Falënderimet dhe lavdërimet e pafundme janë për Allahun, Krijuesin Fuqiplotë që na solli këtë muaj të bekuar. Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi Profetin Muhamed a.s., i cili na mësoi vlerën e Ramazanit. Qoftë i begatë ky muaj për të gjithë besimtarët!
Të nderuar besimtarë!
Ramazani, është muaji i Kur’anit Fisnik. Pikërisht në këtë muaj ka nisur ti shpallet Kur’ani Famëlartë, Pejgamberit a.s. Koha, toka dhe njeriu po në këtë muaj janë ndriçuar me dritën e uahjit/Shpalljes Hyjnore. Allahu xh.sh., në suren Bekare thotë:
شَهۡرُ رَمَضَانَ ٱلَّذِيٓ أُنزِلَ فِيهِ ٱلۡقُرۡءَانُ هُدٗى لِّلنَّاسِ وَبَيِّنَٰتٖ مِّنَ ٱلۡهُدَىٰ وَٱلۡفُرۡقَانِۚ
“Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja)”.[1]
Në këtë pikë është me vend, që të pyesim vetet tona: Vallë ne si besimtarë a po pajisemi me moralin që parashtron Kur’ani Fisnik? Vallë, a jemi individë dhe muslimanë shembull nën udhëheqjen e Kur’anit?
Të nderuar vëllezër e motra!
Ramazani është muaji i agjërimit. Agjërimi është një formë unike e adhurimit, që sjell shëndet në trupin tonë dhe qetësi në zemrat tona. Agjërimi është një mburojë kundër mëkateve dhe të këqijave. Profeti a.s në një hadith thotë:
« الصِّيَامُ جُنَّةٌ ، فَلاَ يَرْفُثْ وَلاَ يَجْهَلْ ، وَإِنِ امْرُؤٌ قَاتَلَهُ أَوْ شَاتَمَهُ فَلْيَقُلْ إِنِّى صَائِمٌ
“Agjërimi është mburojë, prandaj besimtari të mos flasë me fjalë të shëmtuara dhe të mos silllet me marrëzi. Nëse dikush e provokon ose e fyen atë, atëherë le të thotë: Unë jam agjërueshëm”.[2]
Pra, Ramazani na thërret të agjërojmë me të gjitha shqisat dhe ta pastrojmë veten nga të gjitha llojet e të këqijave dhe mëkateve. Po ne, a jemi të gatshëm të qëndrojmë larg nga zënkat, mëritë dhe urrejtja, cenimi i hakut të njerëzve dhe shoqërisë dhe të gjitha gjërat negative që nuk i përshtaten një muslimani?
Të nderuar besimtarë!
Ramazani është muaji kur ndihmesa dhe solidariteti janë në kulmin e tyre. Ditët e agjërimit janë një kohë e bekuar, kur ne duhet ti shndërrojmë mirësitë dhe begatitë e përkohshme të kësaj bote në përfitime të përjetshme në ahiret përmes zekatit, sadakasë dhe çdo lloj bamirësie tjetër. Në një ajet Kur’anor, Allahu xh.sh. thotë:
وَمَآ أَنفَقۡتُم مِّن شَيۡءٖ فَهُوَ يُخۡلِفُهُۥۖ وَهُوَ خَيۡرُ ٱلرَّٰزِقِينَ
“Ai ua zëvendëson atë që e ndani ju; Ai është Dhuruesi më i mirë”.[3]
Ky muaj i begatë, na fton që ti ndajmë mirësitë me nevojtarët, të pamundurit dhe të mundësojmë buzëqeshjen e jetimit duke u interesuar për nevojat e tyre.
A jemi të gatshëm që sofrat tona të iftarit dhe syfyrit t’i bëjmë burim dashurie dhe respekti për fqinjët, të pastrehët dhe nevojtarët?
Të nderuar besimtarë!
Ramazani është muaj që sjell begati në shtëpitë tona, gëzim në xhami dhe paqe në zemrat e besimtarëve. Ramazani vjen çdo vit për të na mësuar se si të jemi të devotshëm ndaj Zotit, pasues të denjë ndaj Profetit a.s dhe individë të dobishëm për njerëzimin. Ai vjen, për të na ndihmuar të arrijmë devotshmërinë përmes agjërimit dhe të na pastrojë nga mëkatet tona përmes pendimit. Ai vjen, për t’i dhënë fund inatit dhe lëndimit dhe për të ndërtuar ura dashurie e respekti mes nesh. Ramazani vjen, që ne të bashkojmë zemrat tona me prindërit, bashkëshortët, fëmijët, të afërmit dhe fqinjët, ku dhe të marrim lutjet e tyre. Ky muaj i bekuar na fton që të shtojmë leximin e Kur’anit, të falim namazin e teravive dhe të edukojmë fëmijët tanë me vlerat e adhurimit. Prandaj, le të përgatisim zemrat, shtëpitë, lagjet dhe qytetet tona për këtë mysafir të bekuar, në mënyrë që të fitojmë kënaqësinë e Allahut dhe të pastrohemi nga gjynahet tona.
Allahu na e pranoftë agjërimin dhe adhurimin! Amin!
[1] Bekare, 185.
[2] Buhariu, Savm, 2.
[3] Sebe’, 39.