Të nderuar besimtarë!
Një ditë, një person erdhi pranë Profetit a.s dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë dua të bëj hixhret/migroj dhe xhihad, duke e pritur shpërblimin nga Allahu.” Pas kësaj, Profeti a.s. e pyeti duke i thënë: “A janë gjallë nëna dhe babai yt? Pasi personi i’u përgjigj: “Po, ata të dy janë gjallë”, në vijim Profeti a.s i dha këtë këshillë atij: “Atëherë kthehu te prindërit e tu dhe fitoji zemrat e tyre”.[1]
Nëna dhe babai janë begatia dhe dhurata më e çmuar, që Allahu xh.sh. na ka dhuruar në këtë jetë. Nëna është mësuesja jonë e parë, ajo që mbjell në zemrat tona farat e dhembshurisë dhe dashurisë, ajo që na jep ndërgjegjen për të dalluar të mirën nga e keqja, të drejtën nga e gabuara, të vërtetën nga e kota. Nëna, si simboli i mëshirës dhe mirësisë është shtylla kurrizore e familjes, është ajo që i jep fëmijës së saj dashuri të pakushtëzuar dhe që i dhuron njerëzimit breza të dobishëm. Babai është personi ku mbështetemi përballë vështirësive dhe telasheve të jetës. Ai është një kështjellë e fortë ku mund të strehohemi kundër çdo të keqeje dhe kërcënimi. Me pak fjalë, nëna dhe babai ynë janë personalitete të veçanta që na përgatisin me durim për të ardhmen, vendi i të cilëve kurrë nuk mund të zëvendësohet. Respekti ndaj tyre është respekt ndaj Allahut. Nderimi ndaj tyre është nderim ndaj Allahut. Lutjet e tyre janë çelësi i xhenetit. Kërkesat dhe këshillat e tyre të ligjshme në përputhje me Islamin janë burimi i qetësisë.
Të nderuar besimtarë!
Shembulli i një nëne të përgjegjshme duhet të jetë si shembulli i Haxheres, e cila i duroi të gjitha vështirësitë për Ismailin a.s dhe bëri çmos për të plotësuar nevojat e tij materiale dhe shpirtërore. Shembulli i nënës, duhet të jetë si shembulli i Fatimes r.a, e cila rriti dhe edukoi dy nipërit e Pejgamberit a.s, Hasanin dhe Hysejnin r.a.
Ndërsa shembulli i një babai të përgjegjshëm duhet të jetë si shembulli i Nuhut a.s. që në përpjekje të plotë për të shpëtuar djalin e tij nga e keqja i tha:
وَنَادَىٰ نُوحٌ ٱبۡنَهُۥ وَكَانَ فِي مَعۡزِلٖ يَٰبُنَيَّ ٱرۡكَب مَّعَنَا وَلَا تَكُن مَّعَ ٱلۡكَٰفِرِينَ
“…ndërsa Nuhu thërriste birin e vet, i cili ishte ndarë veç: “O biri im, hip me ne e mos u bëj me mohuesit!”[2], duhet të jetë si shembulli i Lukmanit a.s. që për ti rrënjosur ndjenjën e përgjegjësisë e këshilloi të birin:
يَٰبُنَيَّ إِنَّهَآ إِن تَكُ مِثۡقَالَ حَبَّةٖ مِّنۡ خَرۡدَلٖ فَتَكُن فِي صَخۡرَةٍ أَوۡ فِي ٱلسَّمَٰوَٰتِ أَوۡ فِي ٱلۡأَرۡضِ يَأۡتِ بِهَا ٱللَّهُۚ إِنَّ ٱللَّهَ لَطِيفٌ خَبِيرٞ
“O djali im, edhe veprën e rëndë sa kokrra e sinapit që ndodhet në shkëmb, në qiej apo në tokë, Allahu do ta nxjerrë në shesh. Me të vërtetë, Allahu njeh mirë çdo imtësi dhe i di të gjitha fshehtësitë”,[3] për ta ftuar atë në namaz, mirësi, të vërtetë dhe të drejtë e këshilloi duke i thënë:
يَٰبُنَيَّ أَقِمِ ٱلصَّلَوٰةَ وَأۡمُرۡ بِٱلۡمَعۡرُوفِ وَٱنۡهَ عَنِ ٱلۡمُنكَرِ وَٱصۡبِرۡ عَلَىٰ مَآ أَصَابَكَۖ إِنَّ ذَٰلِكَ مِنۡ عَزۡمِ ٱلۡأُمُور
“O djali im, kryeje namazin, urdhëroje të mirën, pengoje të keqen dhe bëhu i durueshëm për çfarëdo që të godet! Me të vërtetë, ky është thelbi i patundur i të gjitha punëve!”[4] si dhe për ti mësuar atij rregullat e mirësjelljes dhe edukatës i tha:
وَٱقۡصِدۡ فِي مَشۡيِكَ وَٱغۡضُضۡ مِن صَوۡتِكَۚ. وَلَا تُصَعِّرۡ خَدَّكَ لِلنَّاسِ وَلَا تَمۡشِ فِي ٱلۡأَرۡضِ مَرَحًاۖ
“Mos i trajto njerëzit me nënçmim dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi…, Ec me kujdes e i përmbajtur dhe fol me zë të ulët…”.[5]
Të nderuar nëna dhe baballarë!
