkaktojnë shumë sëmundje, nuk mund të konsiderohen të natyrshme nën pretekstin e të drejtave të njeriut. Veprime të tilla që kërcënojnë të ardhmen e njerëzimit i shohim që reflektohen me propagandë përmes filmave, serialeve televizive, filmave vizatimorë, postimeve në rrjetet sociale, lojërave dixhitale, reklamave, muzikës, artit dhe aktiviteteve kulturore. Por, duhet ditur se kjo është gjithashtu një mëkat i madh dhe një përgjegjësi e rëndë.

Neutralizimi gjinor është një kërcënim i madh që synon jo vetëm identitetin e individëve, por edhe errëson të ardhmen e shoqërive. Në këtë kontekst, fuqia më e madhe që kemi kundër këtij kërcënimi është familja. Familja është shtëpia e mëshirës dhe e dhembshurisë e krijuar nga një burrë dhe një grua nëpërmjet martesës, në prani të dëshmitarëve, që sipas normave fetare dhe ligjeve janë të pjekur shpirtërisht dhe fizikisht. Familja është thesari më i vlefshëm që mund të kemi në rritjen e brezave të shëndetshëm. Ajo është shkolla e shkencës, e dijes dhe e mençurisë për fëmijët. Është një kështjellë e fortë, një strehë e sigurt që mbron brezat nga keqbërjet dhe të këqijat.

Të nderuar besimtarë!

Krijimi i familjes, mbrojtja e saj dhe pasurimi e forcimi me fëmijë është urdhër i Islamit. Është detyra jonë e përbashkët, të marrim masat paraprake të nevojshme kundër prirjeve të dëmshme që kërcënojnë familjen. Atëherë, le të jemi të kujdesshëm ndaj atyre që duan të shkatërrojnë institucionin e familjes dhe të korruptojnë shoqërinë. Le t’i bëjmë familjet tona një vend dhembshurie dhe dashurie. Të mos e neglizhojmë vëmendjen dhe dashurinë tonë ndaj fëmijëve. Le të vazhdojmë t’i rrisim ata në një mënyrë besnike ndaj vlerave shpirtërore e atdhetare dhe në përputhje me identitetet e tyre të natyrshme. Të kemi kujdes, që të zgjedhim rroba dhe lodra të përshtatshme për gjininë dhe moshën e fëmijëve. Le t’u mësojmë atyre me ndjeshmëri ndërgjegjësimin për privatësinë që urdhëron Islami. Të mos i lëmë në mëshirën e rrjeteve helmuese në mjediset virtuale. Le t’i udhëzojmë, që të mos bëhen viktima të miqve të rremë. Kur të arrijnë moshën dhe pjekurinë për t’u martuar, le t’i mbështesim në ngritjen e një shtëpie familjare. Le të shmangim fjalët, sjelljet dhe praktikat që trembin rininë nga martesa. Të mos i vështirësojmë fejesat, martesat dhe dasmat e çifteve të reja. Të mos harrojmë se, të gjitha marrëdhëniet jashtëmartesore janë tradhti bashkëshortore dhe janë haram. E gjithashtu, mëkat i madh që shkakton zemërimin e Allahut.

Hytben e sotme po e mbyllim me ajetin e 21 të Sures Nur.

۞ يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ لَا تَتَّبِعُواْ خُطُوَٰتِ ٱلشَّيۡطَٰنِۚ وَمَن يَتَّبِعۡ خُطُوَٰتِ ٱلشَّيۡطَٰنِ فَإِنَّهُۥ يَأۡمُرُ بِٱلۡفَحۡشَآءِ وَٱلۡمُنكَرِۚ وَلَوۡلَا فَضۡلُ ٱللَّهِ عَلَيۡكُمۡ وَرَحۡمَتُهُۥ مَا زَكَىٰ مِنكُم مِّنۡ أَحَدٍ أَبَدٗا وَلَٰكِنَّ ٱللَّهَ يُزَكِّي مَن يَشَآءُۗ وَٱللَّهُ سَمِيعٌ عَلِيمٞ

“O besimtarë! Mos ndiqni gjurmët e djallit! Kush ndjek gjurmët e djallit, do të nxitet nga ai të bëjë vepra të këqija e të shëmtuara. Sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, askush nga ju nuk do të ishte pastruar kurrë (prej gjynaheve); Allahu pastron atë që dëshiron Vetë. Allahu i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha”.

[1] Nisa, 119.

[2] Ibn Hanbel, V, 243.