Qendra MINBER

Ramazani, Muaji i përmirësimit shpirtëror

Home » Ramazani, Muaji i përmirësimit shpirtëror

 

 

 

 

 

 

 

Të nderuar besimtarë!

Falenderojmë Allahun xh.sh. që na mundësio të arrijmë një muaj tjetër të Ramazanit, në të cilin gjejmë begati përmes syfyrit, shëndet përmes agjërimit, shërim përmes Kuranit, qetësi përmes teravive, kthim në vetëvete me anë të itikafit dhe ku solidarizohemi me vëllezërit tanë në nevojë me anë të zekatit e sadaksë.

Ramazani është muaji i agjërimit që na ndihmon të arrijmë devotshmërinë me durim dhe vullnet. Agjërimi i këtij muaj të begatë, është një mirësi dhe amanet i bekuar që na është dhuruar nga Zoti Fuqiplotë. Ai është një vlerë e madhe shpirtërore dhe ringjalljeje që na vjen çdo vit. Trupi, emocionet, mendja dhe zemra jonë rinovohen pikërisht nëpërmjet agjërimit. Trupi ynë bëhet i shëndetshëm përmes agjërimit e karakteri ynë brumoset po me agjërim. Nga ana tjetër egoja jonë disiplinohet përmes agjërimit e shpirti ynë pastrohet përmes tij. Ndërkaq, i Dërguari i Allahut, Muhammedi a.s. në një hadith thotë:

مَنْ صَامَ رَمَضَانَ إِيمَانًا وَاحْتِسَابًا غُفِرَ لَهُ مَا تَقَدَّمَ مِنْ ذَنْبِهِ

Atij që agjëron Ramazanin, me besim dhe duke shpresuar në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e së kaluarës[1]

 

Të nderuar besimtarë!

Ramazani është muaji në të cilin u shpall Kur’ani Famëlartë, i cili parashtron një horizont unik për botën dhe ekzistencën, ku dhe në këtë muaj lexohet më së shumti. Kur’ani Fisnik është drita e jetës, syve dhe zemrave tona. Kur’ani është shërim për njerëzit, shërim për shoqëritë dhe shërim për qytetërimet. Le të mundohemi të gjejmë shërim me Kur’an. Le ta bashkojmë Kur’anin me shtëpitë dhe zemrat tona. Le të përpiqemi të lexojmë, kuptojmë dhe jetojmë fjalën e Allahut me kujdes. Le ta ringjallim Sunetin e Profetit a. s. duke e lexuar Kur’anin. Ta ringjallim veten në mënyrë që Kurani të depërtojë në shpirtrat tanë dhe drita e tij të mbulojë fytyrat tona.

Ramazani është muaji në të cilin gjejmë qetësi shpirtërore përmes namazit, që është shtylla e Islamit. Atëherë, të shtojmë përkujtimin, mirënjohjen, meditimin, lutjen dhe përgjërimin tonë ndaj Allahut duke kryer faljen e namazit. Le të mbrohemi nga të gjitha llojet e të këqijave, paturpësive dhe ligësive përmes namazit. Le të qetësojmë shpirtrat tanë të lodhur me namazet e teravive.

Të nderuar besimtarë!

Ramazani është muaji i mirësisë, bamirësisë dhe solidarizimit. Prandaj le t’ia shtojmë bereqetin pasurisë tonë me bamirësi, sadaka dhe mirësi. Le ti ndihmojmë vëllezërit e motrat në nevojë me zekat dhe fitra, në mënyrë që ti paksojmë mundimet e ti shtojmë gëzimet për të gjithë.

Allahu, na e mundësoftë që ta vlerësojmë këtë muaj të begatë me mbajtjen e agjërimit, leximin e Kur’nit dhe me faljen e namazeve. Hytben e sotme po e mbyllim me fjalën e Allahut në Kur’an ku thotë:

يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ ٱرۡكَعُواْ وَٱسۡجُدُواْۤ وَٱعۡبُدُواْ رَبَّكُمۡ وَٱفۡعَلُواْ ٱلۡخَيۡرَ لَعَلَّكُمۡ تُفۡلِحُونَ۩

“O besimtarë! Përkuluni dhe përuluni në sexhde (para Allahut)! Adhuroni Zotin tuaj dhe bëni vepra të mira për të arritur shpëtimin!”.[2]

[1] Buhariu, Iman, 28.

[2] Haxh’xh, 77.