Në një hadith Pejgamberi a.s thotë se: وَإِنَّ لِوَلَدِكَ عَلَيْكَ حَقًّا “Fëmija juaj gjithashtu ka të drejta mbi ju.”[6]
Sipas fesë tonë, ne jemi përgjegjës për t’i ushqyer fëmijët tanë me ushqim hallall, për t’u vënë atyre emra të bukur dhe për t’i trajtuar ata me dhembshuri. Ne jemi përgjegjës për rritjen dhe edukimin e tyre që të jenë persona të mirë, të përkushtuar ndaj vlerave morale dhe që e duan vendin e tyre. Është e drejta e fëmijëve tanë t’u mësojmë atyre Kur’anin Fisnik dhe jetën shembullore të Profetit a.s, t’i njohim me njohuritë e pastra të fesë dhe t’i pajisim me vlera morale islame.
Sot, fëmijët tanë jo pak herë përballen me rreziqe të mëdha që do tu dëmtojnë atyre si këtë jetë ashtu dhe jetën e përtejme. Kurthe të ndryshme përpiqen të na tërheqin fëmijët tanë të shtrenjtë në kënetën e alkoolit, lojërave të fatit dhe drogës si dhe në grackën e prostitucionit. Lëvizjet e dëmshme dhe ideologjitë e rrejshme tentojnë me forma të ndryshme të marrin robër rininë. Prandaj, duke patur parasysh këto rreziqe, duhet të mobilizojmë çdo mundësi që fëmijët tanë të rriten dhe edukohen si besimtarë të denjë ndaj Allahut dhe persona të dobishëm për familjen, shoqërinë dhe njerëzimin. Duhet të përpiqemi në maksimum që të rrisim gjenerata që kontribuojnë në mirësi dhe ndjekin urdhërin hyjnor si:
وَتَعَاوَنُوا عَلَى الْبِرِّ وَالتَّقْوٰىۖ وَلَا تَعَاوَنُوا عَلَى الْاِثْمِ وَالْعُدْوَانِۖ
“Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi!”[7] Nga ana tjetër ne si prindër dhe të rritur, duhet të jemi model për fëmijët tanë me natyrën, fjalët dhe sjelljen tonë. Nuk duhet t’i privojmë ata nga kujdesi dhe dashuria jonë. Të mos harrojmë se rruga për të ndërtuar një shoqëri të fortë është të qenit prind që ka përgjegjësinë për të rritur një brez besnik ndaj besimit, adhurimit, të kaluarës, që respekton vlerat e shenjta, kryen namazin, respekton urdhrat e Allahut dhe qëndron larg ndalesave të Tij.
Hytben tonë duam ta mbyllim me hadithin e Pejgamberit a.s. ku thotë se:
مَا نَحَلَ وَالِدٌ وَلَدًا أَفْضَلَ مِنْ أَدَبٍ حَسَنٍ
“Asnjë baba nuk i ka lënë trashëgimi më të vlefshme fëmijës së tij sesa moral i bukur”.[8]
[1] Muslimi: Birr, 1.
[2] Hud: 42.
[3] Lukman: 16.
[4] Lukman: 17.
[5] Lukman: 18-19.
[6] Muslimi: Sijam, 183.
[7] Maide: 2.
[8] Tirmidhiu: Birr, 33.