Qendra MINBER

Ramazani, Xhamia dhe Jeta

Home » Ramazani, Xhamia dhe Jeta

 

Të nderuar besimtarë!

Falenderimet dhe lavdërimet e pafundme i takojnë Allahut Fuqiplotë, që na mundësoi ta arrijmë Ramazanin e begatë, mbretin e njëmbëdhjetë muajve. Ramazani, si muaji i agjërimit, është një kohë e jashtëzakonshme, kohë në të cilën mëshira dhe falja e Zotit zbresin mbi ne, dhe kur bereqeti e ndihma e Tij vërshojnë nga shtëpitë tona nëpër rrugë. Ai është një shkollë që përmirëson botën tonë të brendshme, të lodhur nga vrapimi i përditshëm, dhe që i jep kuptim jetës sonë. Ramazani, muaji i Kuranit, është një mirësi e madhe që na është dhuruar për t’i dhënë qetësi zemrave tona dhe për të forcuar adhurimin tonë në rrugën e drejtë. Ai është një thesar i çmuar që na u fal për të na kujtuar përgjegjësitë tona ndaj Zotit, familjes dhe mjedisit ku jetojmë.

Besimtarë të dashur!

Përveç mirësive të shumta që na sjell, Ramazani i begatë na ofron mundësi të pafundme për të rilidhur, forcuar dhe zhvilluar lidhjen tonë me xhamitë. Përmes ezaneve, leximit të Kuranit, hallkave të dijes, namazeve të teravisë dhe sofrave të iftarit që shtrohen në oborret e xhamive, ky muaj bëhet shkak për ndërtimin dhe gjallërimin e një jete me qendër xhaminë. Sepse xhamitë janë djepi i qytetërimit Islam dhe zemra e qyteteve tona. Ato janë vende të shenjta ku besimi harmonizohet me moralin, adhurimi me vetëdijen, dija me urtësinë dhe nënshtrimi ndaj Zotit me përgjegjshmërinë. Ashtu, siç ka urdhëruar Profeti ynë i dashur (s.a.s.): Vendet më të dashura për Allahun në një qytet janë xhamitë”.[1]

Besimtarë të nderuar!

Zoti ynë i Madhëruar në Kuranin Fisnik urdhëron: Faltoret e Allahut i vizitojnë dhe i mirëmbajnë vetëm ata që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit, që falin namazin dhe japin zekatin e që nuk i frikësohen askujt, përveç Allahut. Sigurisht që këta janë në rrugë të drejtë”.[2] Të ndërtosh xhamitë nuk do të thotë vetëm t’i ngresh ato fizikisht. Por t’i ndërtosh dhe t’i gjallërosh xhamitë do të thotë të jesh i pranishëm në të njëjtin rresht (saf), krah për krah me besimtarët, për të arritur qetësinë para Zotit. Do të thotë të arrish vetëdijen e unitetit, vëllazërisë dhe bashkimit nën kupolat e xhamive dhe nën hijen e minareve të tyre.

Besimtarë të dashur!

Po jetojmë në një kohë kur lidhjet familjare janë zbehur dhe marrëdhëniet me të afërmit e fqinjët kanë arritur në pikën e shuarjes. Njeriu, dita-ditës po vetmohet, duke mbetur i huaj edhe mes njerëzve. Shqetësimi dhe trazimi që vjen nga dhënia e tepërt pas mirësive të kësaj bote, po e shtyn njeriun ta shohë jetën sikur përbëhet vetëm nga kjo botë, duke u larguar kështu nga bota shpirtërore. Zgjidhja për të gjitha këto vështirësi që po kalojmë, qëndron te forcimi i lidhjes midis xhamisë dhe jetës; te rikthimi në vëmendjen tonë i të vërtetave universale të Islamit dhe i atyre vlerave që na bëjnë këta që jemi.

Të nderuar besimtarë!

Nëse arrijmë të përfitojmë sa më shumë nga atmosfera shpirtërore e Ramazanit, do të mund të kthehemi në vetvete dhe ta mbajmë gjallë vetëdijen e adhurimit. Nëse arrijmë të grumbullojmë kujtime të bukura mbi muajin e Ramazanit në mendjet dhe zemrat e fëmijëve tanë, atëherë do t’i ndihmojmë ata ta shohin të ardhmen me besim. Nëse arrijmë ta vendosim namazin në qendër të kohës sonë dhe xhaminë në qendër të jetës sonë, atëherë do të mund të arrijmë lumturinë e kësaj bote dhe të botës tjetër, Ahiretit.

Në fund të hutbes, dua t’ju përcjell përgëzimin e Profetit tonë të nderuar, i cili thotë: “Kur dikush niset nga shtëpia e tij me qëllimin për të shkuar në xhami, për çdo hap që hedh i shënohet një sevap (mirësi), ndërsa me hapin tjetër i fshihet një mëkat”.[3]

[1] Muslimi: Mesaxhid, 288.

[2] Teube: 18.

[3] Nesai: Mesaxhid, 14.