Qendra MINBER

Ramazani: Muaji i agjërimit dhe Kur’anit

Home » Ramazani: Muaji i agjërimit dhe Kur’anit

 

 

 

 

 

 

 

Të nderuar besimtarë!

Kishin kaluar vetëm tetëmbëdhjetë muaj nga emigrimi i Profetit a.s. në Medine. Ishin ditët e fundit të muajit Shaban, kur u shpallën ajetet e mëposhtme të Sures Bakare, të cilat deklaronin se agjërimi i Ramazanit është bërë i detyrueshëm:

“Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!…”[1]

Ndërkaq, i Dërguari i Allahut a.s. gjithashtu, u ngjit në minberin e Xhamisë Nebevi dhe iu drejtua besimtarëve në këtë mënyrë:

Keni arritur në muajin e shenjtë të Ramazanit. Allahu i Madhëruar ua ka bërë obligim agjërimin në këtë muaj. Kur të hyjë muaji Ramazan, hapen portat e qiellit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe prangosen shejtanët.”[2]

Të nderuar besimtarë!

Muaji i bekuar i Ramazanit zë një vend të veçantë në botën tonë shpirtërore. Sepse Ramazani është muaji i agjërimit dhe i Kur’anit. Ramazani është muaji i durimit, mirënjohjes, pendimit dhe meditimit. Ramazani është muaji më i nderuar që përmban Natën e Kadrit, e cila është më e mirë se një mijë muaj. Ramazani është adhurim, begati dhe falje. Ramazani është bindje, mirësi dhe bamirësi. Siç tregon Pejgamberi a.s., kur arrin nata e parë e Ramazanit, një engjëll thërret kështu:

وَنَادَى مُنَادٍ يَا بَاغِيَ الْخَيْرِ أَقْبِلْ وَيَا بَاغِيَ الشَّرِّ أَقْصِرْ

O kërkuesit e mirësisë! Ejani në adhurim! O ju që dëshironi të keqen! Hiqni dorë nga mëkatet tuaja!”[3]

Ramazani gjen kuptim me agjërimin. Agjërimi mbi të gjitha është trajnimi i durimit, vullnetit dhe dhembshurisë tonë. Ai është si një mburojë, që na mbron të mos bëhemi skllevër të epsheve, pasioneve dhe dëshirave negative.

Ajeti Kur’anor:

يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ كُتِبَ عَلَيۡكُمُ ٱلصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى ٱلَّذِينَ مِن قَبۡلِكُمۡ لَعَلَّكُمۡ تَتَّقُونَ

O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat[4], tregon se qëllimi i agjërimit është largimi nga të gjitha llojet e të këqijave dhe mëkateve. Gjithashtu edhe Pejgamberi a.s, në një nga hadithet e tij thotë se:

الصِّيَامُ جُنَّةٌ ، فَلاَ يَرْفُثْ وَلاَ يَجْهَلْ ، وَإِنِ امْرُؤٌ قَاتَلَهُ أَوْ شَاتَمَهُ فَلْيَقُلْ إِنِّى صَائِمٌ . مَرَّتَيْنِ

“Agjërimi është mburojë, prandaj (agjëruesi) të mos flasë fjalë të ndyta e as të mos sillet me injorancë. Nëse dikush e sulmon ose e shan atë, le t’i thotë: Unë jam agjërues! – dy herë”.[5]

Të nderuar besimtarë!

Ramazani është muaji në të cilin nisi shpallja e librit tonë të jetës, Kur’anit Fisnik. Kur’ani është Fjala dhe Libri i Allahut xh.sh. Për shkak se i përket Allahut, ai është

ٱللَّهُ نَزَّلَ أَحۡسَنَ ٱلۡحَدِيثِ

Allahu ka shpallur Fjalën më të bukur (Kuranin)[6].

 

Me thënien e Profetit a.s.

أصدق الحديث كتاب الله ، وأحسن الهدي هدي محمد رسول الله صلى الله عليه وسلم

Fjala më e drejtë është libri i Allahut (Kur’ani), udhëzimi më i mirë është udhëzimi i të Dërguarit të Allahut a.s[7], Kur’ani Famëlartë është udhërrëfyesi, që u tregon rrugën e drejtë njerëzve në çdo epokë dhe çdo gjeografi deri në Ditën e Gjykimit. Kur’ani është shërim për shpirtrat dhe mëshirë për zemrat. Ai na prezanton me Zotin, na informon për përgjegjësitë që kemi dhe na kujton jetën e përtejme. Ai na mëson kuptimin e të qenit njeri dhe sekretet e të jetuarit.

Ramazani është muaji i vëllazërisë, solidaritetit dhe bamirësisë. Në këtë muaj duke hequr dorë përkohësisht nga ngrënia dhe pirja, kuptojmë gjendjen e të varfërve, vlerësojmë begatitë dhe kuptojmë se duhet t’i jemi vërtet mirënjohës Allahut, Furnizuesit të vërtetë.

Ramazani është gjithashtu një mundësi për t’i dhënë fund zakoneve të këqija dhe për të hapur një faqe të re për sjellje të mira dhe të bukura. Falë Ramazanit, ne garojmë në vepra të mira, investojmë në të mira dhe qëndrojmë larg fjalëve dhe veprave të këqija. Në këtë periudhë, emocionet e solidaritetit dhe vëllazërisë i ndjejmë me gjithë zemër. Lidhjet e dashurisë dhe respektit mes nesh bëhen më të forta. Shpërblimet dhe meritat e ibadeteve, veprave të mira dhe bamirësive të bëra në këtë muaj janë më të mëdha se në muajt e tjerë.

Atëherë ejani t’i bashkojmë gjuhët, zemrat, botën tonë të përsiatjes dhe gjithë jetën tonë me bukuritë që sjell Ramazani dhe agjërimi. Le të kalojmë më shumë kohë për të lexuar dhe kuptuar Kur’anin Fisnik. Le ta riparojmë botën tonë të rraskapitur të zemrës dhe mendjes me dritën e Kur’anit. Le ta mbajmë agjërimin me vetëdije. Le të agjërojmë jo vetëm me stomakun, por edhe me gjuhën, duart, sytë, zemrën, me të gjitha gjymtyrët tona, të cilat do të na mbrojnë nga çdo e keqe.

Hytben po e mbyllim me hadithin e Pejgamberit a.s. ku thotë se:

مَنْ صَامَ رَمَضَانَ إِيمَانًا وَاحْتِسَابًا غُفِرَ لَهُ مَا تَقَدَّمَ مِنْ ذَنْبِهِ“

“Atij që agjëron Ramazanin, duke besuar dhe shpresuar në shpërblimin e Allahut, i falen mëkatet e së kaluarës.[8]

[1] Bakare, 185.

[2] Nesai: Sijam, 5.

[3] Tirmidhiu, Savm,1; Ibn Maxheh, Sijam, 2.

[4] Bakare, 183.

[5] Buhariu, Savm, 9; Muslimi, Sijam, 29.

[6] Zumer, 23.

[7] Nesai, Salatu’l-Idejn, 22.

[8] Buhari, Iman, 27.